Wednesday, May 5, 2010

SH Q I P T A R Ë T - T O K A DH E B A N O R Ë T !

SH Q I P T A R Ë T - T O K A  DH E

B A N O R Ë T !



"Tokë e Shqipërisë lemë të hedh sytë e mijë, mbi ty, o nanë e rrepte ,burrash te ashper ..!

- Bajroni tek “Udhëtimi i Çajlld Heroldit”






“Bah! Shikoni këto barbarë!" ka thirrur çdo tiran që ka shtyrë në fatkeqësi viktimën e vet, kur më në fund e ka pa të pamundshme me e bërë skllav. Ngjarja e dhimshme e Shqipërisë nuk i është treguar popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo ka qenë zhdukur në vendin e vet të Bajronit dhe të shteteve të mëdha, të cilët kanë vendosur të zhdukin nga faqja e dheut këtë popull heroik. Në sallat e errta të diplomacisë Europiane për shekuj me radhë ka qenë mbyllur e munduar fati i Shqipërisë. 
Edhe tani, me lot ndër sy dhe krejt e dobësuar nga robërija dhe padrejtësia e shekujve, ajo po nxjerr përpara duart thatanike për të kërkuar drejtësi dhe liri; por akoma më kot. Po, shpërblimi i mëkateve është vdekja dhe kujdesi i drejtë i Perëndisë nxjerr përpara faktin se gjendja e keqe e sotme e Europës rrjedh drejtpërsëdrejti po nga ajo politikë që e përdori për Shqipërinë. Megjithëse ka shumë për të thënë, dal përpara ta them unë këtë ndodhi, të përshkruaj tokën, origjinën, gjuhën, zakonet dhe historinë e këtij populli, intrigat e Europës për ta mbajte këtë popull skllav të Turqisë, mundimet dhe kërkesat e drejta të tij për liri dhe pavarësi, dhe më në fund se si Amerika mund ta ndihmojë duke i prirë këtij populli në të drejtat e veta.






Toka e Shqiptarëve






Valona ishte një pjesë e vogël e kësaj toke prej së cilës ata që shkelën Shqipërinë krijuan emrin Albania në shekullin XI. Emri i vërtetë i kësaj toke është Shqipëri dhe i popullit Shqiptar që domethënë toka dhe bijt e Shqipes. Shqipëria, në mes të Malit të Zi dhe të Austrisë kah Veriu, le Serbinë kah Lindja dhe Greqinë kah Jugu, dhe shtrihet 390km përgjate bregut Lindor të Adriatikut. Ajo është shumë afër bregut Italian ku qytetet dhe portet prej Brindisi deri në Venedik duket sikur duan me thënë se janë kryenaltë me përparimin dhe lumturinë e tyre përpara anës tjetër të shkretë të detit të fqinjës së vet. Si në Jug ashtu edhe në Veri të Shqipërisë ka porte të bukur dhe liqenj të mëdhenj e të mrekullueshëm. Buza e Drinit dhe liqeni i Shkodrës, të cilët janë tani pothuaj të pavozitshëm, duhet që nëpërmjet tyre t’u zhvillonte një tregti e madhe e përgjithme. Katër porte të tjerë përgjatë bregut Shqiptar janë pa mole dhe pa farë përmirësimi. Lumenjt janë të mbushur e të pavozitshëm, ndërsa pyje të mëdhenj po kalben në balta e moçale. Fusha të mëdha e pjellore shërbejnë vetëm si një kullote e dobët për tufat e dhenve të një race shumë të dobët; i vetmi plug është parmenda e drunjtë e Romës së lashtë. Minierat e punuara prej Romakëve dhe Venecianëve janë zhdukur nga pamja dhe s’dihet fare ku janë. Përveç rrugës Egnatia, një tregues i pushtimit Romak, s’ka rrugë dhe fuqi të mëdha ujrash shkojnë kot, sepse s’ka asnjë central elektrik. Nuk ka bankë dhe ka shumë pak të holla; nuk ka një zyrë postare të vendit veç atyre të të huajve. Ka shumë pak gazeta dhe libra; shumë rrallë lëviz ndonjë lloj maqine dhe madje s’ka as qeveri të vendit.






Ministri i Punëve të Jashtme të Italise, i shquari San Xhuljano, bëri një përshkrim se si mbërriti nga bregu i detit deri në Shkoder, qyteti kryesor, hypur mbi kalë, nëpër fusha, moçale, ferrishte e baltra, mbi një rrugë të verbët, ndërsa gjatë rrugës së tij në njërin krah kalonte i bukuri lumë pengues dhe i pavozitshem, i cili me pak shpenzime mund të bëhet që të kalojnë nëpër të prej qytetit deri në det vaporë prej më se tre mijë tonelatash. E pamundur! Në zemër të Europës të ndodhet një shkretirë kësi soji, por qe një fakt. Në të vërtetë kjo rrjedh nga se ky vend ka mundësira përparimi më të mëdha se çdo shtet tjeter i Ballkanit por që Europa e ka pa të arësyeshme me e bërë këtë vend të mjerë e të shkretë. Ky vend zë pozitën gjeografike më të mire në Europe; ai është çelsi i tregtisë së Ballkanit dhe porta e kalimit për në Lindje. Me gjithë këtë, sot nuk ka asnjë udhë hekuri që t’i përshkojë Ballkanet prej Adriatiku në atë mënyrë që kjo të jetë një vijim i linjës Austriake.










Origjina e Shqiptarëve






Mbrapa në kohët parahistorike, para se poetët e Homerit të këndonin për perënditë e tyre dhe heronjtë e përrallave, përpara se të shkruhej gjuha greke, rronte një popull i qujtur Pellazg. Herodoti (484-425 p.e.s.) iu vesh Pellazgëve historinë e cila këto i përmend shumë më parë se sa qytetërimin e grekërve; punimi i ashpër që mbulon anët e Panteonit në Athine akoma quhet Pellazgjik. Këta ndërtuan mure të mëdhenj që quhen ciklopike dhe për të cilët Prof. Pokok thotë që qenë ndërtuar shumë më përpara se të egzistonin grekërit e Homerit. Prej kësaj race të fortë parahistorike mbetën vetëm Shqiptarët. Vetëm në kohë të vona u shkoqit se Pellazgët qenë Ilirianët e vjetër, e para degë Indo-Europiane, perandoria e të cilëve shtrihesh që nga Azia e Vogël deri në Adriatik dhe nga Veriu deri në Danub. Nga studimet e shkrimtarëve të rinj, si Prof. Maks Myller dhe Prof. Pot, në gjuhën Shqipe u bë e qëndrueshme kjo origjine. Këto Ilirianë, që rrojnë akoma në Shqipëri si Toskë, u shpërndanë edhe në Itali dhe njihen si Toskë, Toskanë, Etruskë.






Është e kotë të kërkohet për perënditë e Greqisë në etimologjinë e gjuhës së saj. Në gjuhën Shqipe këto janë shumë të qarta dhe domethëniet e tyre shumë të drejta. Për shembull, Kaos është hapsi, hapësira; Erebus, biri i Kaosit, është er-het-os, me e bërë të errët; Uranos është I-Vran-os, domethënë zana e reve, vranët; Zeus, Zaa, Zee, Zoot-Zot, zë rrufe; Athena është E thëna, me thënë fjalën; Nemesis, nemës, domethënë nam, thirrje e djallit; Muse, Mosois, është mësuesi; Afërdita domethënë afër ditës, agimi. Kur do të jetë studiuar mirë gjuha Shqipe dhe kur do të jenë zhvarrosur gojëdhanat e saj, atëhere shumë nga veprat e Homerit do të rishkohen dhe ca nga ato do të jetë nevoja edhe të korigjohen. Herodoti nuk e pati ditë që emrat e heronjve të veprës së Homerit ishin fare qartë në gjuhen Pellazgjike. E deri edhe emri i vet i Homerit mund të gjurmohet në gjuhën Shqipe: I mirë, dhe në formën Imiros do të thotë poezia e mirë.






Flamuri kombëtar






Në gjuhën Shqipe është Agamemnon, Ai-ge-mendon, ai që mendon; Ajaks, ai gjaksi, gjakderdhës; Priamos, Bir-i-amës, biri i amës e me kuptim ironik Biri i tokës, i vendit; Akili, i qiellit, një i zbritur nga qielli; Odiseu, i udhës, udhëtari, aji që shëtit; Ithaka, i thak, idhnak; Droilos, Droili(os), ai që druhet, frigac. Shumë të tjera mund t’i shtohen kësaj liste. Nuk është çudi në se njerëzit që kanë studiuar gjuhën Shqipe të thonë se kjo është gjuha origjnale e Homerit dhe që grekërit e morën nga poetët Pellazgjike të shumtën e këngëve të trimërive dhe ato heroike. Sa dituri e madhe e pret arkeologun kur toka Shqiptare do të hapi thesarin e historisë Pellzagjike! Këta dhe shumë rrjedhime të tjera provojnë që Shqiptarët sot janë mbi tokën e të parëve dhe flasin gjuhën e stërgjyshëve të tyre. Edhe përpara se dega helene të njifej në malet e Thesalisë, Shkodra, qyteti kryesor i Shqipërisë, qe pa dyshim kryeqyteti i mbretërisë madhështore të Ilirisë. Shqipja qe gjuha amtare e Aleksandrit të Madh që pushtoi botën dhe e Pirros së Epirit, një nga gjeneralët më të mëdhenj që përmend historia dhe përballues i fundit i ushtrive pushtuese Romake. Një tragjedi, përtej përfytyrimit të tragjedistit, është kjo që një racë e vjetër dhe e fortë erdhi në një gjendje kaq të keqe dhe mizore, gjë e cila shikohet si skandal i qytetërimit Europian. Nuk është për çudi që otomanët nuk lejuan ndonjë gërmim në tokën Shqiptare, sepse ajo mund t’i sillte ndërmend këtij populli lulëzimin e parë.






Pjesë nga libri i autorit George F. Williams “SHQIPTARËT”
Burimi: Sa-Kra.ch

No comments: