Monday, May 17, 2010

Krismat e Lirisë ! Shkrime kushtuar luftes se Kosovës per Liri dhe Pavarësi!

Thirrja e atdheut ishte shpërndarë në të gjitha skajet e botës, ndërsa pushkët e lirisë po thirrnin djalërinë shqiptare anembanë botës për t’ i dalë zot atdheut. Sepse dheu i Kosovës po digjej e përgjakej në çdo cep nga ushtria barbare e okupatorit serb. Shkrumbi e gjaku që derdhej damarëve të tokës sime e shpon dhembjen e çdonjërit shqiptar jashtë atdheut. Dhe djalëria militante tani po i ktheheshin atdheut, pushkëve të lirisë. Në korrik të nëntëdhjetenëntës i gjeti gati drejt Malësisë së Vërrinit. Gjithçka e kishin bërë gati, rrobat, armët dhe gjërat e tjera të nevojshme për udhëtim. Mëngjesi i së shtunës, i gjeti të zgjuar; gjatë tëtë natës ata nuk bënë një sy gjumë. Duam të çmallemi, thoshte Rexha, pastaj lufte është dhe kush e di a shihemi më, dhe nëse shihemi, vetëm në Kosovën e lirë. Kur i tha këto fjalë, sytë iu mbushen me lotë, vetëm në liri, shtoi Sabriu e Qaza që ishin bërë gati për nisje. Fokusi i kamerës, shënonte çastet e fundit të kujtimeve me vëllezërit dhe shokët në mërgim.
Me t’u nisur shumicës iu mbushen sytë me lot, por secili mundohej të përmbahej përpara vullnetarëve të lirisë. Betimi në flamur, përpara nisjes, u dha forcë të gjithëve, ngaqë mu nga zemra e alpeve po niseshin trimat e atdheut me flamurin kuq e zi në gji. Televizioni zviceran shënoi edhe intervistën e parë publike. Po shkojmë për të vdekur, tha Rexha. Për lirinë e atdheut, të djemve të Vërrinit shënuan fundin e nisjes së tyre vullnetare në rrugën e atdheut. Prapa tyre mbetën kujtimet e viteve në mërgim, që ndrynin në vete, duke u ndarë kush e kush me ata që kishin kaluar një kohë të gjatë; kish të atillë që nuk mund të rrinin pa qarë, në ndarje, por edhe gjatpëe rrugës. Atdheu, megjithatë ishte pika më e dashur dhe vetëm ai mund t’ua lehtësonte dhembjen...1998
 


ÇLIRIMTARËT
Dritëdielli sa po i shpërndau rrezet, mbi malet e mbuluara me borën e fillimmarsit që shkrihej ngrohtësisë së pranverës që po vinte. Komandanti i kishte rreshtuar ushtarët e tij dhe po u caktonte detyrat e ditës që po fillonte. Ai po e kontrollonte gatishmërinë e secilit nga ushtarët dhe gjendjen e tyre fizike, ndërkaq për peshën e detyrave që do t’ ua ndante nuk ishte edhe aq problem. Ndërkaq, ata që gjatë tërë natës kishin bërë roje, duhej të zëvendësoheshin për të pushuar ca natën. Një zë që erdhi nga fundi i fshatit, e tërhoqi shikimin e të të gjithë që i pritnin detyrat, ndërsa komandanti bëri disa hapa mbrapa dhe shikimin e përqëndroi tek vasha që po vinte drejt tyre. Kurioziteti e ngacmonte, ndërsa ajo gjithnjë e më tëpër i afrohej shtëpisë kazermë, ku ishin të vendosur ushtarët. Çka ndodhur? thirri me zë të lartë komandanti, kurse jehona e zërit u shpërnda teposhtë grykës prej nga lidheshin rrugët e fshatit. Ajo nuk po mund të përgjigjej, lodhja ia kishte marrë fuqinë, dhe me dorën që e shtrëngonte gjoksin, mundohej të ruate frymmëmarrjen, që ia kishte shpejtuar vrapi. Po vijnë ushtria armike, me tanke e blinda, erdha t’ju lajmëroj, mezi i nxori fjalët ajo. Ju lutem, më jepni dhe mua një pushkë, iu drejtua komandantit. –Të gjithë nëpër pozicione dhe detyra urdhëroi komandanti, ndersa ti, iu drejtua vashës, ke bërë punë të mirë për lajmin e sjellë. Tani tani do të isha lutur të largohesh nga zona, sepse këtu do të këtë luftë. Më vjen shumë keq që duhet t’ ua kthej urdhërat, por unë kam ardhur të luftoj bashkë me ju. Ju lutem me jepni një pushkë. Komandanti duke e parë këmbëngultësinë e vashës, i zgjati automatikun që e mbante në dorë. Ja ia automatikun tim dhe këta karikatorë me fishekë. Ajo rrëmbeu armën dhe u nis vrapë drejt pozicioneve nga shkuan ushtarët tjerë. Krismat e tankeve armike të drejtuara në drejtim të pozicioneve të UÇK-së paralajmëruan fillimin e luftës së asaj dite të përgjakshme. Lufta s'pushoi deri në mesin e natës që erdhi. Deri në plumbin e fudit luftuan tre njësitet kundër tremijë e tetëqind ushtarëve dhe arltilerisë armike në mbrotjen e trojeve stërgjyshore. Borën e pranverës e mbuloi gjaku, ndërsa rënia e tyre me shikimin kah dielli, e solli pranverën e lirisë në Kosovë.
1999
 
ATA RANË ME KËNGË NË GOJË

Krismat e armëve mbyteshin jehonës që e përcillnin bjeshkët përreth fshatit. Ndërsa lufta që po vazdonte pa ndërprerë, mbillte vdekje kudo. Rruga e lirisë, e zgedhur nga ushtarët trima që luftonin për çlirimin e atdheut, hapej shkëlqimit të tyre nëpër vijat e frontit, kundër pushtuesit. Zjarr thirri komandanti, derisa hodhi bombën, në drejtim të tankut të armikut serb, që po u afrohej pozicioneve. Gjithçka u mbulua në flakë; tanku dridhi tokën rreth pozicioneve; jehona e krismës ndërkaq mbushëlloi malet. Kënga që buronte nga zëri i hollë i komandantit, vazhdoi pas jehonës së krismave. Ndërsa vargu: “Bini djema gjithë sa jemi, luftën mos me e ndalë”, u shpërnda pareshur tek ushtarët e lirisë, të cilët e përcillnin nga goja e tyre, bashkë me krismat. Dhe vargu i këngës vazhdonte: “T'gjithë së bashku për atdhe, jetën kem me dhanë”. Mesit të krismave të pushkëve, kur jehona e tyre tretej në zemrën e maleve, ritmi i këngës përhapej me jehonën e valeve që mbushëllonin malësisë, dhe me vete bartnin moralin e lartë të forcës dhe të luftës për lirinë e atdheut. Dhe kënga s'ndalej, buqimës së krismave të pushkëve, që e përcillnin ritmin e saj. E tërë ajo ditë pranvere me malet e veshura me borë, e treti këngën dhe gjakun, të atyre, që i falen shkëlqimin atdheut.

(Malësi e Vërrinit, 1999)
 
 
Krismat e Lirise..
 
Nëpër shekuj populli ynë ka bërë luftëra për liri. Jeta dhe vdekja e tij kanë qenë të lidhura gjithmonë me fatin e atdheut.
Atdheu ka qenë dhe ka mbetur i shenjtë për shqiptarët. Liria e tij është parë e kërkuar vetëm përmes pushkës dhe luftës kundër pushtuesve.
Kujtesa historike është rifreskuar çdoherë me beteja, me trimëri të pashoqe të bijve e bijave më të mirë të këtij trualli.
Epopetë e lavdishme i gjasojnë shpeshëherë njëra- tjetrës, ashtu siç i gjasojnë trimat njëri –tjetrit. Shumë ngjajshmëri kanë edhe rëniet e tyre heroike.
Ky popull i vogël, por me zemër të madhe ka patur gjithnjë në gjirin e tij patriotë që i kanë vazhduar përpjekjet me pendë e me pushkë për liri e bashkim kombëtar.
Kur kujtojmë epokat dhe përpjekjet e parreshtura të popullit shqiptar nëpër luftëra, kujtesa historike na shpie në betejat e Skënderbeut, Isa Boletinit e Sylejman Vokshit, Mic Sokolit e Bajram Currit, Çerqiz Topullit e Idriz Seferit, Ademit e Hamzës...e shumë e shumë trimave të tjerë, që jetërat e tyre ia kushtuan lirisë së atdheut.
Të gjitha këto lavdi dhe heroizma si një fill i kuq patën një rrjedhë të natyrshme, të pandalshme që çoi pashmangshëm në betejen e Prekazit të paepur dhe në krismat e pushkëve të Ademit, Hamzës e të Jasharajve të tjerë kundër pushtuesit serb. Këto krisma pushkësh të lirisë jehuan fort. Ato ishin ai kushtrim i madh, se çlirimi i atdheut do të ketë vetëm një rrugë, atë të luftës së armatosur.
Përkushtimi dhe atdhedashuria iu dhanë zemër përballë tanksave të armikut. Në zemrat e tyre vlonte urrejtja e popullit kundër pushtuesit.
Në luftën e pabarabartë, krismat i shoqëronte kënga e trimave, kulla nuk jepej sepse trimat ishin bërë mburojë e saj.
Armiku tmerrohej nga qëndresa e Prekazit, nga heroizmi i heronjëve brenda kullës. Pas një beteje titanike bien trimat në fushën e nderit dhe ndalen krismat brenda kullës, por si rrufe përhapen krismat e lirisë në tërë Kosovën.
Lufta dhe rënia e tyre është vetë madhështia. Heroizmi i tyre u bë shqipe në flamur, e cila iu priu qindra e mijëra luftëtarëve të tjerë nëpër beteja.
Ata historinë e shkruan me gjak sepse vetëm kështu kishte kuptim liria.
Ata e flijuan jetën për lirinë sepse vetëm kështu kishte kuptim jeta.
Ata me gjakun e tyre i dhanë ngjyrë flamurit që të rrezatojë në tërë kombin.
Ata kishin zemër të madhe. Të tillët i duhen atdheut. Lufta për lirinë e tij kërkon jetën e tyre.
Ata ia dhanë që flaka e luftës çlirimtare të pushtojë shpirtrat dhe zemrat tona.
Ata ranë heroikishtë që populli të ngritet trimërishtë.
Ata e përqafuan luftën që atdheu ta gëzojë lirinë.
Ata sakrifikuan familjen që të jetojë kombi.
Madhështia e veprës së tyre nuk do të pajtohej me “pako” e kufizime të lirisë sonë sepse idealet dhe shpirti i tyre ishin: liria e plotë, pa kufizime e kushtëzime.
Ata ishin të vendosur për çlirim e bashkim sepse kishin bërë një vetëm një betim.
Ata kishin vetëm një ideal- Shqipërinë e lirë dhe të bashkuar në terësinë e saj.
 
 
 
 Burimi:
http://ambra.forumattivo.com/historia-shqiptare-f7/krismat-e-lirise-t1553.htm

No comments: