- Banda shtetërore që ekzekutoi Havzi Nelën
Në mëngjes, por dhe deri në orën 11 të paradites, në Kukës, në sheshin e vogël të agjencisë së automjeteve, mu atypranë ku kryqëzoheshin katër rrugë, njerëzit ndaleshin dhe mbanin frymën të shihnin një njeri të varur në një trekëmbësh.
Të krijohej përshtypja se një trekëmbësh i tillë qe punuar krejt ngeshëm; në anën e epërme të tij qe vendosur një parullë e shkruar në karton: HAVZI NELA, ARMIK I PARTISË DHE I POPULLIT
Emri dhe mbiemri i të ndjerit qenë shkruar me bojë guash ngjyrë blu, fjala: armik, me të zeza, ndërsa fjalët: i partisë dhe i popullit, me të kuqe. Shkrimi qe i rregullt, i shkruar në mënyrë më tepër se të përkujdestë, që të linte përshtypjen se qe shkruar nga një dorë e stërvitur dhe e kujdesshme dizenjatori, dhe, mesa dukej, ose siç mund ta marrim lehtas me hamendje tani, e miratuar më parë nga komisioni i organizimit të ceremonisë së marrjes së frymës. Ç’kishte bërë ai njeri, trupi pajetë i të cilit tashmë rrinte pezull në ajër? Përse zezona i kish rënë aq rëndshëm mbi krye sa qe ndëshkuar ashtusoj?... Ky është veçse një pasazh nga libri i ri i Petrit Palushit, që pritet të dalë në qarkullim së shpejti mbi poetin e varur në litar me 10 gusht 1988 Havzi Nela. Shkrimtari Palushi prej kohësh është marrë me studimin e historisë tragjike të martirit Havzi Nela. Në vitin 1996 ka botuar përmbledhjen me poezi post-mortum të Havzi Nelës “Pa nji ditë lumnie”, (Eurorilindja), ribotuar në vitin 2001, ndërsa në vitin 2005 ka botuar librin me shkrime të zgjedhura “Fjala në litar” (Onufri). Librin e ri e ka titulluar “Havzi Nela, poeti i varur në litar”, një ese e plotësuar edhe me 30 foto krejt të panjohura të Havzi Nelës, të gjitha para vitit 1967, para se ai të merrte dënimin e parë me 15 vjet heqje lirie. Ky libër i ri i Petrit Palushit hedh dritë mbi jetën dhe veprën e Havzi Nelës, ndriçon shumë anë të panjohura të veprimtarisë së disidentit të njohur. Në ç’kënde e keni parë figurën e Havzi Nelës?
Unë e kam parë vetë Havzi Nelën të varur, siç e kanë parë me qindra banorë të Kukësit në gusht të 88-s, dhe fati i tij tragjik ka lënë mbresa të pashlyeshme tek unë. Jam munduar ta jap figurën e tij në shumëplanshmëri, ta ridimensionoj dhe ta jap sa më realisht. Në radhë të parë është njeriu jokonformist që kërkon t’u ikë rrathëve të ferrit dhe të përcjellë vazhdimisht kumtin e lirisë. Përveç dosjeve të proceseve hetimore dhe gjyqësore, kam shfrytëzuar për këtë libër dritën që përcjell krijimtaria e tij poetike, si dhe rrëfime të shumta të bashkëkohësve. Tekefundit, libri është dëshmi për një kohë jashtëzakonisht të ashpër ku u shtresua jeta dhe profili i poetit martir Havzi Nela Mendoni se i janë bërë nderimet e duhura poetit martir Havzi Nela?
Absolutisht jo. Në qoftë se në njërën anë nga njerëzit e letrave janë bërë përpjekje për ta ndriçuar figurën e martirit Nela, për një ridimensionim të figurës së këtij njeriu nga më të veçantët e rezistencës antidiktatoriale në Shqipëri, në anën tjetër pjesëtarët e atij ekipi vrasës që i morën jetën, janë pjesë e rëndësishme në struktura të (a)drejtësisë së kohës sonë dhe më e keqja, janë jashtëzakonisht cinikë dhe sikur mburren me atë që kanë kryer në gusht të 1988-s. Ata njerëz, edhe pse kryen një veprim të natyrës naziste, shteti asnjëherë nuk i ka shpallur në kërkim, por i ka joshur, përkrahur, i ka bërë pjesë të rëndësishme të vetvetes pikërisht aty ku kërkohet drejtësi më tepër se çdokund. Mesa kam vërejtë unë, njerëz të tillë të atij stani kanë pritur që ajo çeshtje të ftohej, të shmangej nga kujtesa kolektive dhe CV-ja e tyre të jetë gjithmonë e pastër, madje të krijohet përshtypja se pa ata njerëz organet më të epërme të (a)drejtësisë s’mund të funksiononin në këto dy dekada të postdiktaturës. Ndërkaq, çeshtje duhet këqyrë edhe më hollë: kur ka ende kësilloj gjërash dhe plot e plot të tjera të përafërta, atëherë mund të themi se Shqipëria nuk e ka ende standartin e duhur të dënojë krimet e kohës së komunizmit. Kur them Shqipëria, kam parasysh këtu politikën, shtetin dhe jo njerëzit e thjeshtë që s’kanë gjë në dorë. Në rast se politika, shteti, me organizmat e tyre do të ishin të vetëdijshëm, të dëshirueshëm dhe të interesuar në këtë anë, të mos frikeshin nga diçka e padukshme që i ka frenuar të bëjnë një gjë të tillë, atëherë ish-vrasësit e martirit Havzi Nela nuk do të ishin sot kaq mospërfillës. Jemi në vitin 2008 dhe në këtë drejtim Shqipëria shfaqet me vonesa të pajustifikueshme. Ka 18 vjet që në parlamentin pluralist, në pushtetarinë e lartë e kahmos kanë bërë fole ish-persekutorë dhe ish-persekutore, ish-spiunë (por dhe ish-spiunesha) lehtësisht të verifikueshëm sa të shtyn të besosh se përpjekja që bëhet sot për të hapur dosjet është një përpjekje e kamufluar për t’i mbyllur ato. Veç kësaj, ndoshta maksima e shkëlqyer “Askush në këtë botë nuk është aq i pasur sa të blejë të kaluarën e vet” (O. Wilde), dikur do funksionalizohet edhe në Shqipëri dhe çdo gjë do të ketë normalitet edhe në këtë rrafsh.
Marrim edhe një fakt tjetër. Në tekstin e historisë së shkollave të mesme, por as edhe në tekstin e historisë për studentët (Histori e Shqipërisë: vitet 1945 - 1990), historianët ende s’e kanë përfshirë këtë fakt, si një nga krimet më monstruoze të kohës së komunizmit. Për fat të keq, historianët tanë janë ende të paformuar si duhet, me vështirësi po shkëputen nga këndvështrimi bardh e zi, janë të kapluar nga një frikë e pashpjegueshme të shpjegojnë realisht se ç’ka ndodhur në Shqipëri në vitet e stërgjata të komunizmit. Si e shihni çeshtjen Nela, tashmë kur me kalimin e kohës kanë dalë në dritë edhe shumë fakte të reja?
Do të kalojnë vite e dekada dhe askush nuk mund të justifikojë apo ta mbrojë një veprim të tillë që ka të bëjë me ndëshkimin fatal që iu bë Havzi Nelës në vitin 1988. Tashmë, dokumentet provojnë se janë shkelur edhe rregullat më elementare të një procesi hetimor dhe gjyqësor dhe kjo s’mund të shpjegohet si një mendjelehtësi e atyre që kryen një akt të tillë, por ata vetë, jetëmarrësit e Havzi Nelës, qenë pjesë e barbarisë staliniste që ushtrohej tek një popull i pambrojtur.
Veprimi ndaj Havzi Nelës është demonstrimi më i hapur i një regjimi në krizë dhe s’mund të ketë shpjegim tjetër, kur po të shohësh me vëmendje materiale të procesit hetimor dhe gjyqësor, lehtë mund të vëresh se sikur ka një padurim për të mbërritur në cakun e fundit të këtij procesi: në mbytjen e Havzi Nelës. Të gjitha veprimet të çojnë në atë të pikë të fundme dhe që ka të bëjë me marrjen e jetës me mjete të kohës së mesjetës, por që njëkohësisht japin më së miri fytyrën e shtetit komunist në gusht të 1988-s. Mendoni vetëm pak se vetëm një vit më vonë do të shembej Muri i Berlinit, ndërsa dy vjet më vonë nga ai gusht i 88-s do të përmbysej regjimi stalinist në Shqipëri; me një veprim të tillë makabër regjimi në fuqi përcillte mesazhin se qe një regjim i barbarisë dhe, sikur erdhi në fuqi, me të njëjtat mjete mesjetare (barbare) do të përpiqej të rezistonte derisa të largohej nga skena e histortisë.
Kësisoj, vrasja e Havzi Nelës qe një ndëshkim i pastër politik. Një vrasje e shëmtuar politike e tipit nazist. Ngado që ta largosh çeshtjen në fjalë, ajo vrasje qe shëmtia e një regjimi në prag të dekompozimit, një nga historitë më tronditëse të regjimtarisë staliniste në Shqipëri.
Procesi gjyqësor ndaj tij u deformua tragjikisht dhe në rast se ndonjëherë do të rihapet (rishqyrtohet) procesi gjyqësor ndaj Havzi Nelës, jam krejt i bindur se banda shtetërore që dërgoi në litar poetin martir Havzi Nela do të dalë krejt e zbuluar. Kjo do të thotë se është amplifikuar procesi ndaj martirit Nela?
Padyshim. Qysh në vitin 1993 i kam shfletuar me vëmendje dosjet që përfshijnë proceset hetimore dhe gjyqësore ndaj Havzi Nelës. Nuk kam ditur shumë gjëra më përpara për jetën e këtij njeriu. Por duke i parë dokumentet me hollësi, kam vërejtë se mizoria shtetërore ndaj tij është e pashembullt, siç është e pashembullt dhe virtuoze edhe rezistenca e tij ndaj atij regjimi monstruoz. Duhej që Havzi Nela të paraqitej si njeriu që kishte ushtruar terrorizëm, por kjo gjë u kthye në të kundërtën e vet: qe vetë regjimi që aplikoi terrorin në Kukës me varjen e Havzi Nelës, dhe nga banorët e atij qyteti ai veprim mizor i shtetit u pa vetëm si akt terrori shtetëror. Pse u zgjodh ai vend ku kryqëzoheshin katër rrugë dhe aty të realizohej ekzekutimi? Që efekti i ekzekutimit të ishte më i madh, që frika e terrori të mbërthenin banorët e atij qyteti të zhytur në skamje dhe të tejharruar nga indiferenca dhe pashpirtësia e shtetit. Në orën 11 të paradites litari që i mori jetën Havzi Nelës është prerë në sy të njerëzve dhe trupi i pajetë ka rënë në karrocerinë e makinës si të binte një trung i prerë, më pas makina e pambuluar ka lëvizur nëpër qytet, ndërsa në orën 01 të natës që po vinte, trupin e të panështruarit Nela nuk e kanë futë në varr, por në një gropë shtylle.
Havzi Nela e kishte sfiduar me kohë atë regjim. Edhe fjala e tij para se t’i merrej fryma, qe një fjalë autoritare, qe fjala e njeriut të mosbindjes civile që s’ish penduar aspak për rrugën që kish ndjekur dhe që binte ndesh kryekëput me atë të regjimit në fuqi, tekembramja qe fjala e një sfidanti:
“I keq kam qenë dhe ashtu po shkoj. Të këqijat e mia i mora me vete. Kërkoj që të afërmit e mi të trajtohen mirë, mos të merren nëpër këmbë. Kam nëntëqind e dhjetë lekë dhe kërkoj që këto t’u jepen të afërmve të mi (nanës)”. Së paku, dy pjesëtarë prej atij ekipi që ju e keni quajtur “ekipi vrasës i Havzi Nelës”, kohët e fundit janë rrëfyer për çeshtjen në fjalë. Si e shihni rrëfimin e tyre?
Reagimi i tyre qe cinik, i paskrupullt, që nuk besoj se ndodh kund në një vend tjetër të qytetëruar, por edhe një nxënës shkolle mund të ishte më i kujdesshëm në përgjigje.
Prandaj, kur mendon se kemi të bëjmë ende me njerëz të tillë me këtë mendësi primitive bolshevike, tashmë s’përbën çudi pse ndodhi vrasja e Havzi Nelës, çudi përbën po të mos ndodhte një vrasje e tillë.
Ju e patë se ekipi vrasës i Havzi Nelës s’është i pakët, pavarësisht se vepronte nën atë që quhej ombrellë e diktaturës së proletariatit. Ajo diktaturë nuk ra nga qielli dhe është natyrshme që çdo justifikim se e tillë qe koha, të tilla qenë rrethanat, vetëm sa e mbështjell çeshtjen me mistere të tjera, e lë fajin jetim dhe shenjohet ajo kohë në emër të përgjithshëm, si një kohë pa aktorë.
Problemin po e shoh në një kënd tjetër.
Meqenëse tash së fundi, dy pjesëtarë të atij ekipi vrasës u rrëfyen sipas mendjes së tyre (F. Abdiu, F. Laskaj), rrëfimi s’ka të bëjë me dëshirën e tyre për t’u rrëfyer, të shtyrë nga ndjesi e brendshme që do të përbënte njëfarësoj akt civilizimi, por për shkak të ngulmimit të vazhdueshëm të medias së shkruar. Ndërkaq, F. Abdiu është rrëfyer edhe më herët, më saktë, është përgjigjur kur i është përmendur se ka kryer një krim në vitin 1988. Dhe unë e shoh këtë krim, pikërisht edhe në kalimin e vetë ligjeve drastike të kohës. Po të tjerët, pjesëtarë të atij ekipi që nuk janë prononcuar deri më tani?
Është afërmendsh që të tjerët kanë zgjedhur vetëm heshtjen, si mjet të shpëtonin nga një krim i dikurshëm, dhe këtu mund të shtoj se edhe F. Abdiu me F. Laskën kështu do të vepronin nëse nuk do të lakohej emri i tyre disa herë në shtyp. E çuditshmja është se të gjitha këta, të rrëfyer apo të parrëfyer, nuk refuzuan pushtetin e pasndërrimit të regjimit, madje e kërkuan me ngulm atë, nuk e ulën kryet dhe të jepnin kontributin e tyre në detyra a punë të tjera që s’kishin të bënin me drejtësinë të cilën e deformuan deri në ekstrem me padrejtësinë e tyre.
Me një fjalë, këta njerëz që sulmuan lirinë me mjete ekstreme në kohë të ish-diktaturës komuniste, në postdiktaturë morën privilegjet e lirisë, e shijuan dhe po e shijojnë në mënyrë shembullore.
Të marrim vetëm dy prej tyre: F. Abdiun dhe F. Laskën. I pari ka qenë për shumë kohë deputet në Kuvendin e Shqipërisë të pas 90-s, kryetar i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa e dyta prej vitit 2003 dhe deri në korrik të 2008-s mbajti postin e drejtueses së Inspektoriatit të lartë të verifikimit dhe kontrollit të pasurive. Të tjerë, pjesëtarë të zellshëm të atij ekipi vrasës, janë shpërndarë qyshprej shumë vitesh po në organe të drejtësisë, dikush në Tiranë, Durrës, Vlorë Fier, apo rrethe të tjera, si dëshmi e cënimit të legjitimitetit të institucioneve të drejtësisë ku ata punojnë. Fakti është tronditës por i kthjellët: kanë marrë padrejtësisht jetën e një njeriu, dhe ç’është më e rëndësishmja, jetën e një njeriu që kish kërkuar vazhdimisht që Shqipëria të bëhej pjesë e Evropës, sepse duke qenë brenda saj ajo paradoksalisht ishte njëkohësisht tmerrësisht jashtë saj.
“Na premtojnë parajsën, kur digjemi në ferr”, kështu shënonte poeti martir Havzi Nela, si një rebelim ndaj atij sistemi të mbrapshtë, por dhe si të jepte dëshminë e një realiteti absurd. Dmth, tek ata nuk vihet re shenjë e pendesës?
Ndoshta, por vetëm formalisht. Pendesa është diçka krejt tjetër, është shumë serioze, është më tepër se një reflektim. Unë s’arrij ta kuptoj se si mund të notojë dhe të funksionojë ndërgjegja e tyre, sepse edhe kur japin përgjigje për atë që kanë kryer, flasin krejt përçart, sikur fajtor qe martiri Nela dhe jo ata vetë, ndëshkuesit, dhe asnjëherë nuk aviten tek thelbi i çeshtjes, por mundohen ta zhvendosin gjithnjë e në periferi. Nuk e di çfarë pendese mund të shprehin njerëz të tillë kur shprehen se “E dënuam për terror, jo si poet” (F. Abdiu), apo “Fatkeqësia e tij ishte se nuk e duroi atë sistem” (F. Laskaj).
Martiri Havzi Nela kishte kërkuar dhe sakrifikuar t’i ikte skllavërisë, kishte guxuar dhe triumfuar mbi atë botë të mbrapshtë, madje pat shënuar: Vdekja për liri nuk më tremb aspak,
Si e duron robninë zemra e nji trimi? - Diku jeni shprehur për vrasjen në fjalë “Vrasja entuziaste e Havzi Nelës”. Mund të jepni një shpjegim më të plotë për këtë?
Po, ajo qe një vrasje e kryer me plot entuziazëm nga banda shtetërore që tashmë dihet. 1. Ramiz Alia, me shpurën e Presidiumit të Kuvendit Popullor.
2. Treshja e e Kolegjit të Gjykatës së Lartë (Fehmi Abdiu, Fatmira Laskaj, Lili Robo) me kryesues F. Abdiun.
3. Miti Nito (në atë kohë, sekretari i parë i Komitetit të PPSH për rrethin e Kukësit), i cili ditën e ekzekutimit të Havzi Nelës kalonte triumfalisht me një tufë instruktorësh të Partisë, të rinisë dhe bashkimeve profesionalepranë vendit ku qe ndëshkuar krejt padrejtësisht.
4. Prokurori Nikollaq Helmi (asokohe prokuror i rrethit Kukës)
5. Gjyqtari Agim Hoxha (asokohe kryetar i Gjykatës Kukës)
6. Grupi hetimor: Vangjel Tanellari, Kastriot Muço, Aristidh Cane (hetuesi kryesor i çeshtjes)
7. Operativi Islam Guri.
Pa përfshirë këtu edhe dy nd/gjyqtarët popullorë në Kukës, të cilët vetëm sa ngritën dorën, pa e ditur mirë se ç’po luhej me aprovimin e tyre.
Le ta shohim pak rrjedhën e ngjarjeve:
Për rreth një javë në praninë e prokurorit N. Helmi mbyllet procesi hetimor, ndërsa prokurori me një avull stalinist plotësoi pretencën dhe në ditën e gjyqit e lexoi atë ku kërkonte dënimin me varje në litar të Havzi Nelës; gjyqtari A. Hoxha s’kishte si ta frenonte kërkesën që lëshonte pretenca e prokurorit, për faktin më të thjeshtë se vetë gjyqtari dy ditë më parë se të zhvillohej gjyqi ( 22 qershor) kishte paragjykuar çeshtjen dhe gjyqi (dt. 24 qershor) thuajse u zhvillua “Në emër të popullit” vetëm formalisht. Tashmë shtegu i mbytjes së Havzi Nelës qe i hapur. Kam përshtypjen se edhe treshja e Kolegjit Penal sikur e priste një gjah të tillë, t’ia përcillte më pas të njohurit me emër të keq A. Çela (Kryetar i Gjykatës së lartë), i cili pa hezitim e dërgoi për shqyrtim të fundit në Presidium të Kuvendit Popullor, që u formatua edhe me këtë rast si një Presidium vrasës. Në ç’kënd e shihni disidencën e martirit Nela?
Jo në anën klasike të disidencës, sepse mizoria e atij shteti nuk lejonte ushtrimin haptas të kundërshtisë, të mospajtimit apo të një organizimi që kishte të bënte me atë që mund të quhej dhe të veprohej kundër. Por ai gjeti format e veta të ishte gjithnjë kundër me mjetet e veta, me atë mënyrë siç e kanë vetëm të patjetërsueshmit. Në Parlamentin e Shqipërisë ka ende nga ata ish-profesorë marksistë, të cilët, në kohën kur Havzi Nela i këndonte Frymës së Helsinkit, këta mbushnin faqet e “Zërit të Popullit” me artikuj dhe shënime kundër Konferencës së Helsinkit.
Mendoj se disidenca tek i panënshtrueshmi Havzi Nela është e prekshme, është mëvetësia e njeriut që kërkonte vazhdimisht liri dhe luftonte për të. Që nga thellësitë e ferrit ku e kishin ndry, ai dërgonte mesazhin e paqes e të virtytit njerëzor: “Shpejt gjithçka ka me marrë fund. Ne do mbyllim shumë gjana dhe do sillemi si njerëz, se përndryshe nuk e merr kurrë vetin Shqipnija. A lahet gjaku me gjak? Nuk lahet se bahet nji pellg tjetër gjaku që s’e lan e s’mundet me e la kurrën e kurrës të parin”.
Nga:Petrit Palushi
Burimi nga eshte shkeputur materiali:www.forumistet.com
No comments:
Post a Comment