Tuesday, May 18, 2010

Havzi Nela, ende pa marrë pafajësinë .... Mori titullin “Nderi i Kombit”, por figura e disidentit nuk është rehabilituar !

Havzi Nela, ende pa marrë pafajësinë !

Mori titullin “Nderi i Kombit”, por figura e disidentit nuk është rehabilituar
Martiri i demokracisë poeti disident, Havzi Nela, për idetë e tij të shprehura publikisht u përndoq nga Sigurimi i Shtetit për 25 vite rresht derisa më 10 gusht të vitit 1988 u ekzekutua me varje në litar. Pas vitesh pluralizmi politik një prej figurave të rehabilituara dhe glorifikuara është Havzi Nela, i cili u dënua me vdekje pas një kalvari të gjatë e të tmerrshëm burgimi, torture, internimi e survejimi. E varën në litar më 10 gusht 1988. Trupi i pajetë i Havziut mbeti i varur nga mesnata e deri në mesditë që kolektivat punonjëse të shkonin ta vizitonin te vendi i quajtur “Agjencia”, në lindje të Kukësit. Kështu, pas më shumë se dy dekadash gjërat ndryshuan pozitivisht dhe Havziu tashmë është Nderi i Kombit, me dekret të posaçëm të Presidentit Topi.
Me gjithë titullin e madh, Havzi Nela, mbetet ende një figurë e pa vlerësuar siç duhet. “Havzi Nela vazhdon ende të persekutohet nga një pjesë e shoqërisë dhe kjo vjen për shkak të një mungese të humanizmit...”, thotë shkrimtari Petrit Palushi, i cili është i vetmi kurator i trashëgimisë së martirit. Ai që në vitet ‘90 ka mbledhur dhe botuar vjershat e Nelës, ndërsa kohët e fundit ka botuar edhe tre libra për Havziun, përkatësisht një libër me vlerësime për të, një me poezi të zgjedhura, si dhe një monografi. Palushi kujton faktin që Avziu ende nuk e ka marrë pafajësinë me vendim gjykate, ndonëse merr një vlerësim shumë të lartë nga ana e Presidentit të Republikës. Sa qe gjallë atë e përndoqën gati që të gjithë, nuk e lanë të qetë as në kasollen ku e kishin internuar në Arrën, në fund të viteve ’80, ku një polic shkonte dhe e shqetësonte kur shkruante vjersha. Edhe sot Havzi Nela nuk mund të quhet figurë plotësisht e rehabilituar përderisa ata që e survejuan dhe spiunuan, ata që ndikuan në denigrimin dhe sakrifikimin e tij nuk kanë kërkuar ndjesë publike. Nga ana tjetër, një numër institucionesh janë përpjekur ta vlerësojnë, duke e shpallur qytetar Nderi të Qytetit të Kukësit (post mortum), më pas Nderi i Qarkut të Kukësit e së fundi edhe Nderi i Kombit.
Kush ishte Havzi Nela 

Ai kishte lindur në Kollovoz të Kukësit më 1934. Pas mbarimit të shkollës fillore dhe të mesme në Kukës ai ndoqi institutin pedagogjik në Shkodër. Prej aty u përjashtua me vizë të kuqe dhe u dërgua në Plan të Bardhë të Matit, si mësues. Edhe prej këtu përjashtohet, siç thuhet, për krijimtari letrare “të dënueshme”. Pas shërbimit ushtarak mbaron institutin në Shkodër me korrespondencë pas të cilit punon si mësues në zona të ndryshme të Kukësit. Viti 1967 ishte për Havziun viti fatal. Ai i transferuar në Topojan, kundërshtoi hapur fushatat e sistemit komunist për kolektivizimin, shembjen e institucioneve fetare dhe ndërrimin e veshjeve... Këtu filloi përndjekja. Pas analizave të njëpasnjëshme që do të përfundonin në gjyqe të rrepta dhe burg, ai arratiset jashtë shtetit në Kosovë (në atë kohë Jugosllavi) nga ku kthehet në këmbim të kthimeve të tjera që kishte aplikuar në atë periudhë Sigurimi i Shtetit. Vuajti burgun bashkë me të shoqen deri në vitin 1988, kur edhe u var në litar. Disa herë u dënua në burg apo u internua pas mbarimit të dënimit të dhënë me vendim gjyqi. Herën e fundit ai ishte i internuar në Arrën, një zonë e thellë e Kukësit. Ai la mjaft vjersha në dorëshkrim një pjesë e të cilave u botua në vitet ’90 nën titullin “Pa një ditë lumnie”, si dhe letra dhe shënime të tjera. Thuhet se në burg ai shkroi edhe romanin “Jetë e zezë”, por ende nuk ka njoftime për ekzistencën e tij. Në vitet e pluralizmit, pikërisht në vitin 1994, në kuadër të rehabilitimit të mjaft figurave të persekutuara Hafzi Nela u shpall “Martir i demokracisë”. 16 vjet më vonë, pikërisht në maj të vitit 2010 Havzi Nela vlerësohet me titullin “Nderi i Kombit”.
Retrospektivë procesi dhe ekzekutimi
Në mëngjesin e 15 qershorit 1988 arrestohet në fshatin Brekijë. Atë ditë dërgohet në degën e Punëve të Brendshme të Kukësit dhe në orën 12:00 nis procesi hetimor, i cili përfundon më 21 qershor 1988. Më 22 qershor formulohet vendimi për dënim kapital. Ankimohet pranë Gjykatës së Lartë më 25 qershor, ndërsa më 16 korrik 1988 kjo e fundit lë në fuqi vendimin e gjykatës së Kukësit për dënim me vdekje. Në dosjen e gjyqit të tretë dhe të fundit me 1988 thuhet: “duke parë çështjen në kompleks, interesin e Partisë në rreth, si dhe përhapjen e veprimtarisë armiqësore në rrethin e Kukësit, duhet të jepet dënim kapital. Që t’i shërbehet më mirë parandalimit të veprimtarisë armiqësore në rreth duhet t’i jepet si mënyrë ekzekutimi: vendimi me vdekje e varje, ku mund të ekspozohet i dënuari”. Më datë 10 gusht në orën 02:00 të natës, siç dëshmohet, vendimi u ekzekutua në lindje të Kukësit në rrugën Kukës-Prizren, te vendi i quajtur “Agjencia”. Trupi i pajetë qëndroi në trekëmbësh deri në mesditë, për t’u parë nga mijëra punëtorë “të palodhur” dhe nxënës pionierë të Enverit, duke tmerruar në mënyrë të pashembullt popullin e Kukësit. Mbante këpucë me lidhëse të këputura, duart e lidhura mbrapa, këmisha e zbërthyer te barku ndërsa litari kishte pushuar lëkundjet duke e fiksuar me fytyrë nga Kosova. Në shpinë ia kishin lidhur me tel një karton ambalazhi të makaronave, ku kishin shkruar me një kaligrafi të çrregullt me ngjyrë të kuqe se Havzi Nela dënohej me vdekje në emër të popullit si armik i popullit e i partisë... Njerëzit mbajnë mend edhe çastin kur Avziut të vdekur i kanë rënë kryet në spondin e kamionit kur një prej policëve e ka ngarkuar në mesditë për ta dërguar edhe një herë në qeli. Prej andej natën e ardhshme, siç doli në dritë pas vitit 1990, e kishin bartur nga qelia, apo magazina, e në vendin e quajtur Fushë-Dukagjin buzë rrugës kombëtare 8 km nga Kukësi e kishin rrasur në gropën e një shtylle të tensionit të lartë. Edhe varrin ia kishin gjetur ndryshe nga të tjerët, e kanë rrasur në këmbë duke ia palosur gjymtyrët në mënyrë që ta zinte gropa-varr, pra gropa e shtyllës, dhe e kanë mbuluar me zhavorrin e rrugës. Dhe kalimtarët, vetëm pas vitit 1990 e mësuan se bri udhës Kukës-Tiranë, në themelet e një shtylle të tensionit të lartë ishte groposur një poet...

Burimi:http://lajme.shqiperia.com/lajme/artikull/iden/1046864966/titulli/Havzi-Nela-ende-pa-marre-pafajesine

No comments: