Zbulohet vendimi i gjyqit që e çoi në litar!
REPUBLIKA POPULLORE S O C . S H Q I P Ë R I S Ë
Nr. 59. Vendimi
Nr.60. Aktit
GJYKATA POPULLORE
RRETHIT KUKËS
VENDIM
NË EMËR TE POPULLIT
Gjykata popullore e rrethi Kukës e përbërë prej:
Agim Hoxha, Gjyqtar
Osman Mula, Anëtar
Isa Laçi, Anëtar
Asistuar nga sekretarja Ikbale
Mema, me pjesëmarrjen e prokurorit
Nikollaq Helmi, në Kukës, me datë 24.06.1998 shqyrtoi në seancë gjyqësore
me dyer të hapura çështjen penale nr. 60 që i përket:
Të pandehurit Havzi Nela, i biri
Shabanit dhe i Xhevries, i
datëlindjes 1934, lindur në Kollovoz
dhe banues në Arrën, me origjinë shoqërore fshatar i varfër,
dhe me gjendje shoqërore punëtor, i dënuar dy herë më parë në bazë
të neneve 47/ gj dhe 55/ J e K.Penal, profesioni mësues me arsim
të lartë, arrestuar më datë 17.6.1988
AKUZUAR
Për tradhti ndaj atdheut në formën e arratisjes jashtë shtetit,
terror dhe armëmbajtje pa leje, në bazë të nenit 47/ gj - 11, 50 /1 224
të kodit Penal.
Gjykata, pasi shqyrtoi materiale te dosjes hetimore Nr.109, provat e
marra gjatë zhvillimit të gjykimit, pasi dëgjoi prokurorin e kërkoj deklarimin
fajtor të pandehurin për veprat penale të parashikuara nga
nenet 47/ gj e 11; 50/ 1 e 224 të K.Penal dhe dënimin përfundimtar: me vdekje me varje në litar.
Dhe e varren kanibalet ne mes te qytetit te Kuksit dhe e lane te varur qe te kallnin tmerrin te gjithe qyteti.
Përndjekjet sistematike Me shumë lehtësi mund të përfytyrojmë gropshtinën e vuajtjes të projektuar dhe të ndërtuar përmes një kujdesi a zelli të tepërt dhe e mbyllur në çdo qelizë të saj, por prapë e ruajtur me qindra dryna. Gropshtina nuk ka as hyrje dhe as dalje: brenda saj është i ndrymë H. Nela, një ndrymje për t'i marrë frymën, një lloj përpjekjeje si për ta bërë atë të pendohej pse kish ardhë n'atë botë. Atëherë, mund të marrim me mend gropshtinza të veçanta nëpër të cilat lëviz mundimshëm ai, ku njëra s'i ngjan tjetrës, por gjithkush mund të dallojë se njëra prej tyre është e zbrazët, ku s'duket gjë tjetër, veç një litar që lëkundet në ajrin mbytës. Mu n'atë ferrnajë të vuajtjes vepron çdo qelizë e mendjes së tij ditë e natë. N'atë mbyllje e stërmbyllje, lirinë e gjen vetëm brenda mendjes së vet; këtu veprimi është i plotë, i krejtfuqishëm. Rrjedhimisht, e ngre dhe e ringre atë në përmasat e një institucioni me plot dyer të çelura: një zë që del nga errësira apo terrnimi i paskajshëm, një lloj dëshmie e vuajtjes dhe mbijetesës së tij dramatike; qyshprej aty mundohet të përcjellë një kumt që shpërfill terrin dhe ndrymjen. Mundohet të shohë përmes skëterrës, aq sa mund të shihet. Përpiqet të dallojë dritën, aq sa mund të duket, mu edhe prej aty ku ferri ka zonën e vet më të pushtetshme. Në vitin 1916, mistikun rus G. Rasputin, e helmuan me një helm me të cilin mund të mbyteshin dhjetë vetë, por ai shpëtoi, më pas e qëlluan me revole në shpinë, por prapë shpëtoi, e qëlluan edhe tri herë të tjera dhe që të siguroheshin që ai kishte vdekur përnjëmend e hodhën në lumin e akullt Neva. Përpjekja për t'i marrë shpirtin Rasputinit pati një kohë të shkurtër fizike, ndërsa në rastin H. Nela, përpjekja shtrihet gjatë në kohë. Trupi i tij i stërmunduar po soset vazhdimisht nga viti në vit, sikur të mos jetë trup njeriu, por shtatore që zhvendoset nëpër gropa e gropëza të ferrit. Natyrisht, përmasat e vuajtjes dhe mbijetesës së tij, por njëkohësisht, edhe të një qëndrese thuajse epike, gjer në marrjen e frymës qenë jashtëzakonisht dramatike. Mund të thuhet se kjo është vetëm pjesa e jashtme, si me thënë, orientuese për këdo, për të vëzhguar tablonë e mundimeve të tij. Në rast se e heqim kapakun për të parë ferrnajën e mundimeve, me lehtësi mund të vërejmë se fijet e saj janë futur në trupin e tij si gjilpëra tejpërtej. E kish mbledhë veten dhe e kish parë më të arsyeshme që të mos kryeshtrohej, duke e ndjerë se kryeshtrimi mund të ish vdekje reale për të dhe jo vdekje e jashtme që mund t'i vinte nga gjëra të tjera, vdekje që do t'i vinte shumë kohë më parë se mund t'i vinte vdekja natyrore, me fjalë të tjera, ai tani e kish mbledhë veten se duhej të bënte sakrifica të vazhdueshme që nuk dihej se kur do të sosnin, siç pat menduar se do të kish edhe mundime të të tjerëve për të, dhe kjo do të vinte vetëm atëherë kur ai të kish vdekur, kur s'do t'ish më në atë botë, në atë mbledhnajë njerëzish që s'kish pranuar kurrsesi t'i përshpirtej kujt, dhe mundimet për të do t'ishin vetëm duke kërkuar varrin e tij, varrin që s'dihej se në ç'humnerë mund të hapej shkel e shko. Më 16 shtator 1968, në burgun e Vlorës, shënonte: "Unë i kam vu vehtes për detyrë të ruej nderin dhe dinjitetin tim si njeri, të ruej pastërtinë e shpirtit dhe të zemrës dhe fytyrën të papërlyeme, ashtu si dje jasht, edhe sot këtu brenda, të rroj dhe të vdes si njeri". Tashmë ka nisuë shtegtimin nëpër burgje, duke kaluar për rreth 20 vite, prej njërit burg në tjetrin: Elbasan, Vlorë, Spaç, Burrel, Ballsh, Qafë Bari. Po citojmë vetëm një pjesë të fjalës së tij në debat me hetuesin në gusht të '75-s, kohë kur do të ridënohej edhe me tetë vite të tjera për "agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor". Është po njeriu u vitit 1967, njeriu i rebelimit të madh ndaj hijes së keqe që po lëshohej nëpër Shqipëri, por tani, më i konsoliduar, më vizionar dhe vazhdon të mos tundohet para vuajtjeve të tjera që e prisnin: (H. Nela: Lidhur me fenë, ajo duhet të ishte lënë e lirë nga shteti për ta ushtruar populli, mos të merreshin masa kaq të forta që ajo të zhdukej, por partia të bënte propagandën e saj gradualisht. Me një fjalë, unë jam njeri besimtar dhe besoj tek feja. Përsa i përket kolektivizimit të bujqësisë, unë kam mendimin se është shpejtuar në zonën e malsisë, se atje është përdorur edhe forca për t'i futur njerëzit në kolektivizim edhe kur ata kanë kundërshtuar... Përsa i përket rinisë: unë them se ajo duhet të lihet më e lirë në drejtim të veshjes, të gustos e të jetesës, e të mos i diktohet si të vishet e të qethet, por jam edhe me atë që ajo të mos rrëshqasë nga tabani kombëtar i saj... Përsa i përket standartit të jetës, unë them se standart të mirë jetese kanë popujt e vendeve të perëndimit, si Amerika, Gjermania, Suedia, Franca, etj... gjithashtu atje njerëzit janë të lirë të shkojnë nga një vend në tjetrin pa ndonjë kufizim. Këtë e lidh edhe me atë se në Amerikë, një president zgjidhet me afat për 4 vjet, se atë mundet ta kritikojë cilido e nuk i thonë asnjë fjalë). Gjithsesi, profili i tij, është profili i rezistuesit të shkëlqimtë, i njeriut që u përpoq të kallëzonte dritën në mes të terrnajës së pafundme, i njeriut të pakompromis me të shëmtuarën, të padrejtën, konformizmin dhe antinjerëzoren e diktaturës. Përpiqet të gjejë energji të tilla në vetvete me qëllim që të kapërcejë atë mjedis mbytës. I vetëdijshëm se prej tij tashmë kërkoheshin sakrifica të vazhdueshme, dalngadalë në krejt qenien e tij modelohet dhe merr frymë prometeizmi, me fjalë të tjera, kthehet së brendshmi në një institucion pathyeshmërie. Do thënë se s'është e vështirë të shihet se hetimi në parapërgatitjen e dënimit të fundit, ose në dënimin fatal për të, ka zgjatur pak, jashtëzakonisht pak: vetëm shtatë ditë, siç mund të vihet re me lehtësi se formulimi i vendimit për dënimin kapital është marrë dy ditë para se të zhvillohej seanca gjyqësore. Mekanizmi për realizimin e krimit në këtë rast ka vepruar në formën më të përsosur: aktivizimi i të gjitha hallkave të diktaturës për të përgatitur ditën e festës mortore, ndërsa ai, i vetmuar, i dëshpëruar deri në kulm, i pambrojtur prej askujt, priste në qeli ditën e ndarjes me botën e të gjallëve, me atë botë të shkretimtë që vazhdonte të vegjetonte në konformizmin dhe përgjumjen e saj. Kodi i komunikimit Friedrich Nietzsche pat shkruar: "Ndër ata që shkruajnë dua vetëm atë që shkruan me gjak. Shkruaj me gjak dhe do të mësosh se gjaku është shpirt". Ndoshta ka pasur të drejtë kur ka menduar për një kod të veçantë komunikimi, kod që mund të vinte realisht vetëm përmes gjakut dhe më mbrapa lehtë mund të dallohej se gjaku qe vetëm shpirt, apo si forma më e dukshme e shpirtit. Në pamje të parë, kjo thënie e tij, sikur parasheh vuajtje dhe trandje të mëdha dhe jo vetëm në aktin e krijimit (krijuesi i zhytur në ftohmën e vuajtjes, si shenjë e parë paralajmëruese për të dhënë një krijim realisht të besueshëm). Në rast se krijuesi nuk e ka si të veten një ftohmë të tillë, me fjalë të tjera, në rast se i mungojnë ethet e mundimit të paprajshëm, atëherë krijimi është i jashtëm, i zbehtë dhe pa efektin që mund të pritet. H. Nela nëpër burgje ka vazhduar të krijojë, por çdo varg duke e mbajtur natyrshëm brenda në tru, pa pasë mundësi ta hedhë në letër. Vargjet është përpjekur t'i rimojë me anë të gishtave. Kur ka gjetur mundësinë t'i hedhë vargjet në fletore, sikur është liruar prej etheve të gjata dhe të stërlodhshme të krijimit, por është mbushur me një ndjenjë gëzimi për materialin që po gjente mundësinë të shpëtonte. Nga ana tjetër, më 5 shkurt 1983, në Qafë-Bari shprehte shqetësimin për krijimet e veta: ("I lutem atij që do të mund t'ia dorëzoj dhe që nuk di se kujt mund t'ia dorëzoj, të m'i ruej me shumë kujdes dhe asnjiherë të mos i mbaj pranë vetes"). Mund të thuhet se mendja e tij mbeti një zonë hyjnore, e pacënueshme dhe e paprekshme prej askujt. Fijet e ferrit s'mund të mbërrinin ose s'patën shteg të çeltë deri aty. Ajo s'mundi të izolohej dhe të mbyllej në shtatë dryna, siç e patën mbyllë trupin e tij. Ajo kish nisë shtegtimin dhe krejt e plotpushtetshme dhe sovrane, kapërcente muret e hekurta dhe të mjegullta. (H. Nela: "Të gjitha këto që shkrova deri këtu, me vjet të tana kanë qëndrue në tru dhe duke i përsërit me vetveten, me kokë nën jorgan, ose në vende ku isha ma i vetmuem, kam mund me i ruejt në kujtesë. Gati gjysma janë krijue me mend, pa përdorë laps dhe janë rimue me anë të gishtave. Këto janë sidomos ato që janë krijue në biruca të Rrëshenit, kur u arrestuesh për së dytu dhe disa të tjera në Burrel. Kuptohet vetiu se këto që janë krijue pa laps e pa fletore, çalojnë dhe nga ana metrike… Në këto ditë që mora guximin t'i hedh në letër, sigurisht jam nxitue dhe për ma tepër duke hedh sytë sa majtas djathtas se mos kam tërheq vëmendjen e shokëve që i kam fare pranë. Në këtë punë jam nisë ma tepër t'i hedh si material bruto dhe nuk kam pasë parasysh as anën gjuhësore. Gjuhën letrare nuk e kam zbatue, herë tosknisht e ma shumë gegënisht; nuk kam pasë parasysh as anën ortografike dhe shenjat e pikësimit, etj. Shkurt, due që ta shpëtoj si material, se do të përpiqem, po munda me i nxjerrë jashtë, se u lodha së mbajtuni në mendje. Gjithashtu dhe titulli dhe ndamja në pjesë asht ba jo ashtu si mendoj unë të bahet. Këtë punë ia la të ardhmes, po qe se dal vetë i gjallë prej këtu - Rrëshen 1975). Kësisoj, vetëm në mendjen e tij ai ish i lirë: e modelonte atë sipas shijes së vet, dhe mendimet shtegtonin prej burgut në vendlindje, tek njerëzit më të afërt, por edhe në vende të qytetëruara si Amerika, Franca, Austria, etj. Krijimtaria e tij është një biografi poetike e të vuajturve nën diktaturë, është një lloj ditari lirik dhe epik i vuajtjes së madhe, të pamatë, një vizatim i ferrit të kohës, një ndriçim i pjesëve më të pandriçuara dhe të padukshme të këtij ferri. Në këto poezi të shkruara me emocion, dhimbje dhe plagë, që mund të ndërtohen të tilla vetëm në kohë të humnershme, mund të shihet dukshëm arratisja prej ferrit, prej errësirës, dhe në vargjet e tij, H. Nela u përpoq të krijonte lirinë e vet, të pazëvendësueshme, të gjithëpushtetshme dhe të pacënuar prej askujt. Vetëm këtu ai qe i lirë dhe kjo liri e çuditshme funksiononte realisht vetëm në trurin e tij. Mund të thuhet gjithashtu se përpjekjet e regjimit për të ndërhyrë edhe aty, në mendjen e tij, aty ku ai kish zonën e tij më të pushtetshme edhe mbas gjithë atij stërmundimi fizik mbi trupin e tij, mbetën të zbehta, periferike. Kjo ndodhte se ai kish kapërcyer mbiprovën fizike dhe morale në mënyrën më të përkryer. Ndërsa, ajo çka ruhet prej tij është pak, shumë pak, kur dihet se vriste trurin në mënyrë të pandalshme. Përveç humbjes fizike, kjo është pa dyshim një humbje tjetër e madhe. Kanë mbetur copëza rrëfimesh të bashkëvuajtësve të tij për të. Por kanë shpëtuar gjashtë fletore me poezi të viteve të burgut dhe një e vetme në kohën e internimit. Nga letrat e burgut (dërguar të shoqes L. Nela) ose letrat që çuditërisht kapërcyen ferrin, njihen, së paku tani për tani, vetëm 39. Kanë humbur shkrimet që kishte marrë me vete në arratisjen e '67-s, siç ka humbur edhe romani "Jeta e zezë", i shkruar në burgun e Burrelit. Ndërsa, dosjet hetimore dhe gjyqësore janë gjithashtu një dëshmi tjetër ku mund të gjykojmë mbi mendimet e tij rreth regjimit dhe moralit të kalbur të atij regjimi. Nëse do t'i mëshonim prap mendimit të F. Niçes, do të vinim në dukje se sakrifica tek H. Nela është një sakrificë e sjellë nga rrethanat që mbërrin deri në cakun e një martirizimi. Të një martirizimi në emër të lirisë. Për shkak të kësaj lirie ai krijoi edhe kodin e veçantë të komunikimit, një komunikim përmes gjakut e shpirtit, kur i mungonin edhe kushtet më fillestare për të shkruar, saqë detyrohej t'i rimonte vargjet përmes gishtave. Për shkak të lirisë ai braktisi shumë e shumë gjëra. Për shkak të saj atë do ta futnin krejt dhunshëm në tokë. Fragment nga libri "Havzi Nela, poeti i varur në litar", që së shpejti del nga shtypi Gazeta R.D. | |
Pjese nga shkrimi parë...
Rilindja Demokratike
FTESË PËR NJË GAZMEND MORTOR
Sehirxhinj të tillë, me një lloj ftese mortore me vete, duhej të merrnin mësim sipas riteve të njohura komuniste, prandaj mu për atë gjë duhej t'ishin tepër të vëmendshëm dhe syçelët, të shkonin menjëherë aty dhe të largoheshin me rregull.
Por, viktima qe asgjësuar mu dy orë mbas mesit të natës.
Ruajtësit e tij, të dehur nga mbytja, më saktë, si të përhumbur nga avulli i mbytjes së atij njeriu që e kish larguar vdekjen çdo ditë me shpirtin e tij të rebeluar dhe të lirë, prisnin mëngjesin që të shihej gjahu, të cilin e ruanin me fanatizëm, prisnin me ngut që shefat e lartë partiakë dhe shtetërorë që administronin primitivisht jetën e asaj province, të shpërmalleshin dhe të këndelleshin ngutshëm me gjahun e tyre që e kishin kërkuar prej vitesh, prej dekadash, madje prej 22 prillit të vitit 1967, kur ai njeri (të cilin, të nesërmen do ta shihnin të varur), kish kërkuar me ngulm të frenohej rrënimi i jetës, duke realizuar kësisoj thuajse reagimin më unikal në Shqipëri ndaj atyre formave ndëshkuese që do shtronin shtresën e mjegullt mbi krejt jetën e atij vendi të vrazhdë.
Njëzet e një vjet më parë, ai kish reaguar haptas dhe bindshëm ndaj tri kërkesave të pushtetarëve, si futja në kooperativën bujqësore, prishja e kishave dhe xhamive, ndërrimi i veshjes:
"Populli asht i sëmurë, tri gjylpana menjiherë nuk e shërojnë, por e shkatërrojnë..."
Kish kërkuar të mos prishej struktura shpirtërore dhe ekonomike e njerëzve dhe mu për atë, fjalët e tij shkaktuan një trazim në krejt mjedisin e indroktinuar, por dhe një lëvizje të ethshme të hallkave të pushtetit për të mbytur atë lloj drite që po përpiqej të dilte nga mesi i errësirës. Reagimi i tij qe një refuzim i plotë ndaj kërkesave të pushtetit të diktaturës; reagimi i tij është njëkohësisht kundërshtimi më i hapur që i bëhej ideve dhe praktikave të partisë-shtet. Kësisoj, ai kërkonte të kthente përmbys atë program të tillë fatal për zhvillimin e vendit. Por, këtu do të niste edhe drama e H. Nelës, do të nisnin vuajtjet që do të sosnin vetëm në natën e mbytjes së tij. Pra, është krejt e natyrshme të thuhet se qysh n'atë kohë, ai po kërkonte të kthente përmbys programin shkretues të partisë-shtet, të ngrihej kundër ideve të zeza të fjalimit të diktatorit Hoxha për revolucionin kulturor. Ndërsa, sot, shumë kohë mbasi ai është ndarë dhunshëm nga jeta, lehtësisht mund të shihet përpjekja ngulmuese e tij e asokohshme; ndërkaq, kooperativat bujqësore janë shkatërruar, kishat dhe xhamitë janë rihapë dhe veshja është krejt në shijen e vetë individit.
Megjithatë, n'atë 10 gusht të 1988-s nuk ndodhi ajo që pritej.
Viktima nuk po kundrohej nga lart-poshtë, d.m.th., jo si në amfiteatër, ku njerëzit të ulur nëpër shkallë, e kundronin me një ndjenjë hakmarrëse atë që shqyhej, pra si në lashtësi, kur për shumë kohë spektatorët kundronin viktimën që po i merrej fryma dhe mbasi kryhej kjo gjë, ngriheshin në këmbë e brohoritnin..
I mbyturi, i shqyer natën në fyt dhe që po ekspozohej ditën për diell, tashmë po kundrohej prej shikuesve nga poshtë-lart, pa britma a gjëra të tjera të këtij lloji. Duke qëndruar n'atë lartësi, dukej se do shkonte përfundimisht në sferën qiellore, për t'u bërë banor i përhershëm i saj, për të mos zbritur kurrë më prej andej, si për t'u larguar gjithherë prej tokës së njerëzve, ku qe trazuar gjithë jetën e lume.
Shikuesit, të urdhëruar për të parë, ose duke ardhur aty edhe me dëshirën e tyre, ndërsa shumë prej tyre edhe si për rastësi, kundrimin e kthyen thuajse në një ceremoni mortore, si për të bërë homazhe në heshtje, si për të ngushëlluar njëri-tjetrin, se ajo pamje e trishtë do të mbetej si gozhdë në mendjet e tyre, por dhe si për t'i thënë njëri-tjetrit se në ç'mesjetë, në ç'terr e humbje po e kalonin jetën e tyre. Refuzimi apo mospajtimi me një një akt të tillë mizorie, qe qortimi i parë publik i banorëve të qytetit dhe katundeve përreth ndaj regjimtarisë komuniste.
Në anën tjetër, ai qytet i vogël, i mbështjellë në një zymtësi dhe zbehtësi jete të përditshme, u tkurr nga e panjohura e trishtë. Ndoshta, qyshprej vitit 1962 kur u vu guri i parë për ndërtimin e tij, n'atë mëngjes gushti të 1988-s, ai qytet u gjend me pamjen më të deformuar e të zbrazët të tij: një pamje e vranët, me një ditë të kthyer krejt përmbys, thuajse pa frymë normale njerëzore. Shëmtia shtetërore pra ndodhi në një qytet për të cilin pushteti i asokohshëm me një vetëkrenajë absurde trumbetonte se qe i vetmi qytet i vetëm në botë pa asnjë ndërtesë private, se ky qytet njëkohësisht qe dhuratë e partisë për banorët e zonës (Ndërkaq, aty kah vitet tetëdhjetë dy parulla të mëdha me gurë ku shënonin emrin e diktatorit Hoxha kishin zënë vend dukshëm, njëra në malin e Gjallicës, tjetra në shpatmalin mbi katundin Brrut. Duhej, që në një formë a tjetër, syni i banorëve të mësohej vazhdimisht me germat stërmadhe që shënonin emrin e diktatorit. Por, aty pak kohë para se të përmbysej diktatura, dy parullat kishin marrë një pamje tjetër, të shpëlarë. Ato sikur e patën humbë jo vetëm shkëlqimin a dritën e parë, por thuajse edhe pamjen mashtruese të dikurshme. Atë në malin tashmë krejt të zhveshtë te Gjalicës e pat mbulue tymi i uzinës së shkrirjes së bakrit dhe germat ngjanin me do zvarranikë të zinj që qenë ngjitë përtokas, ndërsa atë në shpatmalin mbi katundin Brrut të dikurshëm e kishin mbulue shkurret dhe s'i kishte mbetë as nami as nishani).
Asnjë njoftim në shtypin qëndror për ekzekutimin e H. Nelës. As TV shqiptar dhe radio Tirana. As gazeta vendore, por as edhe Radio Kukësi, e cila në një farë forme atë ditë u shndërrua më tepër se kurrë në një shtëpi memecësh. Pamja e hirtë e asaj ndërtese atë ditë sikur mori pamje më të errët. Megjithatë, krejt jashtë dëshirës pushtetërore, këmbanat sikur kishin rënë që qyteti provincial, të dilte prej mesjetës, territ dhe humbjes.
N'atë mëngjes gushti të përvëlimtë, i ndëshkuari sikur po kërkonte të trazonte të fjeturit.
Fati s'e ndihu të punonte më si i gjallë, por edhe ashtu, po vazhdonte të trazonte të fjeturit, ata të përgjumshëm në ritin e tyre të zakonshëm, n'atë rit që dukej se nuk do të ndryshohej kurrën e kurrës.
Dënim, ridënim, internim dhe më në fund ndëshkimi fatal
Mbasi qe dënuar për të parën herë me pesëmbëdhjetë vjet heqje lirie dhe për të dytën herë me tetë vjet, në dënimin e tij të tretë (internimi), në vendimin përkatës shënohej se internimi i fillonte me datën 26. 9. 1987 dhe i mbaronte me datën 26. 9. 1992.A
Por s'ndodhi ta kryente krejt internimin. Diçka e tjetërsojtë do ta mbështjellte trupin dhe shpirtin e tij: vdekja do të vinte ngeshëm, madje si një makinë hijerëndë.
Dënimi i katërt qe fatal për të, dhe qyshprej verës përvëluese të 1988-s, ai do gjendej nën dhé, si për të shpëtuar nga bota e mjegullt, e mbrapshtë dhe trazuese e të gjallëve.
Pushtetaria komuniste kësisoj kish menduar përjetësinë e vet. (Pra, njerëzit e këtij vendi le të qëndronin nën një mizori e përhershme, nën një tirani në të gjitha stinët! Rëndësi kish që ajo pushtetari të kish vijueshmërinë e vet dhe ku në rend të parë të kish shkeljen masive të të drejtave të njeriut).
Në këtë vorbull, R. Alia, firmosësi përfundimtar i ndëshkimit të H. Nelës, dy vjet pas asaj firme ndëshkuese, në korrik të 1990-s (kur 5800 shqiptarë u futën nëpër ambasada të huaja dhe 3200 prej tyre në territorin e ambasadës gjermane), deklaroi se "Njerëzit që kërkojnë strehim në ambasadat e huaja s'janë patriotë, as njerëz të ndershëm të këtij vendi", si një dëshmi se ai kërkonte ende të ruhej izolimi i Shqipërisë. Por tashmë jehona ngjarjeve të fillimkorrikut qe përhapë në gjithë Shqipërinë si një shenjë e dallueshme se regjimi komunist po i shtynte ditët me sot me nesër dhe qe krejtekrejt në grahmat e tij të fundit. Në dhjetor të 1990-s, lëvizja historike studentore i solli trandjen e pariparueshme regjimit diktatorial dhe e ndau atë për mesi, duke shënuar fillimin e ndarjes së madhe me atë të kaluar të terrtë të regjimit diktatorial, pothuajse më mizori ndër regjimet e mbasluftës së Dytë Botërore n'Europë.
(Në faqen 12 të dosjes, nr.1055, Prot. datë 18. 6. 88, me shënimin "SEKRET", në materialin që i dërgohej Hetuesisë së rrethit, Kukës (nënshkruar nga zv/kryetari i degës së Punëve të Brendshme, Kukës, Ali Turabiu), shkruhej:
"Me vendimin nr. 16, datë 26. 9. 1987, të Komisionit Qëndror të internim dëbimeve, është vendosur internimi i Havzi Nelës nga fshati Kollovoz i rrethit Kukës, për 5 vjet në fshatin Arrën të këtij rrethi. Zbatimi i vendimit u bë me datë 12. 10. 1987.
Theksojmë se internimi i fillon me datë 26. 9. 1987 dhe i përfundon me datë 26. 9. 1992.
Nga organi ynë të sipërpërmendurit nuk i është dhënë leje për largim nga vendi i internimit. Me datën 13. 6. 1988 është larguar nga vendi i internimit pa leje në drejtim të paditur").
Ndërkaq, si për ironi, i njëjti prokuror në gjyqin kundër Havzi Nelës në vitin 1967, në dënimin e parë të tij, do t'ish pjesëmarrës edhe në gjyqin kundër poetit Visar Zhiti më 1980. Visar Zhiti do të dënohej mu n'atë ndërtesë të gjykatës ku Havzi Nela do merrte dënimin e katërt dhe njëkohësisht më fatal në qershor të 1988-s (pra, në qytetin e ndërtuar për shkak të përmbytjes së atij qyteti që u bë zakon të quhej Kukësi i Vjetër, qytet ku qe dënuar Havzi Nela për herë të parë në vitin 1967).
Mungesa e përnjëmendtë e refleksionit politik, historik e kulturor mbi të shkuarën, solli atë që asnjë mendje e kthjellët të mos kujtohej sadopak, së paku deri tani, që mu pranë vendit ku u realizua mbytja tragjike e H. Nelës, të vihej një pllakë përkujtimi a të ngrihej një përmendore, si një kujtesë e përhershme për një realitet dramatik.
Një njollë turpi ! ISMAIL KADARE Po ju dërgoj mesazhin tim të solidaritetit, për përkujtimin e poetit martir Havzi Nela. U mbushën njëzet vite që iu mor jeta, me një nga format më të vjetra e më barbare të dënimit që ka njohur njerëzimi: me varje. Vetë kjo formë e sidomos ky afat njëzetvjeçar, tingëllojnë të pabesueshme. Prej kohësh nuk ka patur vrasje poetësh në kontinentin europian. E aq më pak prej kohësh nuk ka patur varje, por Shqipëria nuk bënte pjesë as në Europë as në kontinentin e qytetëruar të popujve. Shqipëria në vitin 1988, në prag të rënies së komunizmit, ishte ende një njollë e zezë në hartën e kontinentit, një njollë e turpit dhe e krimit në shkallë planetare. Rendi komunist i egërsuar nga shenjat e para të lirisë, ashtu si bisha që egërsohet prej sinjaleve të dritës, donte të jepte një mesazh të kundërt me shpresën. Një mesazh frikësimi dhe tmerri. Dhe, për të qenë i besueshëm se ende nuk do të bënte asnjë lëshim, për të bindur të tjerët dhe veten e vet se ende ishte i aftë të vriste, zgjodhi formën më barbare të marrjes së jetës: varjen me litar. Një poet u lëkund në trikëmbësh për tri ditë rresht, në qytetin verior të Kukësit. Kjo tregonte se programi themelor i stalinizmit shqiptar, vazhdonte të mbetej i pandryshuar. Ashtu si në vitet 1945-1947, kur rrëzoi me plumb e me litar elitën kulturore, fetare e politike shqiptare, ashtu si më pas kur rrëzoi mijëra të tjerë, ky program vazhdoi të mbështetej mbi krimin dhe kryesisht mbi krimin. Krimi i jepte kurajo në orët e panikut, krimi i qetësonte në orët e ligështimit. Pa krim shefat komunistë ndiheshin të dobët e të squllët. Me krimin ndiheshin trima, si gjithë fikacakët. Poeti Havzi Nela, që po të ishte gjallë do të festonte së shpejti 75-vjetorin e lindjes së tij është një këmbanë që ende bije për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë këmbanë do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë. Krahas hezitimit për të dënuar krimet e komunizmit, një dukuri tepër e shqetësuar për të mos thënë monstruoze, vazhdon në Shqipëri. Pasioni i habitshëm për t'u dhënë tituj e nderime njerëzve që jo vetëm nuk bënë asgjë për lirnë, por që bënë gjithçka për ta shtypur atë. Shoqëria shqiptare ka nevojë të shkundet e të mbrojë liritë demokratike kundër çdo lloj kërcënimi që i vjen nga çdo lloj drejtimi e i fshehur pas çdo lloj maske. Vetëm kështu ajo do të jetë në gjendje të fitojë drejtpeshimin e munguar. Martirët e kanë qetësine e tyre atje ku pushojnë. Eshtë shoqëria shqiptare ajo, që nuk e ka. Dhe për këtë duhet të luftojnë të gjithë. Paradoksi, gjykatësi që dënoi Havziun, në Gjykatën Kushtetuese 20-vjetori i varjes së poetit Havzi Nela. Apel për pastrimin e instirucioneve shtetërore nga xhelatët e diktaturës Salla e Muzeut Kombëtar oshëtinte dje nga thirrjet e Lavdije Nelës, për të çuar para drejtësisë ata që varën në litar bashkëshortin e saj, poetin Havzi Nela, ndërsa pak metra më larg, Gjykata Kushtetuese mban brenda saj atë që firmosi varjen e poetit, Fehmi Abdiun. Abdiu edhe dje u fut në zyrën e tij në Gjykatës Kushtetuese, ku prej disa vitesh vazhdon të japë leksione për drejtësinë, ndonëse mbi të rëndon pesha e rëndë e krimit më monstruoz të kryer në grahmat e fundit të diktaturës komuniste. Dje, në Muezun Kombëtar u përkujtua 20-vjetori i varjes në litar të poetit Havzi Nela. Bashkëshortja e tij, Lavdije Nela, tepër e pikëlluar dhe me një dhimbje që duket qartë në çdo qelizë të trupit të saj, me shumë thjeshtësi dhe vendosmëri kërkoi, që ata që urdhëruan dhe firmosën varjen e burrit të saj të dalin para drejtësisë, kërkoi që zyrat e shtetit shqiptar të pastrohen nga kriminelët që bënin ligjin dje, por vazhdojnë edhe sot të na mbushin mendjen "me leksione demokracie". Ajo grua e thjeshtë, por që mbart në vetvete kujtimin e bashkëshortit të saj, poeti Havzi Nela, nuk kërkoi hakmarrje, ndonëse burrin ia vranë për poezitë dhe pse ai kërkonte më shumë liri. Ajo thjesht kërkoi drejtësi, kërkoi që të pastrohen institucionet shtetërore nga ata njerëz, që kanë lyer duart me gjak. Dhe kjo është gjëja më normale në një shtet demokratik, por xhelatët nuk tunden nga istikami i tyre, pasi kanë pasur si mburojë politikën e majtë. Mirëpo Fehmi Abdiu, gjykatësi që çoi në litar poetin Havzi Nela, jo vetëm që nuk ka shkuar para drejtësisë për krimin e kryer, por vazhdon të jetë në Gjykatën Kushtetuese. Ai jo vetëm që nuk është penduar për këtë krim makabër, por është shprehur publikisht se, "poetin e kishte dënuar me ndërgjegje të plotë". Havzi Nela u var në litar më 10 gusht 1988 në pragun e lirisë, kur diktatura me Ramiz Alinë, po kërkonin gjak për të mbajtur përsëri në këmbë regjimin e kalbur komunist. Ky fakt rrënqethës u soll dje nga mjaft ish-të burgosur politikë para të pranishmëve të shumtë, që kishin mbushur sallën e Muzeut Kombëtar në Tiranë. Kryetari i Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të të Burgosurve Politikë, Besim Ndregjoni, i cili organzoi edhe këtë aktivitet përkujtimor të varjes së poetit Havzi Nela tha se, varja e poetit Havzi Nela, u krye dy vjet para shpalljes së pluralizmit dhe ardhjes së demokracisë në Shqipëri. Ai tha se, Ramiz Alia kërkonte të mbante pushtetin me gjak, duke vrarë edhe poetët, por ai nuk mund të vriste kurrsesi poezinë dhe lirinë që kishte trokitur edhe në Shqipëri. Ndregjoni kërkoi që persekutorët dhe të gjithë ata që lyen duart me gjak, duke vrarë njerëz dhe poetë të pafajshëm të dalin para drejtësisë. Sipas tij, asnjeri prej tyre nuk ka vend në administratën shtetërore. Të gjithë diskutantët kërkuan hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe pastrimin e drejtësisë nga xhelatët e diktaturës. Shkrimtari Agim Musta, ish-i burgosur politik tha gjatë fjalës së tij se, kishte kaluar një kohë të dënimit në burgjet komuniste me poetin Havzi Nela. "Unë kam qenë në burg dhe internim bashkë me Havziun. Ishte fundi i vitit 1987. Ne punonim si skllevër në ndërtimin e fabrikës së çimentos në Elbasan. Vjen autobusi dhe sjell skllevërit e punës. Midis tyre shikoj një njeri me një pamje shumë fisnike, por shumë të vuajtur. Me flokë të bardha, ishte vetëm 32-vjeç. Më thotë se kishte qenë 7 vjet mësues në jetën e lirë. U lidh me mua. Më tregoi fatkeqësinë e tij, se si u ngrit kundër shtetit diktatorial, etj. Se si shpërtheu si një vullkan dhe u largua menjëherë bashkë me bashkëshorten, kaloi për në Jugosllavi, por jugosllavët u hakmorën dhe e kthyen mbapsht. Nga Elbasani na çuan në Spaç dhe Havziu punonte. Pas punës shkatërruese nuk e linte librin. Ishte, mund të them, i vetmi nga të gjithë të burgosurit që s'e ndante kurrë librin nga dora. Kishte dashurinë dhe mirësinë me njerëzit. E varën në mes të Kukësit vetëm e vetëm për të tmerruar komunitetin", tha ndër të tjera Musta. Figurën e poetit të varur Havzi Nela e vlerësoi edhe sekretari i Përgjithshëm Presidencës, Aleksandër Flloko. Poeti Havzi Nela ka lindur më 1934 në Kollovoz të Kukësit. Ai ishte njëri nga ata njerëz që s'u pajtua asnjëherë me të keqen, që solli dhe po e sillte vazhdimisht regjimi komunist në Shqipëri gjatë viteve të sundimit të tij 50-vjeçar. Qysh në shkollë të mesme u shfaqën kundërshtitë e tij të para ndaj padrejtësive të sistemit të kohës, nisi të formësohet dhe të marrë frymë ndjenja e rebelizmit ndaj padrejtësive të sistemit që po i ngrinte në sistem. Pasi kishte kryer shkollën pedagogjike në Shkodër, ai fillon punën në rrethin e Matit, por u bënë shkak disa vjersha që iu gjetën, të cilat siç duket ishin të "papëlqyera" për pushtetin dhe pushtetarët e asaj kohe dhe pushohet nga puna. Më 22 maj 1967 - dënohet me l5 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë, ndërsa bashkëshortja e tij me 10 vjet të lirisë. Më 8 gusht 1975 - ridënohet me 8 vjet heqje lirie. 19 dhjetor 1986 - lirohet nga burgu. 12 tetor 1987 - internohet në Arrën. 15 qershor -arrestimi në katundin Brekijë. 15 qershor, ora 12 e mesditës - nis procesi hetimor. 24 qershor 1988 - dënimi i katërt, ose dënimi fatal. 25 qershor - bën ankim pranë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. 16 korrik - Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Kukës. 2 gusht - Presidumi i Kuvendit Popullor miraton vendimin për ekzekutimin e Havzi Nelës. 10 gusht 1988, ora 2:00 pasmesnate - ekzekutimi me varje në Kukës, tek stacioni i autobuzëve. 10 gusht, ora 11:00 e paradites - trupi hiqet nga vendi i ekzekutimit. 11 gusht, ora l:00 pasmesnate - trupi futet në gropë. Rexhep POLISI ------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------- NË QELITË E BURGUT Havzi Nela Në qelitë e burgut pa ajër e pa dritë, Fryma po më merret, m'janë terrur sytë. Po dergjem i mjeri, mbahem, rroj me shpresë, Jeta m'u randue, dëshirë nuk kam të vdes. Mishnat po shkallmohen, kockat më kërcasin, Barkun gjithmonë unshëm, policët bërtasin. Pres t'afrohet ora, pres të hapet dera, Pres t'më sjellin ngranjen si kafsha e mjerë. Unshëm ulem ha, ma unshëm kur çohem, Nuk qahem pse soset, skamjes s'i nënshtrohem; I nënshtrohem ligjit, jetoj me rregulloren, Dhe po t'jesh lypsar, s'ke kujt t'ia shtrish dorën. Dit' e netë i mbyllun, si zogu n'kuvli, Për shtroje e mbloje me tri batani! Batani të vjetra, as njena as tjetra, Gjith pluhun e llum, janë ma trash se letra. Kur vjen orë e gjumit, kur shtrihem me fjetë, Mendja m'arratiset, shpërndahet si retë, Po merr fushat, malet, ikën, më le mu t'zinë Fluturon e s'ndalet, s'e duron robëninë. Sa n'nji krah, në tjetrin, ikë nata, kalon, Mpi e fort ligështue, polici më zgjon! Lind nji ditë e re, krejt si ditët e tjera, Unë shpend i ngujuem, pres të hapet dera. Ah, kjo derë e randë, kjo qeli kobare! Ma cfilitin trupin, zemra s'ndihet fare; Me durim përgjoj kur do t'ma hapin derën, Po e pres lirinë si zogu pranverën! | |
--------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Përse trishtohet sërish Havzi Nela !
Nga Azgan Haklaj
20 vjet më parë gjarpri i plagosur komunist në perëndim të diellit të vet arriti të kafshojë për vdekje poetin e lirisë, Havzi Nela. Gjama dhe kukama nën za mbështolli jo vetëm Lumën, por mbarë shpirtin e lirë dhe të dëlirë në trojet dardane. Një hakmarrje mizore e regjimit komunist sikur të ishte hakmarrje serbe për bëmat famëmëdha të Lumës. Nuk është synimi im të shpjegoj dhe as të perifrazoj çka ishte për shqiptarët dhe për më tepër për intelektualët properëndimorë ky regjim shtazarak. Vetë Havzi Nela nuk ishte një viktimë e rëndomtë muhabetesh të pamenduara. Aspak! Ai me ndërgjegje u kthye në dallëndyshe të lirisë. Ai e dinte se konformistët e kanë me limite kohore “lavdinë” dhe më pas i përkasin harresës, ndërsa skifterët e lirisë kishin një vend të përjetshëm në memorien e kombit të vetë. Vdekjen, Havzi Neza e parashikonte jo si një pacifist, por se e njihte mirë regjimin, po aq sa edhe misionin e vetë sa fisnik, intelektual e atdhetar, po aq edhe të shenjtë ndaj dhe shkruan si epilog të jetës së vet fizike: “Thoni: Desh, kërkoi lirinë/ si skifter në fluturim/provoi prangat, t’errtë qelinë/për të mjerët lëshoi kushtrim”.
Pra, Havzi Neza ishte simboli i zgjimit të ndërgjegjes sociale, atdhetare e intelektuale. Ai duke u vrarë ngjalli shpresë, duke “qorruar terrin” hapi dritare për dritë në qelinë e diktaturës.
Si rrallë tek ndonjë disident antikomunist i fushës së letrave e mendimit te Havzi Nela izolimi u shndërrua në miting, poezia u shkrua pa bojë e letër, kushtrimi u dha pa bori, amaneti u daltua në shpirt pa fjalë. Sot pas 20 vitesh Havzi Nela kujtohet me madhështi, por a mjafton kjo për njeriun me shpirt lirie. Është tepër pak. Rëndësi ka amaneti i Havziut. Një amanet që siç thotë populli s’e tret as dheu. Një amanet për brezat që të zhduket përgjithmonë bisha e kuqe. Natyrisht është bërë jo pak, por kjo nuk ja heq trishtimin Havzi Nelës! E si mund të mos trishtohet kur sheh të paintegruar e të pashpërblyer bashkëvuajtësit e vet, ndërkohë që persekutorët enden të lirë, bile bëjnë politikë e biznes, flasin për dosje e kurrë nuk i hapin. E si të mos trishtohet sërish Havziu tek sheh deputet të birin e “Lajës” së këshillit që në kohën e diktaturës, sigurimi i shtetit e pati pajisur me 2 revolverë. A ka trishtim e zhgënjim për shpirtin e tij tek nga qielli vështron pseudonimaxhinjtë që kanë mbushur parlamentin. Ata mbajnë pseudonime me lloj-lloj emra kafshësh e insektesh, sikur të ishin jo në sallë parlamenti, por në ndonjë kopsht zoologjik të Kenias apo të Afrikës së Jugut. Amanetet e Havziut janë amanetet e lirisë dhe nuk mund të cenohen. Ato amanete trishtohen jo aq për dekorata, por për respektin e dinjitetin e cunguar. Dhe kur luan me dinjitetin e shpirtrave të lirisë i shmangesh rrugës për t’i bërë vend vetes në ndonjë cep të historisë. Mos sot, ndonëse me vonesë, nesër amanetet e Havzi Nelës do të zhvishen nga trishtimi. Dhe s’ka si të ndodhë ndryshe. Ato janë mesazhe të shenjta e hyjnore që si vegim e ndjekin një popull. Askush nuk luan dot me të, ani se sot bën emër në biznes a politikë.
13 Gusht 2008
---------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Burimi:http://www.forumishqiptar.com
No comments:
Post a Comment