- HAPESIRE KULTURORE DHE ARTISTIKE !
- ANEKDOTA POPULLORE
DHE
SATIRA AUTORIALE
UNË KUJTOVA SE PO THUE: “A E PA SHPINONJËN?”
Njëri e merr të birin dhe e qon në mal për t’i parë shtazët e egra se si po jetojnë. Këqyrin e këqyrin dhe dikur e panë një shqiponjë qysh e kish zënë një lepur dhe ishte duke e ngrënë. Pakë më larg e panë edhe një dhelpër që ishte bërë pupërr dhe shikonte. Kur fluturoi shqiponja, dhelpra u afrua te mbeturina e lepurit dhe filloi e po i merr erë e po ja lëpinë gjakun...
Kur i shikuan mirë, plaku e muarr të birin dhe u nis për shtëpi. Duke ecur rrugës, priste çfarë po i thoshte i biri. Masë një copë rrugëtim, djali po i thotë:
-Babë, a e pa dhelpën si e l’pike gjakun?
Babës nuk i erdhi hiq mirë dhe ja ktheu me hidhërim:
-Eu, bre bir, eu! Unë kujtova si po thue: “A e pa shpinonjën si e preu leprin” e jo “dhelpën si e l’pike gjakun”. Se unë kam qef t’bahash si shpionjë...
QOU NJERI E HA PËRSHESHIN
Ishte zgjuar një i Berishës në mëngjes i mrrolët dhe nis e po pinte duhan. E shoqja ja bëri kafjallin gati, bukë të misrit të ftohtë, e po i thotë:
-Avytu njeri e ha kaftjall e t’shkojmë n’punë!
Ky edhe kur e pa përsheshin me bukë misri, po i thotë:
-Grue, largoma pash zotin qatë përshesh se telashet që i kam unë unë, n’men për bukë s’po m’bjen.
-E pse njeri, çfarë telashesh ke ti? - e pyeti gruaja.
-Qysh bre çfarë telashesh kam: A e di ti që na kanë dek t’part e fisit e m’ka metë fisi n’krye?
Gruaja u kthye e po i thotë:
-Çou njeri e ha përsheshin e dil n’punë, se n’koftë metë fisi n’ty, paskemi marue për shtatqin vjet!
NJA, VLLA, EDHE ATA SAKAT
Njëri po e pyet një të Gjakovës:
-Sa djem i kie bre jaran?
-Nja, valla, edhe ata sakat.
-Po shka t’mirën ka?
-Kurgja, e pinë duhanin, njanën dore gjithmonë e ka nxanë.
QËLLOFSH TI E JO BABA
Po e pyet djali babën:
-Babë, me u rrah dy te mençur a duhet me ndërhy?
Baba po i thotë:
-Jo djali i jem nuk ke nevojë se të mençurit nuk rrahën.
-Po me u rrah një i mençur e një budalla atëherë a duhet me ndërhy?
-Jo - i tha prapë baba, se i mençuri gjen një shteg dhe lëshon rrugë.
-Po me u rrah dy budalla?...
-E aty djali jem qëllofsh ti e jo baba.
NJERIU I KEQ NUK I BAN DAM SALL VETES
Kishte qenë zakon në një vend, kur dikush bënte ndonjë punë të keqe, nuk e qortonte kush, po thoshin : “Gjithsecili berr virret n’kambë t’veta”.
Një ditë prej ditësh, njërit i mbushet kupa me ato fjalë dhe shkon e ta blenë një dash. E merr dashin, e pret, e rrjep dhe e varë në një lis. Pas disa ditësh filloi mishi i dashit të prishet (qelbet) dhe të kundërmoj aq shumë sa që e “qelbi” gjithë qendrën e atij vendi. Njerëzit u mërzitën dhe u mblodhën e shkuan e po i thonë:
Hiqe aq dash prej këtuhit se na more n’qafë prej erës s’keqe.
Ai u përgjigj:
- Shka po ju banë dashi? Ai asht i varun n’kambë t’veta? Ju vet po thoni: “Gjithsecili berr varet n’kambë t’veta”. A po e kqyrni pra që ky dash, edhe pse i varun n’kambë t’veta, po e qelb krejt qarshin. Ashtu si ky, edhe njeri i keq nuk i ban dam sall vetit, po krejt miletit.
KALI I KA KATËR COPË EDHE HA DAJAK PËR DITË
Një familje kishte ndërtuar një shtëpi të re, dhe, si ishte zakon, dëshironin ta varnin dhe një patkua kali mbi derë, si simbol që sjell fat dhe mbarësi. Por, para se me e vendos patkoin, menduan se është mirë me shkua me e pyet edhe Hoxhën e fshatit, si njeri i respektuar dhe me e marr edhe mendimin e tij.
Shkuan në Xhami tek hoxha dhe po i tregojnë për dëshirën e tyre.
-Çfarë more?! Doni me varë patkoin e kalit mbi derë t'shpisë a?
E pse? -i pyeti hoxha.
-Po thonë se o sevap o hoxhë. T ‘hecin punët mirë e marë kur e var ni patku mbi derë.
-Sa budall që jeni! -po u thotë hoxha, -po kali i ka katër copë si ato edhe ha dajak për ditë, e ju po doni me ju hecun puna mirë e mbarë me nja.
FAJIN E KA BABA QË SE KA ZGJEDH NANËN
Një plak, dikur, bartte ujë më kënata. Sapo arrinte në breg... një fëmijë shkonte dhe ia zbrazte kënatat... Plaku i urtë e i mirë nuk i bënte asgjë. Shkonte prapë që t’i mbushte me ujë.. 1 herë, 2 herë, 3 herë... Të katërtën herë Plaku e pyeti fëmijën:
-I kujt je bre djalë i mirë...
-I filan fistekut... përgjigjet fëmija!
-A e din çfarë babë të mirë ke e ti po bën këso sherresh?
-Nuk kam faj unë axhë, fajin e ka baba që se ka zgjedh nënën...
S’PATA QARE PA RREH MAGJUPIN SE MA PAT RREH ASLLANIN
Kishte qëlluar Ramadan Shabani në një odë të burrave, por aty kishte qenë edhe vëllai i tij, Asllani.
Dhe Asllani (vëllai i Ramadanit), jo bash i mençur, kishte pas folur shumë.
Veç fliste se si i kishte rrahur njerëzit, duke u paraqitur kështu trim i madh.
Dikur i thonë burrat Ramadanit:
-O Ramadan Shabani, e paske vllaun trim t’madh! Paska rreh shumë njerëz! Po ti Ramadan a ki rreh naj njeri?
-Ramadani po u thotë:
-Po, unë e kam rreh ni herë ni magjup.
-Qysh Ramadan me rreh magjupin... ti burr pleqnar?
-Ehhh more burra! S’pata qare pa rreh se ai magjupi ma pat rreh qet Asllanin, tha Ramadan
Shabani.
Asllani uli kokën e nuk ju dëgjua zëri ma.
UJKU VEÇ MERR E S'LE KURGJA
Kur i kish pas ra njërit ujku në torishtë, bërtitke:
-Ujku more heeejjj!...
-Oooouuuu, çka u ba, more?
-Më ka ra ujku o heeejjj.
-A la, a muer gja?
-Po, a je në mend heejjjj? Ujku veç merr e s'len kurrë kurrgja.
PO DËGJOI ÇKA NUK KAM DËGJUAR, DHE PO SHOH ÇKA NUK KAM PARË
“Një plak ishte ulur buzë rrugës dhe po shikonte kalimtarët e rastit që po kalonin aty pari. Dy mëzo burra, tek po kalonin aty pari e përshëndesin plakun dhe po ulën pak pranë tij. E ndezën nga një duhan dhe njëri nga ta po e pyet plakun:
-Mixhë, a je lodhur, a si po ia kalon?
Plaku i mbetur vetëm po i shikon e nuk po iu përgjigjet fare!
Tjetri, po i thotë, shokut të vet:
-Po ti lëre he burrë, a nuk e sheh se e paskan lënë veshtë.
Ai, prapë po i thotë:
-Mixhë, a po dëgjon, a po sheh?...
-Po, mor bijtë e mi - ua ktheu plaku:
-Po dëgjoi çka nuk kam dëgjuar, dhe po shoh çka nuk kam parë, kurrë më parë në jetën time!
KOT KËRKON NATËN ATY KU NUK MUND TË GJEJ UNË AS DITËN
Shkrimtari i madh Francës Honore de Balzak, siç e dimë, tërë jetën ishte ballafaquar me probleme financiare dhe kurrë i shkreti nuk kishte pasur para.
Një mbrëmje, derisa Balzaku po flinte, kupton se në banesë i kishte hy një hajdut dhe po kontrollonte nëpër dollap. Duke mos mundur të përmbahet, Balzaku fillon të qesh me të madhe. Hajduti i habitur nga kjo skenë por edhe pak i frikësuar, ashtu spontanisht po e pyet:
-Çka këtu për të qeshur?
Balzaku, duke qeshur vazhdimisht shumë këndshëm, po i thotë:
-Qesharake është, se aty ku je ti duke kërkuar para natën, unë nuk kam mundur t’i gjejë as në pikë të ditës! - dhe vazhdon të qeshet edhe më tej.
SHKA ASHT HALLALL?
Njëri po e pyet hoxhën:
-Hoxhë, shka asht hallall?
-Çdo gja qi fitohet me njerës, asht hallall.
-Eh, hajër bafsh qi m’kallxove, bre hoxhë, se pramë e kemi vjedhë me bacin ni bletë e jemi kanë ba ujë pi njersve. Masi tek jemi njersë, hallall e paskemi, -tha edhe shkoi n’punë t’vet.
DJATHI I NJELMËT
Një fshatari një natë ia vodhën djathin. Të nesërmen ai shkoi te kroi e po ruante. Atypari kalojnë do burra e po e pyesin:
Çka po ruen k’tu, o mik?
Ma ka vjedhë dikush djathin e po e reuj.
Shko, more mik, e bjeri mas nëpër katun e kshyr kush ta ka vjedhë e mos prit kot k’tu!
Jo, jo, s’ashtë nevoja. Po e pres qitu, se i kam qitë shumë kryp djathit e qitash vjen me pi ujë tu kroni ai qi e ka vjedhë.
MA MIRË TË M’HANË DREQNIT E MI
Një fshatar shiti tokë e shtëpi në Arllat e shkoi e zuri vend në katundit Lloznicë. Qëndroi nja dy vite e nuk mundi të bëhet rehat as aty. E shiti edhe aty tokën e shtëpinë e u kthye prapë në Arllat. Një plakë po e pyet:
-Pse e pate lshue Arllatin e dole n’Lloznicë?
-Pse m’u paten lye me m’hangër pesqin dreqën.
-Po pse s’nejte n’Lloznicë e erdhe prap n’Arllat?
-Se atje i gjeta nimij dreqën e thashë: “Ma mirë le të m’hanë pesqin dreqnit e mi”, edhe u ktheva prap n’Arllat.
PSE S’PO M’VETNI PËR RRAFSH?
Një plak i urtë ishte pas nisur për rrugë. Rrugës po takohet me disa udhëtar të tjerë dhe gjatë bisedës këta po e pyesin:
-O mixhok, a kie ma qef me hecë përpjetëz a teposhtës?
Plaku po e quar kokën po iu përgjigjet:
-Lanet i koftë njanës edhe qetrës! Po pse s’po m’vetni për rrafsh?
Ma lanë besa!
-Allahile burro, pse ia le vetit këtë emër e po i nguc njerëzit bajagi si keq?
Ngucakeqi: Së pari emrin ma lanë të tjerët e nuk ja lashë vetit; së dyti, unë i nguci mirë njerëzit e jo keq, por ata nuk po kuptojnë se miku që ta kujton të keqen, ta kujton që të mos e përsëritish më. Mirëpo, njeriut tanë po t'i thuash se këtë punë e ke keq, ai menjëherë ta kthen: ik ore ngucakeq!…
Si të premtoi koha me i numërue?
Në një ndejë dimri tek po bisedonin disa veta, befas u dëgjuan të lehura të ashpra qenësh? Pasi pushuan së lehuri qenët, priti e foli njëri: -Burra, para dy ditësh, herët në mëngjes sa nuk më kanë bërë copë e grimë tre qenë!
Priti e foli njëfar Delia nga Gjilani: -He, ty tre, po mua që besa para një jave desh më shkyen nja 25 qenë!
-Nuk po habitem se si paske shpëtuar, -ja priti tjetri, –sa po habitem se si paske mundur t’i numërosh aq sakt në gjithë atë rrëmujë...
Ku e ka birën?
Dy shokë e bëjnë plan t’ia vjedhin njërit një bletë. Shkojnë në një natë të errët deri sa binte një shi i imët dhe afrohen te shtëpia. Njëri bën roje te dera, kurse tjetri shkon që të sheh nëse ka fjetur i zoti i shtëpisë? Ky, deri sa qëndronte afër dritares dëgjon të zotin e shtëpisë tek vente për një çështje bast me të shoqen. Ai që do ta humiste bastin, do ta mirrte tjetrin në shpinë nga oda gjer tek dhoma e fjetjes. Gruaja e të zotit të shtëpisë e fitoi bastin, e vuri një mbulesë të bardhë mbi kokë që mos ta lagë shiu e fiku dritën, i hipi të shoqit në shpinë dhe dualën në oborr për të shkuar në dhomë të fjetjes. Shoku që bënte roje tek dera e oborrit, kur e pa se diçka bardh po lëviz në oborr, mendoi se shoku i tij po vije me bletë në shpinë të mbështjellur në mbulesë të bardhë dhe vrapon që ta ndihmojë. Kur i ofrohet në errësirë nga mbrapa, ja futë duart dhe e pyet se ku e ka birën, duke menduar për birën e kosheres së bletëve. Në atë moment gruaja pisket nga frika, kurse i shoqi i hutuar nga pyetja që e dëgjoi, ia kthen: -Po të kujë bir lyp ti he n.... dhe nxjerr koburën. Ky nga frika merr ikën, shpërthen avlinë e drejt e n’kanalizim (gjiriz).
Nuk është takuar kurrë me ariun
Një bari kishte shumë dele dhe për çdo vit i qitte në bjeshkë. Me vete e mirrte edhe qenin, të cilin e lavdëronte shumë si të shtirë.
Një ditë qeni kishte marrë vrapin dhe ulërinte nga frika. Sa nuk ju fut bariut nën gunë!
- Çka ka i gjori?,- po e pyet bariu tjetër.
-Nuk e di besa!
Tek po e shohin një ari në përrua... -Aaaa, që besa nuk paska faj, nuk është takuar
kurrë më parë në ari, prandaj...
Eh, sikur t’i kishte patur katra!...
Shkon njëri mysafir te një mik i veti. Pas pak kohe shtrohet buka, dhe për darkë rastësisht paskësh qëlluar pulë. I zoti i shtëpisë ja ndau një këmbë të pulës mysafirit dhe nga një pjesë mëshkujve të vet. Mysafiri e përlau. I zoti i shtëpisë ja dha edhe pjesën e vet - këmbën tjetër të pulës mysafirit. Mysafiri e përlau edhe atë dhe po shikon a ka më. I zoti i shtëpisë po i thotë: -lum miku pula veç dy këmbë i ka, e ti të dyja i hëngre...
-Eh, sikur t’i kishte katra, –ja priti mysafiri.
S’ka gajle djalo
Një djalë i ri me flokë të gjata, syza të errta mbi sy, dy-tre zingjirë në qafë e përplot sylejbena tjera, u fut në autobus me një krekosje si të gjelit. Ai duke ecur ashtu rëndë e rëndë e shkeli me takën e këpucës në këmbë një plak. –Oh, bëri plaku i gjor.
Djaloshi, sikur ndjeu keqardhje dhe i tha: -Më falë axho! Plaku sikur deshi që ta shfajësoj djaloshin ia ktheu: -S’ka gajle djalo. Jam mësuar me më shkelë gjaja!....
Do të vi tek ti....
U takuan dy të njofshëm, të cilët edhe nuk duheshin aq shumë: -Eh, sa mirë që u takuam, po i thot Ramushi shokut të vet. E kam ndërmend që të vie te ti e të rri nja një javë, e di që je mikpritës dhe besoj se çehreja nuk të luan për këtë.
-Besa çehreja nuk më luan mor shoq, veç zemra ka me më kop për një javë sa do të rrish ti, -ia ktheu shoku!
Ende s’ma ka ba punën me vra!
Një ditë tregu një djalë i ri, se çka ishte ngatërruar me një milic të Serbisë, dhe milici ia kishte zdritur shapulla e ky shoqi vetëm po e shikonte milicin e nuk po rezistonte. Një shok i tij kaloi aty pari dhe duke e ditur se Naimi e kishte koburën në brez po i thotë: Naim, nxire atë virane, se të sosi shapulla!
- Jo, jo, ende nuk ma ka bërë punën me vra, – ia ktheu Naimi!
Pse nuk po martohesh?
Dy shokë të studimeve, të cilët nuk ishin parë mbi dhjetë vite, u takuan dhe po bisedojnë. Njëri e pyeti tjetrin për gura e fëmijë. Jo, -tha ai, ende nuk jam martuar!
-Pse?, -po e pyet ky tjetri me habi.
-Po shiko, -ia ktheu ai, unë kërkoi për grua një vajzë të virgjër, të urtë, simpatike, me fakultet të kryer, të ketë makinë, të ketë shtëpi, pasuri, të jetë e vetme në familje... ja pra për këtë nuk jam martuar, sepse pres një fat të tillë!...
-Qe besa me e gjet një vajzë të tillë edhe unë e kisha marrë, ani pse i kam katër fëmijë mor shoq, -ia ktheu shoku.
Allahile nuk është dro!
Një djali të ri që e kishte veten bukur në qef, një ditë i ndodhi të gjendej afër, kur një milic serb e rrahte një qytetar shqiptar, kot e kot!
Ky i revoltuar u kthye në shtëpi dhe po i thotë babait të vet: -Allahile babë, çka më thua ti me ba puna vaki e me i ra unë ndonjë milici të Serbisë?
-Allahile more bir, nuk ashtë dro që ti i bjen kuj, se ata që i bijnë milicit nuk e vesin as babën as nanën!...
Sali Bajrami
Salih Bajrami shahir i madh. Tek po shkonte në një dasëm afër një balte rrëzohet nga kali dhe zhytet. Mirëpo, kishte dasëm dhe ai duhej kënduar aty, prandaj vazhdoi rrugën ashtu. Tek po shkonte rrugës, po e vëren një grua që po lante rroba te bunari dhe po i thotë kalit, -kadal babo se po e gjuan babën matan gardhit e po ja zhytë prapë tirqit....
I shoqi i asaj gruas kishte qenë ulur pas gardhit, u ngrit në këmbë dhe po i thotë Salihit: -Qe besa nëse të gjuan këtej gardhit, t’i ke zhytur edhe të linat...
Me dasht e shkyej
Rexhë Ilazi, këngëtar dhe hokatar, këndonte për dasma këngë trimërie si për Azem Bejtën, Qorr Ilazin, Bec Sinanin, por në mbyllje e këndonte edhe këngën “Marshall Tita n’kali të bardhë”, në mënyrë që ta kishte si mbulesë nëse ndonjë hafi e denonconte te hyqymeti i serbisë.
Një ditë e thërrasin në stacion të milicisë, dhe i thonë: -Rexhë, ti po i këndon do këngë jo të mira. Për këtë duhet me pague tatim (porez). Ky edhe u habit: -Si more me pague porez, për gojën teme? Po me dasht ja fus gishtat dhe e shkyej!
Njeri nga inspektorët e humbi durimin dhe i tha: -Rexhë, t’i po ha mut e po këndon për dasma këngë për Azem Bejtën, Qorr Ilazin, Bec Sinanin etj., pra këngë kundër Serbisë.
-Kadal, -tha Rexha, në çdo fund dasme e ha edhe nga një mut t’madh duke e kënduar këngën e Marshall Titës -këtë po e harroni z. inspektor, deshi të arsyetohej Rexha, por krisi dajaku....
Ti nuk ke as një ditë shkollë!
Një arsimtar, qejfli i rakisë, ishte dehur një ditë dhe e kishte prishur rendin. I zoti lokalit lajmëron milicinë. Me të arritur milicët dhe një i sigurimit, arsimtari (Ganiu) e zbutë hesapin. Duke u munduar të paraqitet esull, po i thotë inspektorit të policisë:
- Pasha besën diku ne të dy kemi qenë në shkollë bashkë?!
- Ec mor gomar, se nuk paske as t’i pikë shkolle m’sa unë, - ia kthen inspektori.
Jo, jo, po shkoi vet!
Dikur moti, të fliste vajza për fejesë, ishte turp. Një prind i kishte patur dy vajza dhe pas zakonit e fejoj të madhen. Erdhi dita e marteses, u mblodhën dasmorët dhe kur erdhi koha që nusën ta fusin në qerre, nusja, u lidh me duar pas direkut të shtëpisë dhe po qante e nuk futej dot në qerre. Po e sheh i ati, dhe po thotë: -Lëreni se po e çojmë nuse këtë tjetrën!
-Jo, jo, po shkoi vet, -ia priti ajo, -po u mërzita pak!
Ku po shkon axho?
Një plak ndalon një taksi: Për ku?, - e pyeti taksisti.
-Për Skënderaj, -u përgjigj plaku.
-Mirë, por ta kesh para sysh axho, nëse na ndalon milicia serbe, ti mos thuaj se po shkon në Skënderaj, por në Serbicë se të rrahin, -i tha taksisti.
Plaku kishte qenë paksa i “sert” dhe ia kthej taksistit: -Jo, djalo, unë po shkoj në Skënderaj dhe pikë!
Aty nga mesi i rrugës e ndalojnë milicia serbe dhe e pyesin plakun për ku po udhëtonte. Plaku duke e ndier se mund të prishet muhabeti, u ngatërrua dhe tha: -Unë po shkoj në Skënderbicë!...
Ditët kanë qëlluar shpesh!
Një nikoqire paksa dembele, por edhe me gjendje të rëndë ekonomike. Sa herë që ktheheshin të bijtë e saj nga puna dhe kërkonin darkën, ua shtronte para me ç’kishte. Njëri prej djemëve pa u ngritë ende prej sofre po pyet: -Nënë, çka do të na përgadisësh nesër për drekë?
-Qe besa mor bir kanë qëlluar qito ditë si shpesh e nuk po di nana çka me iu çitë!
Si ta këndojmë
Vjen një Sylë Luboveci tek Imer Beqa dhe i thotë se të kam pru një fjalë nuseje për djalë. Kërset defi e daireja, dreka e kafeja e bëhet për hajr nusja.
Vajzat që e këndonin nusen po e pyesin shkuesin se si e ka emrin nusja. -Ky edhe i zënë ngusht thotë: -këndoni sonte oj Lulije e pastaj do t’iu tregojë.
Pas pak ditësh Imeri mbledh farefisin dhe ja mësyen “mikut të ri”, mirëpo “miku i ri” nuk
kishte vajzë fare.
Imer Beqa, rrugës, në të kthyer në shtëpi po këndonte:
Oj Lulije me limana,
A po e sheh se m’u kajt nana!
Laj duart or mik!
Kohë dimri, borë e madhe, dhe në këto rrethana mysafirët në fshat janë të mirëseardhur. Njërit i shkoi një mysafir, të cilin nuk ia dashti zemra pasi që mysafiri njihej si njeri i pamoralshëm. Erdhi koha e darkës. Një nuse futet në odë dhe i ofron legenin për t’i larë duart mysafiri. Ky edhe po e vonon duke u munduar që ta ngacmonte nusën. Mirëpo, ajo nuk ja varte. Në këtë mes i zoti i shtëpisë po i thotë: Laj duart lum miku, se nusja është krejt budallicë e nuk është kah të merr vesh!...
O Haxhi!
E shoqja Shaqës, plakë e lodhur nga fuqia, kishte dalur dhe po e thërriste të birin për t’i lëshuar bagëtinë. I biri duke luajtur me top as që e dëgjonte fare. Dikur ajo u lodh dhe po i thotë të birit: -O Haxhi, o qe besa veç sa të vjen baba yt se ta ka... nanën! Një bashkmoshatare e saj, po e dëgjon dhe po i thotë Haxhisë: luj lokjo, luaj, se as kjo e as baba yt ma nuk kanë mbetur për ato punë...
Sa për mua vraj sa t’mundesh!
Një Veseli e kishte patur një djalë pak si të teleisur, me mustaqe, kobure e salltanete tjera. Ai sa herë që kthehej nga Mitrovica i thonte të atit: -Qe besa po më dhimbsen robt e ti, se për ditë nga një shka e kisha vra! Këtë avaz gati për ditë ia përsëriste të atit. Një ditë babai i tij u lodh, dhe po i thotë: -Pash besën sa për mue dhe për robët e mi vraje nga një shka në ditë!
A ka lugetër Hoxhë?
Në një mevlud, ku ishin kallaballak njerëz, pasi që u kryen ceremonitë fetare, filloi muhabeti. Aty kishte qenë edhe një djalë i ri, i cili ditë më parë hoxhës ia kishte vjedhur pulat natën.. Ai djali dikur po e pyet Hoxhën: -Hoxhë, a di me na kallxue a ka lugetë a jo?
Hoxha pasi i kishte rënë në të se kush ia ka vjedhë pulat po i thotë: -Po bre djalë, bile ma lugat se ti unë hala nuk kam pa!
Kështu është kur kali...
Një Dibrani i Hamitit kishte qenë qejfli kuajsh. I mbante mirë dhe i luliste. Kur diku bëhej dasëm, ai shkonte me kal dhe e ngiste atë në dasëm. Shkoi në një dasëm dhe e ngau kalin aq shumë sa që u përplas për muri dhe e theu dorën. Njerëzit vrapuan që ta ndihmojnë, ndërkaq një axha Selman tha: -Line, kështu është kur kali e nget kalin!
Sa po më dhimbsesh?
Një ish- shok i Hamëz Jasharit, duke biseduar në telefon me të, po i thotë: Ah more Hamëz, na ikem këtu në Gjermani... Hamza po ia kthen: -Hazreti Xhebraili kidhte pasur një shok të mirë. Një ditë mori urdhërin nga “lart” për t’ia marr shpirtin shokut. U ngushtua shumë, por i tregojë: Më vjen shumë keq, por kam urdhër nga lart për ta marrë shpirtin! Ky nga frika, mori ikën dhe u fut thellë në një shpellë për t’u fshehur. Duke ikur ashtu si pa krye ishte ndyer e bërë pis! Xhebraili e gjeti e po i thotë: -Si qenke bërë ti po më dhimbsesh shumë! Unë kam dashur të ta marr shpirtin si trimit, ashtu siç edhe të kam njohur, me kobure në brez, me plis mbi sy me mustaqe ... e jo si qenke ndyer e katandisur kështu. Do t’i dërgojë djajtë që të vinë të të marrin se toka e zoti nuk të pranojnë kështu të ndyer!
Allahile qysh a burgi?
Një koxha mashkull po e pyet një ish të burgosur politik: -Allahile jam ba merak me më kallxue se qysh a burgi, se i bana gjithë këto vjetë e nuk e pashë një herë si duket?
-Po, lehtë është me e pa, -ia ktheu ky. -Dil në sheher e shkruaje një parullë kundër Serbisë, apo jepja një shuplaka ndonjë milici serb e pastaj e sheh burgun.
-Jo valla, unë kurrë nuk kam qenë kundër dërzhavës se pastaj del puna me zarar.
-Ani pra, ka edhe një rrugë. Bëhu milic burgu se Serbia të veshë menjëherë dhe pastaj e sheh si duket burgu...
Haj medet po ban Gania, m’i ka mshel lopët Serbia
Vjen Gani Kabashi i Polacit në Skënderaj e po i ankohet kryetarit Idriz Rreci se para dy ditësh milicia serbe ia paskësh zënë lopët në ara të “drzhavës” dhe ia paskësh marrë të gjitha e ia paskësh mbyllur në një stallë. -Në stanicë të milicisë po më thonë se pa i paguar 300 DM nuk do të mi japim lopët!
-Eh, t’i kisha nja 30 shokë, paç me i ra stallës e me i nxjerr lopët, -tha Gania.
-Hajt bre budallë, -i thotë kryetari, - se unë me i pas 30 shokë siç po i kërkon ti, i kisha ra stanicës e s’kisha lanë milicë t’Serbisë n’Skënderaj!
Ku mbeti nusja?
Dikur moti udhëtohej me qerre kuaj ose qe. Një farë burri i sapomartuar, nga fshati Saradran shkoj për ta marrë nusen e tij që ndodhej në gjini. Ky ecte para qeve dhe nuk shikonte mbrapa, sepse “burrat” nuk shikonin mbrapa. Afër një lumi qetë kërcyen me vrull. Nusja u rrëzua e ky nuk e shikoi fare. Ai vazhdonte rrugën pa u shqetësuar. Kur shkoi në shtëpi i doli e ëma përpara dhe po e pyet: -Ku mbeti nusja?
Ky edhe nga inati se çka mund t’i kishte ndodhur nuses u përgjigj: -Burri nuk e kthen kokën mbrapa për një nuse, nënë!
Në Gjakovë
Para nja tridhjet vjetësh shkova në Gjakovë për me i ble do jorgana, -tregonte një plak.
-Hyra në një akçihane për të ngrënë pak bukë. Nja katër djemë të ri po m’vesin: prej nga je axho? – Prej Drenice, ua ktheva.
-Eh ju Drenica nuk patët kurrë një njeri të zot e me shkollë. Na Gjakova po e mbajmë Kosovën dhe filluan e po mi numërojnë Veli Devën, Mehmet Hoxhën, Xhavit Nimanin, Fadil Hoxhën etj. Mjaft! -u thashë se pasha mixhën po e pranoj, se mos me kanë qita djem moti na kish marrë Shqipnia.
Mos dvet çka nuk dvetet!
"Na paskësh qenë një herë një grua e cila kishte mbetur e ve dhe si dukej kishte vendosur që të mos martohej më. Por, se si i vjen puna e martohet sërish. Pas disa kohësh burri i ri po e pyet: -Allahile grua - a ma i zoti a kanë ai burri i parë, apo unë?
Ajo po i thotë: -Bre ti njeri, nuk është borxh me dvet çka nuk dvetet se qe besa burri i parë na kishte mbajtur të dyve mbi shpinë, dhe e kishte lëvruar arën!
Pasha zotin hunda jeme paska qenë!
Dikur kishte qenë rrezik me u marrë me kontrabandë duhani. Një i Polacit dhe një i Prekazit shkojnë në Gjilan për të blerë duhan. Udhëtimi ishte me rreziqe dhe bëhëj natën. I polacësi ishte me një grip dhe me hundë të zëna. Nga lodhja e madhe i fishkëllon hunda dhe iu duk se fishklluan xhandarmëria, e i thotë shokut ikim, dhe ia dhanë vrapit. Vrapuan dy-treqind metra e u ndalën pak për të përgjuar. Atij prapë hunda "fiu", e ta marrin vrapin prapë. Mirëpo, ky i Prekazit e vërejti që atij po i bënë hunda e kapi për dore dhe po i thotë: Ngadal vëlla se na mbyte. Nuk ka xhandar, po hunda jote po fishkllon! Ai u ndal dhe për të vërtetuar po i fryn hundës.
-Pasha zotin hunda jeme paska qenë!
Jo isha duke folur për Azem Bejtën!
Në një dasëm në Syrigonë një i moshuar po tregonte se si “kishte” luftuar kundër Serbisë gjithmonë.
-Burra, -fliste ai, në një rrethim që më ishte bërë, as zogu i malit nuk shpëtonte. Kërciste pushka në të katër anët, por edhe unë gjuaja me pushkë pa ja da, dhe thërrisja me sa zë që kisha, ooo prite, prite… Ndal pak, ndal pak, - ia priti një bashkëmoshatar i tij që e njihte shumë mirë. Ti tregona një herë për kë e ke fjalën?
-Prite Azem Bejtën, e drodhi plaku, pasi që e vërejti së do t’i dalin për lëndinë. Isha duke treguar për Azem Bejtën, kur e kanë pas rrethuar se me pasë qenë unë asi trimi, tashi ma kishit dëgjuar këngën.
Puthu me mua, o me priftin!
Një vajzë e sapomartuar po e vëren se i shoqi po i kthehet vonë në shtëpi. Një ditë ajo vendosi që ta përcjell të shoqin. Ajo e pa se i shoqi hyri në një objekt, ku zakonisht mbaheshin rituale fetare. Ajo u afrua e po e shikonte të shoqin, i cili kur u përshëndet me priftin e puthi në të dy faqet. Nusja u kthye në shtëpi dhe po e pret të shoqin. Mirëpo i shoqi nga ritet fetare kishte shkuar në kafene, ia kishte grahë rakisë dhe u kthye si zakonisht pas mesnate. Kur i erdhi i afrohet nuses dhe po do me e puthë. Nusja e hidhëruar në kulm që i shoqi ishte vonuar prap, ia priti: -O puthem mua në faqe, o priftin e kafenenë, se qebesa, kështu më jo!
Prej Xhamisë e në kafe të rakisë!
Pajaziti nga Kuqica, "poreznik" i pashpirt. Në kohën e tij, s'kishte lënë gjë pa bërë, për t'u treguar besnik i hyqymetit.
U plak ky Pajazit aga dhe u pensionua,
kur erdhi e lumja demokraci,
na e vuri kapuqin e zi
me një antenë përmbi kry
llafet e njerëzve më mirë me i ndi
për me tregue në milici,
na i bleu dhe një palë tespi,
e shkoj drejt e në xhami!…
Ditë tregu. Ramazan. Po e takoj një vendas, i cili e mbante ramazanin.
Për habi, ai në kafene. Cigare e birrë përpara!!!
Hë Agim, çka u bë me ty kështu? E din ti që është ramazan, apo unë nuk jam në terezi?
-Eh, more vëlla - po tregon Agimi - ramazanin e kam mbajtur shumë. Parmbrëmë shkova me i falë edhe taravitë në Mitrovicë, plot xhamia me xhemat, kur ç'të shoh, Pajazit “Porezniku” ishte bërë myezin. Eu, - i thashë xhematit, po a mas Pajazitit me u fal a?! Jo bre pasha zotin kurrë, - u thashë, - e drejt prej xhamisë e në kafe të rakisë. Dhe m'beso, qysh prej djehit nuk e kam hjek prej goje.
Mos a kanë tjetër kush biro?
Tahir Hajdini e kishte mbaruar ushtrinë dhe shkon një shok për ta vizituar. Në ndejë e sipër, babai i Tahirit i lodhur kërkoi të falur, dhe u shtri në një qoshe të odës. Shtihej se gjoja po flinte, por qëllimin e kishte që shokët t’i linte që të bisedonin lirshëm. Tahiri, pasi që ja mori mendja se i ati flinte, ia nisi bisedës e po tregon për "trimëritë" që i kishte bërë gjatë shërbimit ushtarak. E rreha një ushtar, -po thotë Tahiri, -pastaj një rreshter, mandej një dhjetar, por më interesant ka qenë kur e kam rrahur një kapiten! Besoni burra, -fliste ai, -kapiteni i ka patur nja 90 kg., dhe si i kam rënë boks, me të parën e kam rrëzuar! Babai i Tahirit, po dremiste, por kur i dëgjoi këto fjalë (duke e njohur të birin që s'është që i bjen kujt) u ngrit e po i thotë: -Mos u kanë tjetër kush biro?
-Po pra babë, - ia drodh Tahiri, -isha duke treguar për një shok timin që e ka pas rrëzuar një oficer me një të rame.
-E kështu po, -ia ktheu plaku, -se ti nuk je që i bjen kuj pasha babën, veç taksirati i këtyre shokëve dhe i jemi që na le pa gjumë sonte.
Dhëndrri i "mençur"
Një bujk nga Vraniçi merrej edhe me kultivimin e bletëve dhe për to bisedonte përherë dhe kudo. Shkon një ditë te i vjehrri i vet dhe fillon e po i shpjegon atij për dobinë e bletëve dhe i thotë se veç mjaltit, bletët kanë edhe veti tjera shëruese. Pra s'ka nevojë për barëra të mjekut po i thotë ai vjehrrit të vet. Më mirë është me të thumbuar nja 20-30 bletë sesa me e marrë një kuti hapa!
-Hajt he djalë, le atë muhabet, - po i thot i vjehrri, se me qenë ashtu, mjeku në vend të ilaqeve e mban një krojshe me bletë dhe kur të shkosh për t’u vizituar, ta fut një grusht bletë në pantollana...!
A bleve gjë?
Dy vëllezër, kishin mbetur vetëm, si mos më keq në pleqëri. Njëri prej tyre një ditë doli në treg të Gjilanit për t'i blerë gjërat e nevojshme për shtëpi. Në të kthyer u takua me dy miq të tij dhe nisën e po bisedonin.
-Më falni se tash m’duhet të shkojë! Edhe vëllaun e kam lënë vetëm në shtëpi, -u tha plaku. Të dy miqtë u shikuan mes veti dhe i thanë:
-Edhe ne deshëm të vinim tek ju sonte! Ky u zu ngushtë, megjithatë iu tha: -Po ejani, pse jo? Po ju e dini se s'ka kush iu shtron e gatuan. Ne, siç e dini jemi vetëm!
- Ani s'ka gjë, - ia pritën ata dhe ia morën gjërat që i kishte blerë ky për t'i ndihmuar e u nisën. Kur mbërrinë në shtëpi, vëllai tjetër i priti mirë, u vuri kafe e duhan përpara dhe po bisedojnë. Pas pak ai po e pyet të vëllain se si kishte kaluar në treg dhe a kishte blerë gjë?
-Po besa i bleva dy kuaj, - iu përgjegj i vëllai.
-Po a erdhi hip a zhdrip, - po e pyet i vëllai.
-Jo, nuk u hipa, veç i ngarkova, - po i përgjigjet ky.
-Njëri nga miqtë duke e kuptuar aludimin po thotë: Besa është dashtë me u hypë e pak ka qenë!
Nuk është borxh me këqyr seri!
Po bisedonin dy shokë në Zvicër, të cilët iu takonin partive të ndryshme. Zgjedhjet u kryen në Kosovë dhe tash po afrohet seanca e parë e parlamentit, po i thotë njëri tjetrit. Çka ta merr mendja, kush do të zgjidhet president? Megjithëse jemi anëtarë partishë, është mirë që ne të mërgatës të mos përzihemi fort!
-Dmth., të rrimë të paanshëm, siç po thua ti?
-Mirë pra, a ka mundësi të ta bëjë edhe një pyetje?
-Vetëm urdhëro, -ia kthen ky që hiqej si më i ditur.
-A e kemi ne Kosovën nënë?
-Po, si jo.
-E pra, nuk është mirë me ndejt i pa anshëm e me këqyrë seri e nënës me na i hip turli agllamazi e me na e lodrue poshtë e lartë.
Ç'aj kish me qenë djali jem!
Po bisedonin disa burra: -Shumë e zullumin po e bën Serbia në këo anë. Ne që po durojmë ose jemi tepër frikacakë o më të fortit në botë, se burrat dikur moti kësi poshtërimi nuk kanë duruar.
-Një plak si më i "sert" po thotë: -Po si nuk doli një djalë nane e me i vra disa milicë të Serbisë në mjedis të pazarit! Çaj kish me kanë tamam djali i jem… Pas një kohe burrat u shpërndanë, edhe djemt e plakut shkuan për të fjetur. Njëri nga djemt flenë shumë. Nusja e tij po e thërret: -zgjohu he burr se ora është 11, dhe baba po bërtet se ishte bërë nami në Gllogoc, i kishte vra disa milicë të Serbisë dikush! Ai u zgjua nga gjumi me sy të skuqur, nga se kishte fjetur shumë dhe mendoj që ta frikësoi të atin pasi që ia dinte “takatin”
-Pse u zgjove kaq vonë, s'të vjen turp me ardhë kush e ti ende fjet!
-Isha dikund mbrëmë, dhe nuk kam fjetur tërë natën, - ia ktheu i biri.
-Ku ishe?, -kërceu plaku si me dyshim, duke ia vërejtur sytë të birit që ju kishin skuqur.
-Paj është punë me zazar, - po i thotë i biri, - po më mirë nuk po të tregoj.
-Ku ishe?, -kërceu plaku si ta kafshonte gjarpëri.
-Po ti o babë, mbrëmë para gjithë atyre burrave na skuqe duke thënë se nuk po ka burra me i vra qeta milicë! Mua më erdhi rëndë e rash në Gllogoc dhe e bëra namin…
-Ujë, ujë, po bërtet e reja! - U bë hallakamë, plakut i kishte rënë të fikët nga frika. I biri u pendua kur e pa babanë e vet në atë gjendje dhe po mundohej që ta sille në vete duke i thënë: -Babë, o babë, zgjohu, se ëndërr të tregova, ëndërr… Plaku erdhi pak në vete dhe po i thotë djalit: -A është një mend, apo më ke gënjyer?
-Të kam gënjyer, të kam gënjyer, -po i thotë i biri.
-Ujë, ujë, ujë, -po bërtet prapë e reja plakut. Prapë plakut i kishte rënë të fikt, por kësaj radhe nga gëzimi.
- ANEKDOTA POPULLORE SHQIPTARE
- SHQIPTARËT JAN SI SHQIPET
Në një ndejë në Mal të Zi, Mark Milnai i thotë Ali pashë Gucisë:
- Ju shqiptarët jini sikur dhitë e egra. A i ke parë dhitë e egra, njëra në atë rrëpirë, tjetra në rrëpirën përball thërasin e bërtasin se nuk u rrihet vetëm, por kur bëhën bashkë, të parën punë që bëjnë, godasin njëra-tjetrën në lule të ballit, veç në këmbë të prapme për të bërë belanë...
Ali pashë Gucia buzëqeshi e tha:
- E more Mark Milani, sa di unë, edhe ti prejardhjen e ke shqiptare, por pasi u bërë malazez “të koftë me sherr kombi i ri...” E për dhitë e egra, po them, e ke gabim!
- Pse e kam gabim?
- Sepse shqiptarët nuk janë sikur dhitë e egra, por janë shqiponja. I ke parë buburrecat? Ata janë të vegjël, qyqar, rrinë bashkë e punojnë bashkë se vetëm nuk ua mban dhe s’ia dalin dot. E shqiptarët sillen sikur shqiponjat. I ke parë shqiponjat në fluturim, i bien qiellit trup e tërthor e askënd se mbajnë afër vetes, sepse ato janë sundimtare të plota të qiellit e nuk ia kanë nevojën kujt për ndihmë.
- Hollë ke qitur Ali pashë Gucia!...
- Jo, s’thashë gjë të re, o Mark Milani! Shqiptarët prej shqipeve e kanë marrë emrin, e mjerë ata që s’kanë ndenjur me shqipe, po janë bërë bashkë me buburrecat!
- NJË PITE TË KEQE PËR MYSAFIRIN E MIRË!
Një natë dimri Ramadan Shabani shkon mysafir te Xhemajl Abria.
Te dy pleqnar të njohur që i kishte Kosova.
Të gëzuar për takimin, te dy pleqtë në kullë harrohen në bisedë.
Dikur, nëna e Xhemajlit, që e dinte se në kullë është një mysafir i mirë, shkon dhe troket në derë.
Del Xhemajli në der të kullës:
- Hë nënë, ç’e mirë të solli këtu?
- Më thanë se të ka ardhë një mysafirë i mirë bre loke?!
- Po, bre nënë, pasha zotin, mysafirë më të mirë kjo kullë nuk pret!
- Ani lokes, çka po ta do zemra të të gatuaj nana për darkë? I kemi, shyqyr zotit tana të mirat e, për mysafirin e mirë - diçka ma të mirë!
- Gatuaja nënë një pite të keqe!
- Qysh loke, pite të keqe për mysafirin e mirë?
- Oj nënë, ruaje bulmetin për llaskuçë që vijë për bark, ata ta marrin për gojë konakun, se ky ka ardhur për llaf e muhabet - tybe e treqind tybe as mendja nuk i shkon se çka i qet në sofër!...
- THES PËR SHTROJË, THE PËR MBUOJË
I kishte pasë zënë nata dy vetë në mal. U afruan pranë një lisi she u bënë gati për të fjetur.
Njëri po i thotë tjetrit:
- A po t’merr gjumi?
- Pak, besa!
- E çka ke shtru?
- Thes.
- E me çka je mlu?
- Me thes.
- Ama bre, nja!
- S’kam valla se jam hi në ta!
- LIVADHET E SHTRENJTA
Takohen në Fushë-Krujë Ismail Qemali dhe Ali pashë Gucia.
Ali pashë Gucia u ndal e po i sheh livadhet e bujshme, tërë rrafshinën e pëlleshme të Fushë-Krujës.
- A thua, more zotëri Ismail, këto livadhe kaq të mira e të buta, a janë të shtrenjta? - foli Ali pashë Gucia.
- Shumë të shtrenjta janë! - u përgjigj Ismail Qemali.
- Çka ta merr mendja, sa teneqe flori bëjnë?
- Eh, more Ali pashë Gucia, këto livadhe të buta e të mira e kanë vlerën e lartë, rrafsh sa një grua!
- Sa një grua, po unë në malësi...?!
- Jo Ali pashë, jo ashtu qysh po mendon ti. Këto livadhe të buta e të shtrenjta e kanë vlerën sa një grua e mirë, bujare e fisnike si ajo që ka lind një Ali pashë Guci!
- RASHË QË RASHË, PO JU QES EDHE GJOVE
Në një fshat të malësisë së Opojes, si në shumë vende tjera të Kosovës, shkaku varfërisë, njerëzit banonin nën një çati me kafshët shtëpiake. Poshtë ahuri, lartë dhomat banuese.
Një natë, një fshatarë duke fjetur sipër ahurit, pasi dërrasat që ndanin këto dy pjesë ishin vjetruar dhe kalbur, bie brenda në të.
Fshatari i habitur, herë shikonte vrimën sipër nga kishte ra e herë vështronte gjënë në ahur.
Pasi u kthjell pak, po thotë vet me vete: “Rashë që rashë, po ju qes edhe gjove...”
- QË KA ME HËNGËR DREQI E KOM DITUN, POR...
Një nuse e re, diku në dukagjin, kish pas qëllua me një vjehërr shumë të keqe. Vjehrra ishte shumë shpirtzezë, sa nuk ja linte nuses askund vendin. Por, nusja kish pas qëllua e familjes fisnike, dhe e duronte gjithë atë trysni.
Një ditë nusja shkon në gjini.
Pas nja dy ditësh po vjen i shoqi e po i thotë:
- Qohu moj grue se duhet me u kthye n’shpi!
- Hajr na koftë, çka paska ba vaki?
- Ashtë djege shpia. Mrena ka qellu nëna e asht djeg bash me të!
Nusja pe luan kokën e po thotë:
- Që ka me hëngër dreqi një ditë e kam ditun, por që ka me hëngër t’pjekun, s’ma ka marr mendja!
- DIKUJT FTOHTË E DIKUJT NXEHTË
Në një odë malësorësh të Rugovës, ku nga skamja e varfëria, ishte edhe odë edhe shtëpi, se nuk kishte konak tjetër, plaka ua shtronte vendin për të fjetur dhëndrit e vajzës së vet e, pak më tutje, nën të njëjtën mbulojë, djalit e resë.
Plaku pinte duhan pranë oxhakut dhe i vështronte.
- Vendin e keni gati! - u tha plaka dhëndrit e vajzës dhe mori jorganin t’i mbulonte.
- Afrohuni pak nga njëri-tjetri se nata është e ftohtë e do të mërdhini, - u thoshte plaka derisa i mbulonte.
Pakë më tutje, plaka u bëri vend djalit e resë. Duke i mbuluar u thoshte:
- Ç’jeni ngjitur trup për trupi, largohuni pak, largohuni se natën ju vjen nxehtë e djersiteni!
Plaku, që i shihte e i dëgjonte, krejtësisht i qetë pranë oxhakut, foli ngadalë:
- Haj medet, haj medet!... Nën një jorgan dikujt ftohë e dikujt nxehtë!
- GJYGYMI I ÇAJIT
Shkon njëri n’Shtime, n’pazar. E sheh njërin që kish ra në varfëri e e kishte qitur për ta shitur edhe gjygymin e çajit. E kishte pas shitur edhe tokën, e tash e kishte qitur për ta shitur edhe gjygymin.
Po e pyet ky tjetri.
- A po e shet gjygymin a?
- Po, po e shes - përgjigjet ky.
E muarr në duar e po e shikon gjygymin e po i thotë:
- I mirë tek ashtë, po pak i vogël po doket!
- Po t’doket i vogël, se valla dymdhetë hektar tokë m’i ka hangër.
- DIKUSH HIQ E VUAJ, DIKUSH PUTH E DUAJ
Njëri prej Tushilës ishte i varfër e i vetëm.
Fejohet me shumë mundime i shkreti, se të varfëritë, si gjithkund, bartin peshën e rënd të jetës.
Gëzohet shumë për fejesën dhe nis ta çezojë nusen. Merr para hua dhe blen pambuk e qo te nusja. Ço mëndafsh, lesh... e gjithfarë harxhesh që i duheshin për çejzin e nusërisë.
“Ore, - i thoshin, - je pak i hollë prej takatit, ndale dorën se këto para që po i merr hua, një ditë duhet kthyer!”
- Veç le të çejzohet mirë nusja se unë punoj. Punoj e fitoj dhe, një ditë, edhe borxhet i kthej.
Zgjati kjo punë, po, nja dy vjet e tepër.
Erdhi koha. Nusja kishte bërë çejzin gati. Ishte caktuar edhe ditën e dasmës, u nda vadja.
Pikërisht kur u nda edhe vadja, çohet një Smakiç i Arbrisë e t’i grabitë nusen me krejt çejzin e gatshëm.
Ky i shkreti ra për tokë: ta vriste Smakiçin, nuk ishte punë që bëhej, të zinte nuse tjetër - ruajna zot, se ishte i mbytur në borxhe deri në fyt.
Mbeti edhe pa nuse, edhe duhej punuar ditë e natë për t’i kthyer borxhet.
Nuk shkoi gjatë e i doli kënga:
Dikush hiq e vuj,
Dikush puth e duj!
- ZOR ME U PASUNUE E SHPEJT ME U FIK
Një herë e pyesin një të pasur:
- Allahile burr, a na kallxon drejt, a hoqe zor deri sa bone shpi e pasuni kaq të madhe?
- Vallahi more burra, masi po m’vetni, për t’drejtë t’zotit due me ju kallxue. Derisa e qita shpinë në t’temel e u ktheve marë e u pasunova, kom hek boll! Sa me e pasë shty ni guri t’madh me gjyks e me e qitë në maje t’bjeshkës.
Masë do kohësh, meshkuj e asaj shtëpie u ndanë, se nuk shkonin mirë njëri me tjetrin, e ky i pasuri u fik.
Shkonin prapë njerëzit me e pa, se i kishte pas ndihmuar shumë të varfëritë, e po e pyesin:
- Allahile a na kallxe drjetë? Sa shumë mall ke pas, qysh u fike kaq shpejtë, e a hoqe zor?
- Po ju kallxoj bre burra. Qysh kam pasë hekë zor me u ba shpi - me qitë me gjoks atë gurin n’maje t’bjeshkës, tash s’pata anevoj hiq me u mundue, se ai guri i madh u rrotulle meniherë vet e ra n’fund të bjeshkës. Qaq shpjet jam fik.
- MENDJA E MADHE
Në një kuvend të burrave, hyri me pakë vonesë edhe Shaban Hoxha i Isniqit. Ishte vonuar pak dhe, natyrisht, plakun e mençur e pret kuvendi.
Mirëpo, një mendjemadh i Strellcit, me mustaqe të holla si bishti i miut, që ja kishte mbushur mendjen vetes se e ka vendin në kuvend të burrave, i hidhëruar pse kuvendi po e respektonte Shabanin, mezi priste që t’ia thoshte ndonjë fjalë.
Shaban Hoxha u rahatue në kullë. Ia sollën edhe kafen.
Njëri prej pleqve në kuvend tha:
- Fol diçka Shaban Hoxha!
Ende pa e çelur gojën Shabani, ai mendjemadhi ia priti:
- Çka ka me fol Shaban plehu që vonohet në kuvend të burrave?
Të gjithë u prekën. Ai plaku që i tha Shabanit më parë “fol diçka”, u zu ngushtë, por foli:
- Mos u hidhëro lum Shabani, se është martue rishtas dhe e ka pak veten n’qejf?
- Jo - tha Shabani Hoxha, -nuk hidhërohem. Plehut ia sheh hajrin dikush, se plehu e rrit bimën, e mendjes së madhe, pasha zotin, kush mbi dhe hajrin deri sot s’ia ka pa!
- AI S’ASHT MSUE ME DHANË
Një zemërngushtë (tahmaçar) kishte pas ra në ujë e donte me u mbytë, se nuk kishte pas ditur not. Qëllon njëri atypari e i thotë:
- Ama dorën, bre burrë!
Një tjetër, që e kishte pas njohur këtë zemërngushtin, ia kthen këtij:
- Ai nuk asht msue me dhanë, por veç me marrë e thuj: “Ha dorën!” e jo ama dorën, n’dash me e pshtue pa u mytë.
- MATE PUNËN E UJIT SE...
Bajram Selimi i Uçës shkon tek miqtë në Kërninicë. Për darkë miqtë po bien reçel.
Duke e trazuar reçelin (duke i qitur ujë), i zoti i shtëpisë i qetë ujë pak si shumë. Edhe duke i qitur ujë, po e pyet Bajramin:
- A t’qes ma?
Bajrami po e sheh që nuk është kah i ndalet dore e që nuk është më hajri i reçelit, se u mbush me ujë, po i thotë:
- Valla bre mik, mate punën e ujit - a ki a s’ki, se reçeli, me nerë me thanë u ba m....
- PA LËSHOJE MA TË MADHE, BRE BURRË!
Ishte nisur një malësor për Gjakovë. Rruga e gjatë dhe e kishte marr uri e madhe. Afër Gjakovës e takon një bashkëvendës. Po e pyet atë:
- Ku ke, bre burrë?
- N’Gjakovë.
- A kish bukë n’Gjakovë? - po pyet prapë malësori, e prej urisë së madhe, e kishte zënë frika, se nuk do të gjente bukë atje.
- Kish boll bukë, besa, - ja kthen bashkëvendësi.
- A ishin t’mdhaja buk’t? - po e pyet prapë malësori, se prej urisë së madhe mendonte se nuk do i dilte një bukë e tërë.
- Bajagi t’mdhaja ishin.
- Pa banma me shej ni bukë qitu n’tokë, ta shoh sa janë t’mdhaja.
Ky mori një gur e fillon ta bëjë një rreth në tokë, përafërsisht sa ishte një bukë e furrës.
Malësorit iu dukë i vogël ai rreth, ngaqë kishte uri, e po i thotë atij:
- Pa lshoje ma t’madhe (bukën), bre burrë!
- More, unë po e lëshoj t’madhe sa Fusha e Bajram pashës, po s’pe lshon furrunxhija se!
- A JE TUJ PRITË SURLET ME KRISË?
Ishte kohë ramazani. Tri-katër copë katundesh në Kabash të Prizrenit kishin pas bërë ramazan me një tupan. Ndërmjet atyre katundeve kishte qenë një kodër, Murlan e kishin pas quajtur. Për kohë të iftarit dilte në majte të kodrës tupanxhiu me rrahë për iftar.
Hoxha kishte pas shkuar tek njëri në Kabash dhe pritshin të bëhet iftar, pasi të gjithë ishin të uritur. I murrën orët e po i vendosin përpara me shikuar kohën. Një djalit të shtëpisë i thanë:
- Del n divanhane e vëzhgo! Kur t’krisin tupanat, na kallxo e t’bajmë yftar.
U bë koha e yftarit e djali nuk po lajmëron gjë. Këta të lodhur e të uritur po i ja lëshojnë një zë djalit:
- O djalë!
- Hoj! - Përgjigjet ai.
- A krisën more tupanat a shka u bo?
- Qe besa, more babë, ni tupan krisi qatje n’kodër...
- Po shka dreqin je tuj pritë. Me krisë edhe surlet a? Ramazani s’ka surle. Pse s’erdhe me na kallxue?
- SA PËR NJË LLAF
Një Drenicas, burrë i mirë e i urtë se të duash, por që e kishte gjetur e zeza dhe kishte mbetur vejan, pra i kishte vdekur e shoqja. Ai në fakt nuk ishte edhe aq në moshë, kaloi një kohë bukur e gjatë, dhe ai nuk po martohej. Pas disa kohe, në konak i shkojnë tre shokë dhe në bisedë e sipër njëri prej tyre po e pyet: Pse mor burrë nuk u martove deri tash, çka je duke pritur? Ti nuk je edhe aq i vjetër...
Po e shoh edhe unë mor burra se nuk bënë pa u martua, - po u thotë ai shokëve. Me ua thënë të vërtetën, jo edhe aq sa për ato “punët tjera”, por me pas dikë more burra e me ndërrua ndonjë llaf goje, se kam mbetur fillikat i vetëm tërë ditën e ditës e nuk po kam me kë ta bëj një llaf goje...
- Njëri nga ata shokët që ishte më shakaxhiu, po i thotë Drenicasit: Nëse na e jap besën që nuk hyn ma “thellë”, sa për najë llaf goje, na po t’i sjellim gratë tona me radhë!...
- QYSH E DERDHI GRUNIN RIZA BLLACA
Kishte pas shkuar Riza Bllaca me shitë pak grurë në Suharekë. Grurin e kishte pas qitur në një thes. Pasi thesin nuk e kishte pas mbushur plotë, e kishte pas hedhur thesin në krah si duq: gjysmën para e gjysmën prapa. Sa hyn në treg, për dreq, i zgjidhet gryka thesit e i derdhet pjesa e parë. Rizahu ulet për ta mbledh grurin. Njëri që e njihte po e pyet:
-Qysh e derdhe grunin Riza?
-M’u derdh bre!
Nuk kali shumë e arriti një kumar i Rizahut. Po e shikon e po i thotë:
-Pash rizanë e zotit, kumar, qysh e derdhe grunin?
Rizahu pak i hidhëruar ja pret:
-Rizaja e zotit ta theftë qafën! Qe qysh e derdha.
E ta mori edhe gjysmën tjetër të thesit dhe e derdhi tërë grurin në tokë.
- ATA I DINË GJËRAT MA MIRË SE NA!
Në një mbledhim odash elektronike (forum, si po e quajnë) , diku në perëndim, ishin mbledh anëtar e anëtare nga të gjitha anët e shqiptarisë e po bisedonin, diskutonin e debatonin për kontributin e partive të tyre në Epopenë e Lavdishme të UÇK-së. Disa prej tyre... po diskutonin, pak ma me „zjarrë“, duke u munduar që me „mjeshtri“ t’i lartësojnë pak edhe liderët e vet, të cilët për luftën vetëm kishin dëgjuar, bile edhe në Beograd!
Dy pjesëtarë të UÇK-së që po i dëgjonin (lexonin) këto “diskutime”, po e pyesin njëri-tjetrin:
- Ku ishin vëlla këta lider kur ishte luftë, kur Kosova digjej flakë, pra kur luftonte UÇK-ja?
- Disa prej këtyre ishin edhe kundër luftës së UÇK-së atë kohë, bile ushtarët e lirisë i quajtën “grupe terroriste...”! Disa bënin qejf në Prishtinë... në Bon... e besa edhe në Tiranë.
- E si po kanë vëlla fytyrë e po krekosen për ta edhe sot e kësaj dite, 9 vite pas luftës! Bile po fyejnë pa fije turpi ata që sakrifikuan edhe më sublimen!
- Besa edhe kanë të drejtë - po i thotë ky tjetri.
- Gjatë gjithë luftës, ne kemi qenë në front, ballë për ballë me shkaun, e nuk kemi pas kohë me i pa gjërat si duhen, e këta “burrat” që po flasin, i dinë gjërat ma mirë se na, sepse, gjithë situatën e kanë përcjell përmes ekraneve televizive, dhe atë ulur në kolltuqe prej lëkure.
- NJË PALË TIRQ...
Në Pejë, kishte pasur dikur artizanë të zotët, të cilët i punonin shumë mirë tirqit. Shkon një plak i anës së Pejës, veshur tamam si zotëri, me qelibar e kuti duhanit të bakfanit, shall e shokë, orë me qostek, bastunin dhe myhyrin në dorë e futet te një mjeshtër tirqish, duke i thënë: - unë dua një palë tirq tamam, si të Azem Bejtës!
- Si urdhëroni zotëri, - po i thotë mjeshtri, dhe filloi të ia masë. Mat andej e mat këndej, por kot, atij nuk po i binin tirqit si të Azem Bejtës, në fakt ky zotëria, nga prapanica ishte më i mbushur dhe... Terziu i tirqve u lodhë e po i thotë plakut: - dëgjo mor plak, ty tirqit si të Azemit, nuk të bien pasha bacën se Azem Bejtë Galica tjetër prapanicë ka pasur...
- DHËNDRI GRYKËS
Kishte shkuar një dhëndër tek miku i vet. Vjen dreka e miku ja kthen bukën. Dhëndri kishte qenë grykës i madh. Atë ditë i kishin pas disa lloje gjellrash. Vjehrra ju shërbejke e rrike gjithë kohën në këmbë. Dhëndri për secilën gjellë që e qitnin në sofër, thoshte: “Qeky ma ka mytë babën” e t’ju lëshojke e ta hante gjysmën e gjellës. Kur e qitën së fundi hallvën, dhëndri i tha:
-Burra, në paçit qef m’i ditë, bash qekjo ma ka mytë babën, e s’kam si e lshoj! -e nisi të ha ngutshëm në të.
-Valla po m’dhimesh, more dhandër, -ia priti vjehrra -se t’u paska çkepë gjaku i babës e s’po ditke ku m’e lypë ma përpara.
- ME LESH MJEKRE
Pas rënies së Komandantit, shumë veta provuan që me anë të mjekrës, ta emitojnë atë! – pra filluan njerëzit t’i lëshojnë mjekrat, e të ecin pak sa krekosur, sa nuk i zinte rruga! Disa provuan besa, brenda në Kosovë, por edhe në mërgatë të dalin me pamje të tilla e herë- herë provuan që edhe para publikut të bëjnë ndonjë monolog etj. S’ka dyshim se qëllimi ishte i mirë, por më duhet t’i kujtojmë se vetëm me lesh, nuk emitohet dot Komandanti Legjendar Adem Jashari, ngase ai leshin e kishte tanë dredha dredha mor vëllezër!...
- A PASKA NAJ T’KEQE MJALTA?
Ferat Isufi i Runikut shkon në një gazmend në Suhogërllë. Pasi rraset mjaltë, kishte pas thënë:
-Qet t’mirë e ka mjalta si lahet kollaj, pej luge e pej kalanice.
Aty qëllon edhe Shaban Beja dhe i thotë:
-pse, a paska edhe naj t’keqe mjalta a?
- MOS E HAPNI!
Dimër i vështirë, acar e borë e madhe. Nga kjo gjendje ishin mbyllur rrugët Tiranë-Kukës-Prizren, pra ishin bërë të pakalueshme. Ishte thirrur një mbledhje e të dy Qeverive, për të gjetur mundësinë e evitimit të gjendjes. Në një takim që ishte mbajtur, edhe në nivel komune, një plak nga Prizreni, ishte ngritur në këmbë dhe kishte kërkuar që mos të hapet rruga! - u habitën rreth qëndrimit të plakut, dhe i kërkuan sqarim për qëndrimin e tij.
- Po, po- tha plaku, unë jam i mendimit që rrugët mos të hapën, bile sikur të mundja me e mbyllur edhe skelën e Durrësit për ca kohë, në mënyrë që të pushojnë pak hajdutet e të gjitha instancave se na këputën duke na vjedhur, që nga Durrësi e deri në Prishtinë!...
- UNË PO E THEJ QAFËN N’BOSTAN
Një zot shtëpie ua ndante punët meshkujve të shtëpisë në mëngjes. Gjithnjë punët më të lehta i ndante për vete. Një ditë po u thotë:
-Ti ke me shkue me berre, ti shko n’mulli, ju dy shkoni në arë e unë po shkoj e po e thej qafën n’bostan.
- S’KANKA TI ME SHKUEN N’MAL
Një katundarë shkon në shtëpi të Azem Bejtes dhe e gjen aty vetëm nënën e tij. I lyp pak bukë.
-Bima do bukë se jam nisë me shkue n’mal me Azemin.
Plaka ia pruri një gjysmë buke, pak djathë dhe një sahan me qumësht. U ulë e filloi të haj, dhe e hëngri krejt atë bukë, atë djathë e atë qumësht.
Kur u ngritë, po i thotë nëna e Azemit:
- Uh, loke, t’baftë mirë. Po ti shko tu shpija jote e mos shko n’mal, se Azemi jem, me qita bukë qi hangre ti, gajshtë ditë qindron në mal.
NË ARKIVOL BRENDA!
Diku në anë të Deçanit, dy veta shkojnë për të marrë pjesë në një ceremoni varrimi. Të vdekurin e kishin vu në arkivol, dhe kishte ardhur koha që ta përcillnin për tek varrezat.
Tani kur kortezhi ishte gati të nisej, dy veta ishin rrokur mes vete! Secili mbronte qëndrimin e tij, duke i thënë shoqi- shoqit se duhet ecur para , apo prapa arkivolit?! Ata vendosen me shkua dhe me e pyetur hoxhën, pasi që ishte krijuar shamatë aty.
- Hoxha duke i njohur të dy që nuk ishin tamam në terezi, po ju thotë:
- Pasha zotin ju mor burra ma mirë ka qenë sikur të ishit në arkivol brenda qe të dy, por ja qe zoti këtë tjetrin e ka marrë gabimisht, e ju ndash ecni para e ndash mbrapa arkivolit!
- A S’I KENI DY VEGSHA?
Njërit i erdhi mysafirë një jaran i madh. E kishte ndër mend me i bë muhabet e po ja pyet qefin:
-A don me t’shti mish e lakna a mish e pasul për darkë?
- Pse, jaran, a s’i keni dy vegsha a?
PO DIGJET DIÇKA
Në odë të Zekë Qubrelit, ia kishin mësyrë nja 7-8 burra të Mehajve të Prekazit, të cilët me Zekë Qubrelin ishin miq të vjetër.
Pas darke, t’ia krisen muhabetit, natë dimri, muhabet, çaj e duhan deri në mëngjes, duke pre e duke vra armiq tërë natën e gjatë...
Dikur u sos edhe duhani dhe Zeka ua nxori për para një kile duhan të grirë. Këta iu hodhën dhe nga mëngjesi e sosën edhe ata. Pas pak kohe, njëri po thotë:
- More burra, po më duket se po vjen një erë, si në të djegur, pra sikur po digjet diçka?
- Mos u shqetësoni burra, mos u shqetësoni se nuk ka çka digjet tjetër gjë ma, veç duhanit tim që u djeg e u bë shpuzë për tre sahat- ua ktheu Zeka.
- PO DO ME M’YTË DUHANI...
Njëri prej Krasmirofcit po i thotë Hajdar Kozhicës:
-Hajdar, po do me m’mytë duhani, se p’i pi fort edhe ka nis me m’zanë n’fytë.
-Po le, bre dashamir, mos e pi ma kurrë!
-paç me lanë, po tutna si po m’lanë ment!
-Valla, bre shoq, edhe qato men si dalin pej marakut t’duahnit, boll pak men janë.
MIRË SE TË PRURI ZOTI!
Një Gjakovar, rastësisht në tregun e perimeve, takon një fshatar të cilin nuk e kishte edhe fort në qejf. Ishte gati mbrëmje, dhe fshatari nuk po i ndahej. Kur shkuan afër shtëpisë, Gjakovari po i thotë: Natën e mirë se unë eca, - u fut brenda dhe ia dha krahun derës. Fshatari po i thotë qe besa edhe unë mbas teje, po hape derën. Ai shtyje derën nga brenda, ky shtyj nga jashtë deri sa u lodhen! Dikur Gjakovari e hapi derën, dhe po i thotë:
- O mirë se të pruri zoti he burrë!
- Jo qe besa, erdha vet me pikë të zorit, se sa për zotin ti ishe duke më lënë në sokak...
- QISAJ I THONË LANG E JO KAFE
Shkojnë Llausha te bajraktarët e Hotit. Hotjanët, për t’i provuar se çfarë burrash janë, ju qesin kafe me krip. Kur ua qojnë kafet me krip, ata pleqtë që ishin ulur tek oxhaku, ja filluan e po i pinë kafet me krip dhe nuk po bënin zë.
Një djalë i ri që ishte ulur në fund të çergës, kur e moria kafen për ta pirë dhe kur e pa që ishte me krip, tha:
-O mik, shko bima ni copë bukë ta ngjyjë se na qisajna i thomë lang e jo kafe.
Kur i dëgjoi miku këto fjalë që i foli djali i ri, u qua, e mori djalin dhe e uli në krye të oxhakut dhe i tha plakut që ishte ulur aty:
-Shtyju ma posht se sa ky vend për ty!
E HËNGËR ZALLIN!
Banorët e një fshati, kishin vendosur për ta shtruar rrugën e tyre me një gjatësi prej rreth një kilometër, e cila i lidhte me rrugën e asfaltuar më pas. Për këtë, ata ia besuan punimet një fqinjit të tyre, duke ia dhënë atij të gjitha mjetet për menaxhim- siç po i thonë tani!
Si duket, ky fqinji i tyre “ca nga lekët” i kishte futur në xhepin e vet, dhe pjesën tjetër i kishte shfrytëzuar për rregullimin e rrugës, e që në mungesë lekësh më pastaj nuk e kishte kryer tërësisht rrugën! U hap fjala si era, njerëzit filluan e po i thonë se i hëngër lekët e rrugës. Ky dikur u lodh e po iu thotë:
- Ikni mor burra se nuk u bë kiameti, Ministria e komunikacionit, ka hëngër asfaltin e krejt rrugës Mitrovicë – Pejë të gjatë rreth 100 kilometra e nuk po u thotë kush gjë, e ju më lodhët për një gjysmë kilometër rrugë zalli, që ka sa të duash në lumenjtë tanë!
- E KAM NI XHEZVE MASLLAHAT
Një të barilevsit i shkoi një mysafir. Konakxhiu shtini xhezven me kafe në tagar, por u habit duke fol me mysafirin. Xhezvja gufoi dhe u derdhë pak. Po i thotë ky mysafirit:
-E kam ni xhezve masllahat; kallxon kur t’bahet kafja.
-Rueju mos prit me t’kallxue s’dyti, se s’paske çka qet ma n’filxhan! - i tha mysafiri.
- QE DY DITË S’PO JA DAJNË PIJES!
Ishte një zotëri i pasur që kishte vetëm një djalë. Djali i kishte pasur disa “jarani” të cilët i vijnë në konak. E shtron për të pirë me ta në kopsht gjithë ditën. Në mbrëmje prapë në dhomë, e të nesërmen prapë në kopsht.
Kur ishin duke pirë këta, rrogëtari i dërgoi lopët për ujë dhe ju dha ujë lopëve. Del zotëria dhe takohet me rrogëtarin që ishte duke i kthyer lopët dhe po e pyet:
-Ku i pate?
-U dhash ujë - tha rrogëtari.
-Kthej apet e jepju ujë!
-Paj s’pinë ma.
Zotëria prapë i thotë:
-Ktheji!
Djali që ishte duke pirë me shokë, po i thotë babës:
-A je n’men o babë? Këto qetash kanë pi e s’pinë ma!
Atëherë babai iu kthye i po i thotë djalit:
-Kto, tuj kanë lopë, masi kanë pi ni herë, s’pinë ma, e ju, a s’po ju vjen marre qi s’po ja dani qe dy ditë pijes?
- MË DENONCUAN
Një qytetar i Dardanës, po martonte djalin e vetëm, me këtë rast ai kishte ftuar shumë miq dhe kishte bërë një dasmë të madhe. Tërë natën nuk u ndal pushka, si me pas qenë Luftë!
Të nesërmen të zotin e konakut e rrethuan KFORI me tërë arsenalin e vet, dhe ia morën disa armë. Pasi ikën ata të KFOR-it, po e pyesin fqinjët:
- Ç’të ndodhi kështu mor fqinjë ynë?
- Më denoncoi dikush te policia e KFOR-it, si duket, dhe ata erdhën e mi morën armët!
- Jo, mor komshi, jo- po i thotë njëri prej të pranishmëve, ti denoncove vetën tënde. Po luftë ka qenë e lagja e juaj nuk ia ka bërë as edhe një kapsollë bam! Kurse tani në dasma, syneti, për vit të ri etj. Po doni me na plasur timpanet e veshëve, duke shtirë më armë pa ndalur.
- DY VLLAZNIT PIJANECA
Dy vëllezër të Gjakovës ishin pijanecë dhe te dy pinin në një restorant. Vëllai i madh një ditë e piu një gjysmë litër raki dhe shkoi në punë të vetë. Pas pak kohe, erdhi vëllai i vogël dhe po e pyet kamerierin:
-A ke vllau jem ktu?
-Po.
-A piu hiç?
-E piu ‘i gjysmë kille.
-Qitma ni killë, - tha vëllai i vogël - se ai po do me na fikë, he zoti e marroftë!
Anekdotat, këto thënie të mençura, këto tregime të shkurtra shpotitëse e satirike, përmes së cilave interpretohen dukurit e ndryshme shoqërore, ndodhi të personaliteteve të njohura etj., japin një pasqyrim metaforik por edhe alegorik të realitetit tonë me të cilinë përballemi çdo ditë.
Këto tregime të zgjuara, që ishin karakteristik komunikimi tek shumë popuj ballkanas në të kaluarën, e në veçanti në disa treva shqiptare (ku akoma janë prezent, edhe pse të zbehura nga evoluimi kohorë), arrijnë që përmes mesazheve të japin aspekte nga jeta, në dukje të vogla, por me vlerë përgjithësuese, duke i vënë në lojë klasat sunduese, pushtuesit, tradhtarët, qeveritarët, personalitetet publike etj., por duke mos lënë pa atakuar as problemet e ndjeshme sociale, ekonomike, politike etj.
Shkathtësia e këtij komunikimi të drejtpërdrejt me dëgjuesin dhe roli si mburojë a si shtizë ndaj kundërshtarit, i kanë siguruar anekdotave, por edhe aforizmave, fjalëve të urta etj. një vend të rëndësishëm në thesarin e kulturës shqiptare, por edhe një jetë të gjallë e aktive, me një humor të hollë e satirë therëse, edhe sot e kësaj dite.
|
Ishte një njeri dhe ishte nisur për rrugë; kishte për të shkuar në një fshat për të marr diçka. Duke shkuar rrugës e gjen një dreq. I thotë:
- A po vje' me mue?
-Po - i thit dreqi.
-Hajde se po t'shti në thes.
-S'mun me m'shti mue, se unë i kam edhe shokët 'tjerë.
-Të tanë i zen ky thes.
E kishte pas mbushur thesin plot me dreqër. Duke ecur rrugës takohem me një pylltar.
-Si je, bre burrë?
-Mirë, si je ti?
-Mirë.
-Çka ke aty qi e ke kaq ranë? - i tha pylltari.
-Po, i kam do tesha.
-Çka ke bre?
-I kam do dreqen.
-Ani a po ma falë nja, bre burrë?
-Hajt se po ta fali, se tek kam boll edhe unë për veti; m'besin boll mua.
E ulë thesin në tokë. Ky tjetri e fut dorën dhe fillon me shpalos. Ai, i zoti i thesit, po i thotë:
-More burrë, çka po shpalon aty? Dreq n'krye e dreq n'fund; tanë janë njësoj, veç merre nja e hajt t'koft rruga e marë!
-Ishte një dembel. Kijet i kishte, gjërat për punë po, plugun po, edhe kishte pas mbetur pa mbjellë. E pyesin miqtë:
-Pse s'molle sivjet?
-Vallahi, ni herë ke lagtë e dikur u tha.
-Ani, ku ke ti nërmje' t'lagtit e t'thatit?
Puntori, mos m'e ruejtë kohën nërmjet' t'lagtit e t'thatit me mjellë, ai s'un mjellë kurr.
Një padalishtas ishte kapur me mesele me një llapushnikas. E pyetën të padalishtasin:
-Qysh u dave me t'llapushnikasin?
-I llapushnikasi m'ka dalë si dashi shyt. Dashi shyt doket si s'ka brina hiç, po i ka do brina n'lesh si, bani e t'solli, t'le n'vend!
Njëri, duke shkuar rrugës, e sheh tjetrin duke lëvruar. Lavërtari bënte trapa të parregullt. Udhëtari po i thotë:
-Puna e marë!
-Marë paç!
-Keq paske punue.
Lavërtari i tha:
-N'hamar t'zotit!
-Vallahi - i tha udhëtari - s'ta le as mrenë e le ma n'hamar.
Na ishe një dijetar që kishe shtypur shumë libra. Dikur u plakë dhe u sëmurë për vdekje. Po i thotë djali i vet:
-Babë, me ma lanë naj fjalë.
-Bir, - tha baba tuj dek - t'kam lanë boll t'shkrueme; bibliotekën ta kam lanë.
-Jo, babë, me m'thanë dishka me gojë, shka se ke shkrue.
Kujtohet plaku çfarë t'i thotë që nuk e kishte shkruar. Dikur po i thotë:
-Bir, due ma ta lanë amanet: edhe nëse çel bunar t'ri, rueje t'vjetrin, mos e mshel, mos pshytj n'të e mos flliq.
Një të dërvarsi i shkon një mysafir. E priti mirë e i bëni fort muhabet i zoti i shtëpisë.
Të nesërmen mysafiri po lyp leje për t'u çuar e shkuar në shtëp.
I dërvarsi po i thotë:
-Rrimë, bre mik, se ty tash nuk t'thrret kurrfarë pune! Shyqyr, djem e nipa t'u kanë ba boll!
-E bre mik - po i thotë mysafiri - asni punë nuk e hap gojën e me britë: "O hajde punom!", po vetë duhet m'e marrë me men se puna thrret.
Një i zllakuçanas i ngjet kijet për të lëvruar ditën e diel. Prifti kapërcen atypari edhe, në vend që t'i thotë "Puna e mbar!", po i thotë:
-A s'po t'vjen marrë si i ki ngjitë kijet t'diellen? A e di ti që Zoti, kur e ka jaratisë dynjanë për gjashtë ditë, t'shtatën ditë, t'diellen, ka pushue!?
-Paj, Zoti e ka krye punën edhe ka mujtë me pushue, a unë, si p'i sheh ti, lum urata, s'e kam mjellë arën hala, - i tha i zllakuçanasi.
Ishte një zotëri. Hip një ditë në kali të shalës dhe shkon në një qytet. I kryen disa punë dhe duke dalë në rrugë jashtë qytetit e gjen një qen të lodhur duke cof. Zbret nga kali. E shikon qenin që ishte i lodhur. Hip sërish mbi kalë dhe shkon tek një bukëpjekës. I thotë.
-Shko n'filan ven e merre ni qen. Ish i lodhun e bjere k'tu. Jepi bukë t'han sa të don. N'fund t'muajit une vi e t'paguaj.
Shkon bukëpjekësi, e merr qenin dhe e sjell aty. I jepte bukë sa donte qeni. E kështu për një muaj rresht qeni hëngri bukë sa deshi, dhe u majmë. Në fund të muajit u kthye zotëria për ta paguar bukëpjekësin për shërbimin që i kishte bërë. Kur bënë të futet në oborr të furrës, i turret qeni dhe e rrëzon nga kali. Vrapon bukëpjekësi me e pritë dhe fillon t'i bie qenit me shtagë. Zotëria i shtrirë për tokë, po i thotë.
-Lene, lene se buka e jeme po m'vret mue, se unë e kam ba n'këtë ditë.
Një hoxhë, me njëfarë tubimi, kishte pas thënë se veç me sabër u bahet ballë të tana punëve. Njëri po i thotë:
-Veç ni punë, hoxhë efeni nuk ka sabër.
-Cila?
-Kallamoqi, kur t'bahet m'u prashitë, s'ka sabër.
Kishte pas shkuar njëfarë Tafa me prashitë misër bashkë me djalin e vetë, Qerimin.
Prashitën gjithë ditën e u lodhën deri aty. Asnjëri nuk ishin të punës. U mërzitën boll. Iu bë ara fushë; nuk ua marrte mendja me i dalë në skaj kurrë. Po ngadalë-dalë e me gajret e afruan arën. Me prashitë nuk kish më shumë - veç edhe pak.
Kur e pa Tafa që gati u prashit ara, u këndell e u gëzua shumë edhe bërtiti sa mundi:
-Rrethoje, Qerim, rrethoje, se s'ka ku shkon ma!
Një hoxhë shkon mysafirë në Hade dhe për darkë kërkon t'ia qesin një fli. Pak pa ardhur darka, hoxha nxehet tepër në fjalë. Duke dhënë ders, po thotë.
-E kam pa n'Kuran si gruaja nuk a njeri, po njerit i duhet.
Baçica e dëgjon dhe, në inat, e derdh flinë prej tepsisë, kinse i pshtoj prej dore.
Kur u kthye sofra me bukë e lëng, hoxha duke shikuar mbi sofër, po i thotë konakxhiut:
-Flija s'na paska ardhë, po s'pe di a je ti fajtor e baçica?
-Besa more hoxhë, as unë e as baçica, po "dersi" yt i paradarkës!
Vëllanë e Ukës, vijnë për ta pa disa njerëz si njeri të mençur.
Ky i kishte pas lëshuar dhentë për të kullotur e i kishte pas varë qostekët e sahatit deri në tokë. U takua me ata që kishin ardhur te ky, edhe i pyeti:
-Ku ja keni m'sy kshtu?
-Të Mehë Kameri.
-Unë jam Mehë Kameri.
-Qysh, mej rue dhitë? - i thanë këta.
Njëri prej tyre që ishte në kali të shalës i tha:
-Ma qejf kishim pasë mos me t'pa, se që t'pamë, çfarë zani ke pas ti.
-Paj, more burra, - u tha Mehë Kameri i Suhogerllsë - s'asht marre me punue n'shpi tande.
Ishin dy peshkatarë. I zënë dy peshq. U ulën në një lëndinë dhe i qesin para veti peshqit e zënë për t'i ndarë. Njëri peshk ishte më i madh e tjetri më i vogël. Si me i da? S'kishte qejf asnjëri për t'i ndarë. Pritën, pritën pak. Dikur njëri bën ballë dhe nis e po i ndanë - shokut të vet ja tha të madhin e për veti e ndali të voglin. Ai shoku po i thotë:
-Valla, mirë i ki da. Edhe unë qashtu kam menue me i da.
Mixha Ymer kishte pas mbajtur kije të mirë e u kishte qëndruar gati me yshym të mirë e për çdo punë tjetër, e ja kishte pas lanë amanet djemve të vet që gjëja do yshym e, sipas yshymit ta bën edhe punën:
-N'u qitsh kive kashtë,
s'un i çon me nizetegjashtë
n'u qitsh tallë
bahen skakallë;
n'u qitsh sanë,
s'presin me u thanë;
n'u qitsh taxhi
s'presin kamxhi.
Xhemajl Obrija, kah shkon në Plluzhinë, i takon disa të fshatit që ishin duke e çelur një mal dhe e bënin arë. Pasi u fal me ta , po u thotë:
-Çelni, babo, çelni, se t'çelnit e arës i bjen katër t'mira.
-Cilat janë ato t'mira o baba Xhemajl?
-E shton arën, i ban hazër cungat për dimën, t'hahet buka ma fort edhe t'merr gjumi ma mirë, u tha Xhemajli edhe shkoi.
|
No comments:
Post a Comment