Një film për masakrën e Lumës më 1912...Se shpejti...Me regjizorin e mirenjohur Ylli Pepo, dhe skenar te shkrimtares se re Kuksiane Helena Halilaj !
Ishte dimri i vitit 1912. Serbët kishin ardhur të pushtonin trojet shqiptare. Ato ditë, në krahinën e Lumës, që përfshinte pjesë të Kukësit, të Prizrenit deri në Dibër, binte një shi i rrëmbyeshëm. Lufta ishte e ashpër. Mbi 12 mijë serbë mbetën të vrarë. Këtu fillon edhe subjekti i filmit që do të ekranizojë historia 100-vjeçare e Lumës, e cila tregohet nga femrat e katër brezave. Luftëra, tmerre, dasma, vdekje, histori, traditë, të gjitha në një film. Pritet që të interpretojnë aktorë si Tinka Kurti, Margarita Xhepra, Elvira Diamanti, por akoma nuk është e sigurt, sepse xhirimet akoma nuk kanë filluar. Me regji të Ylli Pepos, dhe skenar të shkrimtares së re, Helena Halilaj, filmi do të rrëfejë jetën e krahinës së Lumës, gjatë betejës së bërë aty dhe pas masakrës së serbëve në popullsinë e asaj zone. Një ndër faktet më interesante është se një nga ushtarët serbë të shpëtuar nga ajo betejë ka çuar në Serbi dhe, nga Luma e Kuqe. Në Muzeun Historik të Beogradit që nga ajo ditë e deri më sot, ruhet pak dhe i përgjakur, i marrë në Lumë.
Ju do të jeni skenaristja e një filmi me regji të Ylli Pepos. Kush është Helena Halilaj?
Jam studente në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në degën Fizikë. E kam pasur pasion letërsinë që në moshë të vogël. Kam filluar të shkruaj poezi që në fillore, kohë kur isha në Kukës. Gjatë atyre viteve, brenda vetes akumulova dëshirën për të shkruar prozë. Tek proza gjej veten më shumë, ndërsa poezinë e dua se është e bukur. Për sa i përket prozës, ajo është më e përgjithshme, si në aspektin e të kuptuarit, por edhe në anët e tjera. Kur isha vetëm 13 vjeçe kam shkruar novelën time të parë. Doja të botoja që atëherë, por prindërit më thanë që të prisja edhe pak kohë, që të isha më e përgatitur. Isha ambicioze dhe doja ta botoja që kur jetoja në Kukës.
Cili ishte titulli i novelës që shkrove dhe botove?
Ishte "Një histori 100-vjeçare". Meqë kur e fillova isha fëmijë, e mbajta në formën e një ditari të gjatë. Kam qenë një fëmijë i ndjeshëm, një ndjeshmëri e lindur. Më vonë, më ngjalli akoma më shumë interes dhe e shtjellova më tej. Në këtë novelë, nuk e kam prekur shumë planin historik, sepse nuk mund të dilja jashtë njohurive të mia, dhe jam fokusuar më shumë në anën sociale. Ndërsa, në filmin që do të realizojmë tani me regjisorin Ylli Pepo, janë futur edhe aspekte historike, ku të dhënat janë marrë nga historianë që janë marrë me historinë e kësaj zone.
Ju jeni studente dhe një shkrimtare e re në moshë dhe në të shkruar. Si u takuat me Pepon dhe si lindi ideja e realizimit të këtij filmi?
Kur isha në vitin e parë në fakultet, botova librin tim të parë me novela, që përmenda pak më lart. Më pas botova një libër me poezi dhe këto ditë do të botoj edhe dy libra, një me poezi dhe një në prozë. Filmi bazohet mbi librin e parë, dhe një pjesë e tij mbi librin në prozë që do të botoj tani. Kur unë promovova librin tim të parë, disa regjisorë kosovarë më propozuan të bashkëpunoja me ta që të bënim një film. Më pas, dikush i kishte folur regjisorit Pepo për librin tim, i cili më kontaktoi dhe unë pranova të isha skenaristja e filmit. Zgjodha si regjisor për të bashkëpunuar me të Pepon, sepse në radhë të parë është një njeri i mirë. Regjisorë ka shumë, por për mua, ai është regjisori më i mirë njeri, dhe më pas edhe si regjisor. Me ndihmën e një profesoreshës sime, Vjollca Lubonja e cila insistonte që ta takoja, unë takova Ylli Pepon dhe i dhashë libri që ta lexonte. Pas tre ditësh, ai e kishte lexuar librin tim dhe erdhi të më përgëzojë dhe këmbënguli që të bënim filmin. Aty do të preket ana etnografike, sociale, historike dhe do ketë edhe një histori dashurie.
Ç'mund të na thoni diçka më shumë mbi subjektin e filmit?
Është një histori që fillon në vitin 1912, me Luftën e Lumës, dhe vjen deri në ditët e sotme. Në atë luftë në Lumë vdiqën mbi 12 mijë ushtarë serbë. Nga kjo ka dalë edhe një këngë me vargjet "Lumë e kuqe po nxjerr flakë". Në Muzeun Historik të Beogradit, që nga ajo ditë e deri më sot, ruhet pak dhe i përgjakur i marrë në Lumë, nga ushtarët serbë. Kjo është marrë vesh rastësisht, në fakt. Një pjesë e luftës u zhvillua në Shejë, në fshatin Bicaj të Kukësit. Në librin tim, historia fillon në fshatin Pobreg, pikërisht në pranverë të vitit 1913, kohë kur ndodhi edhe masakra e Lumës. Serbët dhanë urdhër që të vriteshin të gjithë lumjanët. Burrat i kishin vrarë, ndërsa në një shesh kishin mbledhur gratë dhe fëmijët për t'i ekzekutuar. Në atë moment, ndërhyn një nga personazhet kryesore, një grua e cila i kërkon komandantit serb ta vriste atë përpara fëmijës së saj, sepse nuk do ta duronte dot gjakun e një fëmije të pafajshëm. Në atë moment, bie një rrufe në ato male. Komandanti serb i thotë: "Merre fëmijën dhe 20 familjarë të tutë dhe ik. Jeni të falur". Gratë ikin dhe kthehen në gjini (familje). Në film janë të ndërthurur momente të vështira dhe të bukura. Ka vdekje dhe dasma. Historia tregohet nga femrat e katër brezave. Gruaja që i lut komandantit, vajza e saj, mbesa e saj dhe stërmbesa e saj, që vjen deri në ditët tona. Ky film, edhe pse fokusohet tek një familje, jep jetën e disa familjeve të asaj kohe. Por, nuk është vetëm ajo grua që i shpëtoi të afërmit e saj, janë dhe të tjerat, sepse ato u martuan sërish dhe nga këta u ripopullua ai vend. Unë në librin e parë e kisha shkruar novelën time, ku kisha pasqyruar këtë ngjarje. Më vonë, më kanë takuar disa banorë të asaj zone të cilët më kanë treguar edhe elementë të rinj, të cilët unë i kam i kam shkruar në librin që do të botohet tani. Kam takuar fëmijët e disa prej atyre që kanë shpëtuar të gjallë nga ajo luftë, dhe kanë qenë ata që më kanë dhënë elementë interesantë mbi luftën dhe ngjarjet e zhvilluara, jo vetëm të aspektit luftarak, por edhe disa histori ndjenjash që do të pasqyrohen në film. Unë me këtë dua të evidentoj historinë dhe vlerat e Lumës, si ato historike, etnografike, marrëdhëniet shoqërore. Unë them se historia e luftës së Lumës duhet parë më me kujdes. Nuk ndodh gjithmonë që në një vend aq të vogël sa ishte Luma, të vriteshin aq shumë pushtues nga aq pak luftëtarë shqiptarë që kishte, në raport me ata serbë. Atë ditë kishte rënë një shi që nuk e mbante mend kush në ato anë dhe lumi i Shenjas ishte në kuotën.
Çfarë keni mësuar ju nga të moshuarit për këtë luftë të ashpër ku shqiptarët dolën fitimtarë?
Luma ka qenë një krahinë e madhe, që kishte një shtrirje nga kufijtë e Dibrës në Prizren dhe pjesa më madhe e Kukësit. Sot ajo që quhet Lumë, është një komunë me disa fshatra, ndërsa më përpara ishte e madhe. Në kohën kur bëhej lufta, binte një shi rrebesh, e në një farë mënyre ishte në favorin e luftëtarëve shqiptarë. Është një këngë që flet për luftën e përgjakshme të zhvilluar atje. Ajo që ishte në favor të lumjanëve qe edhe njohja e terrenit. Duke e njohur terrenin, përdorën një taktikë të favorshme, duke i mundur kështu serbët pushtues.
A kanë lindur gojëdhëna mbi këtë luftë, gojëdhëna për të cilat ju jeni në dijeni?
Po, ka gojëdhëna, por në momentin që thua gojëdhëna, nuk dihet se sa janë të vërteta. Njëra prej tyre ka të bëjë me dy serbë. Kanë qenë dy ushtarë, të cilët i shpëtuan luftës. Duke e parë që e kishin të pamundur të iknin, kanë shkuar në shtëpinë e një prej fshatarëve të zonës dhe i kanë thënë: 'Ne jemi në dorën tënde, ose na vrit ose na lër të gjallë'. Ai i ka marrë brenda në shtëpi dhe nuk ka lënë njeri t'iu afrohet, sepse ishin në besën e tij. Më pas i ka përcjellë deri në kufi, dhe ata kanë ikur në Serbi. Mendohet se njeri prej këtyre ishte ushtari që çoi në Serbi, dheun e Lumës. Kur i ka nxjerrë nga territori shqiptar, lumjani iu ka thënë: "Çojini selam dushmanit se nuk duhet të kthehesh më në konakun e Lumës". Historia e Lumës nuk është përfshirë në histori. Edhe filmi është një thirrje që të kihet parasysh Lufta e Lumës, sepse ka qenë e përgjakshme dhe janë vrarë shumë pushtues nga një popullsi e vogël në numër, siç ishte ajo e Lumës.
Për sa i përket filmit, cilat janë disa nga hollësitë që mund të na jepni?
Veshjet e personazheve kryesore dhe episodike do të jenë të gjitha veshje të zonës së Lumës. Në film do të ketë dy dasma, një dasmë djali dhe një dasmë vajze, që do të realizohen sipas dasmave të atyre viteve të ngjarjes. Do të ketë veshje të secilit fshat që ka marrë pjesë në atë betejë, dhe sigurisht që janë dasmorët, sepse kuptohet se në një dasmë vijnë të afërm nga krahina të ndryshme, dhe secila prej krahinave ka etnografinë, kulturën, zakonet, veshjen e saj. Një pjesë e filmit do të xhirohet në Prizren, sepse duke qenë se historia e filmit tregohet përmes jetës së femrave të katër brezave, ngjarjet të çojnë edhe në Prizren. Është një detaj ku një nga personazhet shkon në një spital në Prizren për t'u shëruar. Brezi i katërt është rrëfimtarja, rrëfimi i syve të saj. Në fakt, janë shumë sy që rrëfejnë. Ky do të jetë një film që paraqet shumë vlera. Unë kam kërkuar, kam dashur të kap një pjesë të historisë për të rrëfyer vlerat.
Shkeputur:trimat e kuksit (facebook)
No comments:
Post a Comment