Besa ne kanun !
Me kultin e nderit është i lidhur kulti i fjalës së dhënë, ose, siç njihet ndër shqiptarët, “kulti i besës”. Kjo është një fjalë që nuk ekziston në shumicën e gjuhëve të botës. Në gjuhët ballkanike ekziston si fjalë e huazuar nga gjuha shqipe. Shpesh, në përkthime prej shqipes, fjala “besë”, duke mos pasur barazi kuptimore me një fjalë a frazeologjizëm të gjuhës tjetër, jepet në formë shënimesh shpjeguese, si një dukuri e botës shqiptare, si albanizëm.
Besa, ose kulti i fjalës së dhënë, lidhet në burim me mitin biblik të fjalës: “Në fillim qe fjala!”. Më parë se të ishte shkrimi, kontrata, marrëveshja, noteria, gjyqi, shteti, popujt, njeriu, bota vetë, ishte fjala. Ky kult madhështor, i cili, në popujt euro-perëndimorë, pak nga pak mori karakterin e një idiome fetare kishtare, tek shqiptarët ruajti gjurmën e burimit.
Lidhja në fjalë (për fjale) përbënte për kanunin autoritetin më të lartë. Të gjitha marrëdhëniet: në gjini, në fis, në famulli, në bajrak dhe në nivelin e bashkësisë etnike, madje edhe marëdhënie ndëretnike, mbaheshin në fjalë.
Besa është testamenti moral i shqiptarëve qysh prej periudhave mitologjike. Dy baladat më të rëndësishme të folklorit shqiptar, me motivin e murimit dhe motivin e ringjalljes (flijimi për ngritjen e një ure dhe ngritja e vëllait nga varri për të kthyer motrën në familje) lidhen me mbajtjen e fjalës së dhënë.
Në kanun thuhet se “e folmja asht e falme”: çfarë premtohet, duhet të kryhet.
Besa shqiptare, e njohur tek bullgarët dhe rumunët pikërisht me emrin “besa”, kurse tek sllavët e jugut si “arbanaska vjera” (fj. për fj. “ajo që besojnë shqiptarët”) është virtyt themelor i tyre, trashëguar prej të parëve.
Burimi:Kombi.im
No comments:
Post a Comment