Havzi Nela, dy vjet larg lirisë!
Në nëntëmbëdhjetë vjetorin e varjes së njeriut që mendonte i lirë nën një diktaturë të egër. Gjithçka që shkroi Havzi Nela mbetet e pabotuar.
Në nëntëmbëdhjetë vjetorin e varjes së njeriut që mendonte i lirë nën një diktaturë të egër. Gjithçka që shkroi Havzi Nela mbetet e pabotuar. Bëri 20 vite burg dhe iu dha dënimi kapital më 10 gusht 1988. Ai që dha vendimin, vazhdon të gëzojë pushtet në organet e larta të drejtësisë së shtetit shqiptar
Më 10 gusht 1988, në Kukës u ekspozua një prej pamjeve më të shëmtuara të pushtetarisë komuniste: këputja e frymës së Havzi Nelës. Krimi, mu në prag të shpërbërjes dhe dekompozimit të diktaturës, është pa dyshim, një nga dëshmitë më tronditëse se si mund të vepronte diktatura staliniste mbi njeriun që kërkonte liri. Në tjetrën anë, është paraqitja e përnjëmendtë e fytyrës së terrtë të saj dhe një nga aktakuzat më të ashpra ndaj një regjimi primitiv nga më të egrit në Evropë.
Sot mbushen plot 19 vjet nga ekzekutimi publik i njeriut që kish kryer 19 vjet nëpër burgjet e skëterrta të kohës. Por, shpura vrasëse që realizoi krimin ndaj tij, këta ish-vrasës entuziastë, deri më sot nuk kanë shfaqur as pendesën më të vogël. Kjo do të thotë se Shqipëria vazhdon të jetë e mbuluar ende nga përmbytja e moralit, dhe gjithashtu, pendesa, si shpëlarje të ndërgjegjes si ato të nobelistit gjerman G. Grass janë ende të huaja dhe të largta për të.
Për fat të keq, në rastin e Havzi Nelës, s'mund të flitet kurrsesi për pendesë ose, çështja mund të shtrohej pak si më ndryshe: përpjekja e jashtëzakonshme e atyre që projektuan dhe realizuan krimin 19 vjet më parë për të shmangur sot me çdo kusht pendesën, si shenja më e parë dhe më e dallueshme për të fshehur krimin. Kjo gjë, pra mund të jetë e barazvlefshme me përpjekjen për të mbuluar përsëri krimin, si shenjë tjetër se ky lloj krimi kish ndodhur në tjetër planet dhe jo në një nga udhëkryqet e Kukësit, sikur ky krim të kish ndodhur në një kohë tjetër, ndoshta dhe para lashtësisë, por jo dy vite më parë se të rrëzohej diktatura.
Atëherë, ç'kish bërë ky njeri, ky krijues me shpirt të ndjeshëm dhe lirik, ky mësues pasionant i gjuhës dhe letërsisë, të cilin fati e ndëshkoi aq mizorisht? Fati nuk qe përplasur rastësisht me të. Kish kryer shkollën e mesme pedagogjike dhe për disa kohë punoi mësues në Plan të Bardhë të Matit. Ia ndërpresin punën dhe e dërgojnë ushtar, në Elbasan. Mbas kryerjes së shërbimit ushtarak ndjek studimet e larta me korrespondencë. Ndërkohë, punoi si mësues në katundet Krumë, Lojme, Shishtavec, Topojan.
Qysh në shkollë të mesme u shfaqën kundërshtitë e tij të para ndaj padrejtësive të sistemit të kohës, nisi të formësohet dhe të marrë frymë ndjenja e rebelizmit ndaj padrejtësive të sistemit që po i ngrinte në sistem.
Më vonë, në Shishtavec të Kukësit, më 20 prill 1967, në një tubim Havzi Nela reagon ndaj tri kërkesave të pushtetarëve vendorë, si futja në kooperativën bujqësore, prishja e kishave dhe xhamive, ndërrimi i veshjes: "Populli asht i sëmurë, tri gjylpëra menjiherë nuk e shërojnë, por e shkatërrojnë..."
Kish kërkuar të mos prishej struktura shpirtërore dhe ekonomike e njerëzve. Mu për këtë, fjalët e tij shkaktuan një trazim në krejt mjedisin e indoktrinuar, por dhe një lëvizje të ethshme të hallkave të pushtetit për të mbytur atë lloj drite që po përpiqej të dilte nga mesi i errësirës. Këtu do të niste drama e Havzi Nelës.
Në atë kohë, verbëria kolektive po përfshinte ngadalë-ngadalë njerëzit dhe të zhyteshe në të, ish njëlloj sikur të shkoje qorras dhe kjo gjë po kthehej në një ritual të përditshëm. Një alarm i tillë u shtri edhe në shkollën ku punonte mësuesi Havzi Nela, në Topojan, pesë ditë mbas mbledhjes në Shishtavec. Në hetuesi, ai i kthehet përsëri të shpjegojë atë klimë të ftohtë dhe të ashpër që u krijua ndaj tij, si dhe dhembjen e madhe se ish i detyruar të largohej nga shkolla:
"Me datë 26. 4. 1967, mbasi bana 3 orë mësim në orën e leximit, në klasën e VI-të, duke i ba komentin vjershës "Shko dallandyshe" të Filip Shirokës, përnjiherë jam emocionue tepër dhe desh më shpërtheu vaj. E ndërpreva komentin dhe librin ia dhashë nji nxanësi, ndërsa vetë po shëtitsha në klasë për të mos kuptue nxanësit..."
Nuk e dise në ç'strofë të vjershës prekëse të Shirokës pat mbërritur gjatë komentit letrarmësuesi Havzi Nela, poria vlen të besosh se kjo poezi që po komentonte në orën e fundit të mësimit, dhe për të mos u parë më me shkollën gjithmonë e jetë, duhet të ketë lënë përjetime të mëdha në shpirtin e tij. Edhe pak orë dhe do të bëhej gati të largohej nga vendi i tij i lindjes, por dhe të arratisej nga ai mjedis mbytës që po i kthehej në pezmatim të vazhdueshëm dhe njëkohësisht t'i shpëtonte arrestimit që ndihej se s'do të vononte. Po atë natë, së bashku me bashkëshorten, Lavdije Nelën, duke marrë me vete një çantë me libra dhe me krijimet e deriatëhershme në poezi e prozë, nisen të kalojnë kufirin dhe me synim drejt një vendi të lirë, siç ishte Austria.
Në atë natë të vonë të 26 prillit të vitit l967, gjatë kalimit të kufirit, Havzi Nela shënoi në një fletë blloku vargjet: "Lamtumirë, Atdhe i dashun,
Po të la, po, zemërplasun".
Në ikjen apo arratisjen e tij, ai gjeti kohë të jepte një kumt (pikërisht kur koha mungonte se në çdo moment mund t'i shkonte kryet), të lëshonte një mesazh se po linte vendin e tij përmes një trazimi të madh shpirtëror. Prandaj lamtumira e tij qe e përvajshme.
Ridënimi
Po citojmë vetëm një pjesë të fjalës së tij në debat me hetuesin në gusht të '75-s, kohë kur do të ridënohej edhe me tetë vite të tjera për "agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor". Është po njeriu i vitit 1967, por tani, më i konsoliduar para vuajtjeve të tjera që e presin:
"...Lidhur me fenë, ajo duhet të ishte lënë e lirë nga shteti për ta ushtruar populli, mos të merreshin masa kaq të forta që ajo të zhdukej, por partia të bënte propagandën e saj gradualisht. Me një fjalë, unë jam njeri besimtar dhe besoj tek feja.
Përsa i përket kolektivizimit të bujqësisë, unë kam mendimin se është shpejtuar në zonën e malsisë, se atje është përdorur edhe forca për t'i futur njerëzit në kolektivizim edhe kur ata kanë kundërshtuar...
Përsa i përket rinisë: unë them se ajo duhet të lihet më e lirë në drejtim të veshjes, të gustos e të jetesës, e të mos idiktohet si të vishet e të qethet, por jam edhe me atë që ajo të mos rrëshqasë nga tabani kombëtar i saj..."
Nis shtegtimin nëpër burgje, për rreth 20 vite: Elbasan, Vlorë, Spaç, Burrel, Ballsh, Qafë-Bari. Më 1976, nga burgu i Burrelit pat fluturuar me mendje në katund, dhe pat parë shtëpinë e tij, ashtu "gjysma n'kambë e gjysma rrëzue", por dhe "me oborrin bâ lëndinë".
Kish kërkuar t'i ikej hakmarrjes dhe shoqëria të ecte sipas normave civilizuese. Mesazhi që ai përcillte nga burgu, qe mesazhi për njerëzoren dhe mirëkuptimin:
"Shpejt gjithçka ka me marrë fund. Ne do mbyllim shumë gjana dhe do sillemi si njerëz, se përndryshe nuk e merr kurrë vetin Shqipnija. Gjaku me gjak nuk lahet se bâhet një pellg tjetër gjaku që s'e lan e s'mundet me e la kurrën e kurrës të parin"
Për fat të keq, në ato vite, bashkëjetesa me të keqen, një lloj konformizmi i çuditshëm, qe kthyer pothuajse në një përditshmëri, qe shndërruar në një bashkëjetesë patologjike dhe liria, qe kthyer thjesht në një iluzion. Prej mungesës së plotë të lirisë, kalon në një liri të përgjysmuar apo në një liri të çerektë. Pas disa muajsh qëndrimi në katundin e lindjes, në Kollovoz (saktësisht 10 muaj pa 5 ditë, siç do t'i shpjegohej hetuesit, pak kohë para dënimit më të mbramë), sapo kish nisur të rindërtonte shtëpinë, internohet në Arrën të Kukësit, një katund i mbështjellë rreth e më rreth prej varfërisë. Qëndrimi në Arrën, me sa shihet është pjesa më dëshpëruese në jetën e tij.
Një ditë pas largimit nga vendi i internimit, punonjësit e sigurimit i kontrollojnë valixhen e vetme në dhomën ku kish ndenjur dhe i gjejnë si pasuri: një triko leshi të përdorur dhe një kanotierë po të përdorur. Në ditën e ekzekutimit të tij, i veshur me një palë rroba të çngjyrosura, si të ruajtura tamam për atë ditë.
***
Nëpër burgje ka vazhduar së krijuari, por çdo varg duke e mbajtur brenda në tru, pa pasur mundësi ta hedhë në letër. Vargjet është përpjekur t'i rimojë me anë të gishtave. Kur ka gjetur mundësinë t'i hedhë vargjet në fletore, sikur është liruar prej etheve të gjata të krijimit.
Ajo çka ruhet është pak, shumë pak. Përveç humbjes fizike, kjo është pa dyshim një humbje tjetër e madhe. Kanë mbetur copëra rrëfimesh të bashkëvuajtësve të tij për të. Por kanë shpëtuar 6 fletore me poezi të viteve të burgut dhe një e vetme në kohën e internimit. Nga letrat e burgut, njihen, së paku tani për tani, vetëm 39. Kanë humbur shkrimet që ka marrë me vete në arratisjen e '67-s, siç ka humbur edhe një roman i shkruar në burgun e Burrelit. Kanë mbetur të plota dhe të padëmtuara 6 dosje hetimore dhe gjyqësore me 435 faqe, ku mund të gjykojmë më tepër mbi mendimet e tij rreth regjimit dhe moralit të tij.
Ndërsa, lodhja dhe dëshpërimi i shfaqur sidomos në pjesën e fundit të jetës së tij, në kohën e qëndrimit në Arrën si i internuar, është pjesa më e prekshme dhe e dhembshur e jetës së tij: sapo kish nisur të rindërtonte shtëpinë e lënë si të gjymtuar që para 20 viteve dhe po bënte përpjekjet të riniste jetën familjare thuajse nga e para, e internojnë, e veçojnë dhe e mbyllin brenda një shkretie të pafund, si paralajmërimi më i dukshëm se do përpiqeshin ta zhduknin që të mos i mbetej as nami dhe as nishani. Ta zhduknin siç zhduket bryma e mëngjesit.Sikur ai të mos kish ekzistuar kurrë ndonjëherë në këtë jetë.
***
Është folur shpesh se ai edhe për dy vjet dhe s'e mbërriti lirinë, por askush nuk mund ta merrte me mendse n'atë gusht të 1988-s,liria kish qenë aq pranë. Aq pranë për të tjerët, por jo për të. Kur flitet kështu, duket se çdo fjalë për të tani sikur është një lloj shfajësimi ose kompensimi për humbjen e tij, në radhë të parë për humbjen fizike dhe njëkohësisht edhe për një humbje tjetër: ai s'arriti ta shihte lirinë.
Prandaj, në qoftë se do të nisej të flitej për të, të vizatohej sadopak portreti i tij, aq sa mund të vizatohet jeta e një njeriu të mbështjellë kahmos me vija të ferrit, ndoshta vargu: "Ç'domethënë të digjesh krejt, e di vetëm hiri"( J. Brodskij ), do t'ish më i qëlluari për të hapur siparin e dramës, ose, më së pakti, mund të shërbente për të parë majën e ajsbergut të vuajtjeve të tij.
Kalvari
Për të vëzhguar tablonë e mundimeve të Havzi Nelës, në rast se e heqim kapakun për të parë ferrnajën, me lehtësi mund të vërejmë se fijet e saj janë futur në trupin e tij si gjilpëra tejpërtej:
22 maj 1967 - dënohet me l5 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë, ndërsa bashkëshortja e vet me 10 vjet të lirisë.
8 gusht 1975 - ridënohet me 8 vjet heqje lirie.
19 dhjetor 1986 - lirohet nga burgu.
12 tetor 1987 - internohet në Arrën.
15 qershor -arrestimi në katundin Brekijë.
15 qershor, ora 12 e mesditës - nis procesi hetimor.
24 qershor 1988 - dënimi i katërt, ose dënimi fatal.
25 qershor - bën ankim pranë Kolegjit penal të Gjykatës së lartë.
16 korrik - Këshilli gjyqësor i Kolegjit penal të Gjykatës së lartë lë në fuqi vendimin e
Gjykatës së rrethit Kukës
2 gusht - Presidumi i Kuvendit Popullor miraton vendimin për ekzekutimin e Havzi Nelës
10 gusht 1988, ora 2 mbasmesnate – ekzekutimi me varje në Kukës, tek stacioni i autobuzëve.
10 gusht , ora 11 e paradites - trupihiqetnga vendi i ekzekutimit.
11 gusht, ora l mbasmesnate - trupi futet në gropë
1. Tek fletorja numër 1, kur ka shkruar poemën "Konferenca e Helsinkit", dhe "Tirani ynë", në faqen 21 ka lënë edhe këtë shënim:
"Kjo poemë që unë e ruaj akoma në mendje, mendoj se asht ma e mira nga këto që kam krijue në burg dhe që i ve vulën periudhës trevjeçare në Shqipni. Ka mbrend epikë dhe satirë, por ma tepër përmban gjendjen e mjerueme të popullit shqiptar dhe terrorin e egër që ushtrohet mbi të dhe demaskimin e hapun që i bahet sistemit politik të kohës nëpërmjet demaskimit që u bahet udhëheqësve të sotëm shqiptarë; të atyne që vdiqën dhe atyne që janë gjallë. Shtylla qëndrore e urrejtjes dhe e demaskimit tim qëndron Hoxha.
I lutem atij që do të mund t'ia dorëzoj dhe që nuk di se kujt mund t'ia dorëzoj, të m'i ruejë me shumë kujdes dhe asnjiherë të mos i mbajë pranë vetes".
Qafë-Bar, me 5 shkurt 1983
2. Nga letra dërguar Lavdijes, më 16 shtator 1968, nga burgu i Vlorës:
Unë i kam vu vehtes për detyrë të ruej nderin dhe dinjitetin tim si njeri, të ruej pastërtinë e shpirtit dhe të zemrës dhe fytyrën të papërlyeme, ashtu si dje jasht, edhe sot këtu brenda, tërroj dhe të vdes si njeri.
Nga burgu i Vlorës: 10 mars 1969
Vlorë, me 10.3.1969
Civilizimi nuk fitohet në burg, por jashtë, në jetën e lirë. Në burg ti duhet të kesh fitue përvojën e jetës, pjekuninë mendore dhe kalitjen e forcimin e karakterit e të moralit...
NË QELIT E BURGUT
Në qelitë e burgut pa ajr e pa dritë,
Fryma po më merret, m'janë terrue sytë.
Po dergjem i mjeri, mbahem, rroj me shpresë,
Jeta m'u randue, dëshirë nuk kam të vdes.
Mishnat po shkallmohen, kockat më kërcasin,
Barkun gjithmonë unshëm, policët bërtasin.
Pres t'afrohet ora, pres të hapet dera,
Pres t'më sjellin ngranjen si kafsha e mjerë.
Unshëm ulem ha, ma unshëm kur çohem,
Nuk qahem pse soset, skamjes s'i nënshtrohem;
I nënshtrohem ligjit, jetoj me rregulloren,
Dhe po t'jeshë lypsar, s'ke kujt t'ia shtrish dorën.
Dit' e netë i mbyllun, si zogu n'kuvli,
Për shtroje e mbloje me tri batani!
Batani të vjetra, as njena as tjetra,
Gjith pluhun e llum, janë ma trash se letra.
Kur vjen orë e gjumit, kur shtrihem me fjetë,
Mendja m'arratiset, shpërndahet si retë,
Po merr fushat, malet, ikën, më le mu t'zinë
Fluturon e s'ndalet, s'e duron robëninë.
Sa n'nji krah, në tjetrin, ikë nata, kalon,
Mpi e fort ligështue, polici më zgjon!
Lind nji ditë e re, krejt si ditët e tjera,
Unë shpend i ngujuem, pres të hapet dera.
Ah, kjo derë e randë, kjo qeli kobare!
Ma cfilitin trupin, zemra s'ndihet fare;
Me durim përgjoj kur do t'ma hapin derën,
Po e pres lirinë si zogu pranverën!
Nga Petrit Palushi
Burimi:www.shekulli.com
No comments:
Post a Comment