Fshehtësi! Kjo është fjala që emërton ekzistencën tonë. Në botën materiale, ashtu siç e lodhë shikimi syrin, duke vështruar nga toka hapësirën qiellore, edhe mendja e lodhë trupin duke udhëtuar drejt synimit të saj. Dhe prapë fshehtësi! Fshehtësitë nuk i shohim sepse jetojmë me to. Përveç largësisë së madhe, edhe afërsia e madhe na i fsheh gjërat. Duhet ta kesh shumë afër një gjë që të mos mund ta shohësh në tërësinë e saj. Kur dy fytyra afrohen tepër afër njëra-tjetrës, ato më nuk e shohin njëra-tjetrën. Sa më shumë që numërojmë aq më shumë rritet shuma dhe sa më shumë që zbulojmë aq më shumë shtohet fshehtësia.
Prandaj, është thënë se njeriu ka zbuluar shumë fshehtësi duke ngelur vetë fshehtësia më e madhe! Por, njeriu është e vetmja qenie në tokë që futë kokën e vet në mes dy gjunjëve dhe mendon për të fshehtën e tij. Ai është e vetmja qenie që ka zbuluar zjarrin, prandaj edhe i tërhiqet vërejtja me dënim në zjarr. Ai është e vetmja qenie që parashtron pyetjen pse dhe përgjigjet me sepse. Pse-të dhe sepse-të e tij nuk kanë fund sepse ai u krijua për pafundësinë. Mirëpo, mendja e mbyllur brenda mureve të burgut të ekzistencës së kësobotshme, dëshmon vetëm për gjërat që takon në këtë burg dhe supozon për gjërat që gjenden jashtë tij. Megjithëkëtë, derisa mendja robërohet, zemra vazhdon të jetojë e lirë duke u tërhequr nga fshehtësia e jetës. Të menduarit e lodhë trupin por të dashuruarit nuk e lodhë zemrën. Bile, as atëherë kur zemra vuan nga dhimbjet që ia shkakton i dashuri, ajo nuk heq dorë nga ai. Askush nuk mund të mos e pëlqej erën e trëndafilit për arsye se ai ka gjemba dhe nuk mohohet bukuria e tij për shkak se shpohemi nga gjembat e tij.
Nga :Fatmir Muja
Burimi:www.fatmirmuja.com
No comments:
Post a Comment