O Kandil Ndriçues!
Nuk jam i bukur por bukurinë tënde e dua. Dua t’i flas zemrës sime me emrin tënd që emri yt të bëhen zemra ime. E në sa copë duhet të ndahet kjo zemër për t’i thënë fjalët e pathëna?
Zemra më thotë se tanimë jam coptuar në kushedi sa copë dhe për t’i thënë të pathënat duhet që të gjitha copat të ngjiten e bëhen një. Si mund t’i bashkojë copat e zemrës sime të shpërndara në errësirë, kur sytë nuk vlejnë asgjë pa dritën? Bota nuk mund të të ndriçoj ty, por ti e ndriçon botën ku bën pjesë edhe zemra ime, edhe sytë e mi. Por, lutja ime qe e kotë derisa pushova të të them: ndizu o kandil dhe më fal dritë sa t’i gjej të gjitha copat e humbura të zemrës. Kandili Yt nuk u ndizka sepse nuk u shuaka ndonjeherë, prandaj drita e tij gjithmonë paska qenë pranë syve të mi, por sytë i paskam pasur të mbyllur. Kur hapa sytë, veten e gjeta në burgun e hapur. Atëherë e kuptova se jam gjallë, por nuk po jetoj, kam, por jam i varfër, nuk jam lyps, por vazhdoj të kërkoj. E si të të gjej ty që s’ke humbur kurrë? Gjurmët që le në rërën e shkretëtirës mes dy qyteteve, fryu era dhe i shpërndau në të gjashtë anët e botës, kështuqë, e gjithë bota u bë gjurmë e jotja. Me fjalët e mia kurrë nuk pata fuqi ta zbukuroja emrin tënd, por me emrin tënd zbukurova fjalët e mia. Të gjithë, kur duhet t’i shmangen rrezikut, dyerve të tyre u vënë drynat, por për ty rrjeta e marimangës bëhet më e sigurtë se të gjitha dyert e drynat. “Nga vini?” – pyeti dikush. Ti i the: “Nga uji”, dhe kështu, e ruaje fshehtësinë duke thënë të vërtetën. Të gjithë jemi nga uji por të gjithëve na merr etja, e ujin e mori etja për ty o Mëshirë e Botëve. Burimet e krojet nisen për t’u bashkuar me detet, e një zemër e mallëngjyer për ty, ndoshta aq sa ka ujë e kripë në det, tha se valët e deteve përplasen mbi shkëmbinj gjithë jetën, duke dashur t’i puthin këmbët tua që ecën në brigje. E gjithë ekzistenca ëshë e mallëngjyer për Dritën e Saj, të gjitha botët flasin për Mëshirën e tyre, përveç të fjeturve. Jeta është ëndërr për të gjithë të fjeturit. Por, shpesh etja është më e fortë se gjumi, prandaj na bënë të zgjohemi dhe veten e gjejmë me mendje tek uji. E sa herë më kujtohet uji, më kujtohen edhe pesë gishtrinjtë tu që bëheshin si pesë burime për të gjithë ata që donin ta shuanin etjen e asaj dite kur dielli të jetë afruar mbi kokat e njerëzve. Që shkretëtira të mos mbetej e shkretë, i duheshin gjurmët e këmbëve tua. Ti ecje mbi rërën e nxehtë, i shoqëruar nga shoku yt besnik, që duke jetuar pranë Dritës së Kandilit tënd, tha se paaftësia për të përceptuar është përceptim. Çdo përceptim është përpjekje për ta arritur një të vërtetë, por çfarë të përceptosh kur je me të vërtetën? Çdo gjë e shohim përmes dritës, por dritën përmes kujt e shohim?
O Kandil Ndriçues!
Pyetjet janë si etja e përgjigjet si uji. Qielli i përgjigjet tokës dhe toka gjithmonë u dorëzohet përgjigjeve të qiellit. Ajo nuk mund të mos pranojë çdo gjë që i vjen nga ai. E si mund të vdesin zemrat në tokë nga etja, duke mos pranuar përgjigjet tua që shembëllehen me “ujin që Allahu zbret prej qiellit, duke ngjallur përmes tij tokën”? (2:164).
Fatmir Muja
Dhjetor 2009
No comments:
Post a Comment