Tuesday, April 27, 2010

Ftesë për të vajtur në Shqipërinë e Havzi Nelës !





                           Jetëshkrim
Poeti kryengritës, nga Kollovozi i Kukësit, Havzi Nela (1934 - 1988), ishte njëri nga ata që s`u pajtua asnjëherë me të keqen, që solli dhe po e sillte vazhdimisht regjimi komunist në Shqipëri gjatë viteve të sundimit të tij(1945-1990) Këtë të keqe ai e kishte vërejtur që herët. I lindur në Kollovoz të Kukësit, në këtë fshat të humbur të Shqipërisë së "Veriut", atje afër "qytetit verior" të Kukësit, Havzi Nela, poeti i ardhshëm, që herët u ballafaqua me vuajtjet dhe padrejtësitë, të cilat u mundua t'i sfidonte në forma të ndryshme. Pasi që kishte kryer Shkollën Pedagogjike në Shkodër, ai fillon punën në rrethin e Matit, por u bënë shkak disa vjersha që iu gjetën, të cilat siç duket ishin të "papëlqyera" për pushtetin dhe pushtetarët e asaj kohe dhe pushohet nga puna. Pasioni i të shkruarit poezi nuk shuhet te djaloshi, i cili vazhdon të shkruajë vazhdimisht në formën e tij, pasion ky që përswri bëhet shkaktar i përjashtimit të tij nga Universiteti, ku kishte filluar të ndiqte studimet e larta. Në këtë kohë qi punon mësues në Has dhe Lumë, por njëkohësisht vazhdon studimet me korespondencë.




Pasionit të të shkruarit poezi i pagoi "haraçin"



Të shkruarit poezi te Havzi Nela ishte bërë tani një pasion i pashuar, ndonëse për këtë vazhdimisht ai po paguante një "haraç" të madh. Është fundi i viteve gjashtëdhjetë, kur në Shqipëri po bëheshin "reforma" të mëdha, të cilat populli me dhimbje po i përjetonte. Është koha kur jo rrallë njerëzit nuk pajtoheshin me ato që po ndodhnin. Kolektivizimi i përgjithshëm i vendit, mbyllja e institucioneve fetare, ndërrimi i veshjes dhe luhatja nga traditat vendore dhe emitimi i një ideologjie të huaj dhe shkatërruese për vendin dhe kombin mbarë, janë ato me të cilat nuk pajtohet dot mësuesi dhe poeti Havzi Nela. Në shenjë mospajtimi me atë që po ndodhte me vendin e tij, ku diktatura komuniste, si një hijenë e përshfaqur vdekjeje po gllabëronte shpirtin e tij. Me zemër dhe shpirt të vrarë, më 27 prill të vitit 1967, ai vendos të braktisë vendin. Po ku të shkojë? Vendos të kalojë kufirin dhe "zbret" në Kosovën e shkallmuar nga një diktaturë tjetër, madje edhe më shfarosëse. Poeti po e braktiste atdheun me zemër të plagosur, të cilën brengë e shpreh përmes dy vargjeve të shkruara, të cilat i lë peng pranë piramidës kufitare.




Mbytja me vetmi vrasëse dhe varja trishtuese në mes të qytetit




Por, ikja nga atdheu dhe kalimi ilegalisht në Kosovë, qe një tjetër fatalizëm, një tjetër mallkim për poetin dhe mësuesin Havzi Nela, sepse atë e kthejnë sërish në atdhe, ku tani e pritnin pesëmbëdhjetë vite në burgun e Spaçit, të njohur për temerret e tij, por edhe në burgjet dhe kampet e tjera të asaj kohe, ku ridënohet për shkak të qëndrimit të "pandreqshëm" të tij. Por, edhe dalja nga burgu, më 1986 dhe internimi dhjetëmuajsh në malet e Arrnit, nuk sollën ndonjë kënaqësi për poetin dhe mësuesin e papërmirësuar për pushtetin komunist që po jepte grahmën e fundit, sepse aty ai mbytet në një vetmi vrasëse. Pa kaluar as dy vjet, vjen një çast që trishtoi zemrat dhe shpirtrat e atyre që e duan jetën. Vjen një çast që trandi shpresat se mund të ndodhte diçka e rëndësishme në shtetin e lodhur e të nemitur nga diktatura pesëdhjetëvjeçare komuniste. Është koha kur duke mos u ngopur me të gjitha ato vuajtje, me të gjitha ato tortura ndaj tij, pushteti jep urdhër për të varur poetin. Është ky një urdhër makabër, ashtu siç ishte vetë sistemi dhe njerëzit që e udhëhiqin atë. Dhe varja ndodhte, jo më larg se në vitin 1988, atje në qendër të "qytetit verior" të Kukësit. Vetëm dy vjet para se të binte regjimi i egër komunist. Ishte një akturdhër për varje, për të trishtuar të vërtetën që kishte marrë udhën e daljes në dritë pas gjithë asaj errësire të tmerrshme që kishte gllabëruar e trishtuar vendin për pesëdhjetë vite me radhë. Atje, në qendër të qytetit verior të Kukësit, po varej poeti, simboli i fjalës së lirë dhe i dashurisë së pashuar, luftëtar për një liri të ëndërruar. Dhe " ai, më sa duket, pasi kishte humbur çdo shpresë se do të mund të jetonte, po ndërronte jetë, duke përswritur vetëmëvete katër vargje që po i fisnikëronin për herë të fundit shpirtin e tij të lodhur, që po sosej nga çasti në çast", do të shkruajë studiuesi letrar, kuksiani Petrit Palushi, duke cituar katër vargjet e poetit, në të cilat shpërfaqet parandjenja e një akti të tillë makabër, por jo të vetëm në historinë e diktaturës komuniste në Shqipëri:




Kur të pyesni :"Ku e ka vorrin?"


Kur t`kërkoni me e gjetë,


Thoni:"Ai e urreu mizorin"


Thoni:"Dheu s`ka me e tretë".




Dhe është ky një mesazh për një vdekje të parandier nga poeti që po përjetonte diktaturën dhe të këqijat e saj, të cilat ia shkaktonin njerëzit që i shërbenin me aq përkushtim kësaj katrahure kombëtare: Poeti e kishte ndier një akt të tillë, sepse nuk priste ndonjë të mirë pas të gjitha atyre vuajtjeve të shkaktuara me dekada të tëra mbi të, mbi atë shpirt që nuk bindej dot të thyhej. Dhe është pikërisht kjo pathyeshmëri që atij i shkakton vdekjen e dhimbshme, aspak të natyrshme, ashtu me varje në mes të qytetit, për të trishtuar dhe frikur shpirtrat e tjerë, m'u në kapërcyell të shekullit njëzet. Poeti qëndron i varur atje në mes të qytetit, ndërsa njerëzit e shikojnë dhe nuk guxojnë ta thonë asnjë fjalë, por ashtu në heshtje shprehin pikëllimin dhe habinë e vogël se si kishte ngjarë. Poeti, ashtu i varur, valëvitej në shtyllën e vdekjes, por në atë kalvar vdekjeje qëndronte pathyeshmëria deri në amshim, përballë qyqarllëkut të pushtetarëve dhe "komisarëve" të errësirës mesjetare që ua kishte pushtuar shpirtërat.




Poezia që buronte thellë nga shpirti i sfilitur i poetit të persekutuar




"Të gjitha këto që i shkrova deri këtu, me vjet të tana kanë qëndrue në tru dhe duke i përswritur me vetëveten, me kokë nën jorgan, ose në vende ku isha ma i vetmuem, kam mund me i ruejt në kujesë. Gati gjysma janë krijue me mend, pa përdorë laps dhe janë rimue me anë të gishtave". Janë këto fjalët e poetit Havzi Nela, që të tregojnë më së miri kushtet dhe rrethanant e krijimit të poezisë së tij, e cila buronte thellë nga shpirti i sfilitur i tij. Është forma dhe metoda e të shkruarit poezi burgu, nëpër të cilat përplaset frymëzimi i poetit Nela, që ndrydhej e trishtohej në përplasje kohe. Me vite të tëra vazhdoi ky ankth, kjo metodë e të shkruarit. Laboratori poetik i Havzi Nelës ishte qelia dhe errësira e saj që ndriçohej nga farfuritjet e vargjeve që ndrydheshin e shtrydheshin në mendjen e tij. Ishte vetmia dhe jorgani që mbulonte kokën e poetit kur përswriste ato për të mos i harruar. Kjo ishte një metodë e imponuar nga kushtet e një burgu të rëndë, të paparamenduar nga mendja e njeriut. Është një metodë dhe formë krijimi, për të cilën duhet folur e shkruar më gjatë. Kështu krijuan edhe poetë të tjerë të Shqipërisë së asaj kohe si Visar Zhiti, Jorgo Blaci etj., të cilët provuan burgjet dhe "fajtor" për këtë ishte pikërisht poezia që ata shkruanin dhe letërsia që kultivonin, në të cilën rrugë ishin nisur dhe s`ktheheshin dot prej saj.


"Në këto ditë që mora guximin t`hedhja në letër, sigurisht që jam nxitue dhe për ma tepër duke hedhë sytë sa majtas - djathtas se mos kam tërhequr vëmendjen e shokëve që i kam fare pranë". Është edhe një tjetër anakronizëm. Poeti shkruan nxitueshem dhe frikohet nga "shokët" se mos tërhiqte vëmendjen e tyre. Athua pse e gjithë kjo frikë. Athua pse i gjithë ky nxitim. Pse kaq shumë frikë e nxitim përnjëherësh nga vështrimi dhe "zbulimi" nga shokët. Poeti ngutej për diçka dhe kishte frikë se nuk do ta kryente punën e tij të nisur tash e njëzet vite, punë e nisur dhe e fshehur brenda vetëvetës në mendje, duke e përswritur për të mos harruar. E tani kishte frikë nga shokët që mos ta vërenin që ta dënonconin, sepse prapë mund të binte në burg. Vargjet e ruajtura në vetëvete për njëzet vite, burgjeve dhe qelive ai dëshiron t`i hedhë në letër, në fletore, që një ditë t`i qesë në dritë. I shkruan ashtu pa respektuar dot gjuhën letrare, sepse për një gjë të tillë nuk ka kohë poeti, sepse "u lodha së mbajtuni në mendje", do të thoshte ai në fletoren e tij të parë.




Trishtimi nga mungesa e lirisë




Në libërthin "Asnjë çast lumnije" të Havzi Nelës, të përgatitur e të redaktuar nga studiuesi Petrit Palushi, lexuesi ka para vetes vetëm një tufëz poezish, nga të gjitha ato që kishte shkruar e që i kishte ruajtur plot sakrificë në vetëvete. Janë gjithësej nëntëmbëdhjetë krijime që përbëjnë një libërth dhe një shtegëtim letrar të poetit Havzi Nela në tehun e jetës e të vdekjes, që luftojnë për ta mundur njëra-tjetrën. E tillë është edhe poezia "Kur të vdes", një poezi me një titull ndjellakeq, por real. Poeti këtu e ndien vdekjen "para kohe", ndonëse një gjë e tillë i rrinte pranë:




Kur të mësoni se kam vdekë,


Kur të thoni:"Ndjesë pastë!"


A e dini se çfarë kam hjekë


Unë, poeti zemërzjarrtë ?




Është një poezi e tëra e mbështjellë me realitetin fiktiv që kishte shoqëruar poetin gjatë gjithë kohës. Një poezi që transmeton mesazhin poetik dhe jetësor të poetit që e deshi lirinë, që e deshi jetën, që deshi dritën dhe stinën më të bukur të jetës, por që kurrë s`i përjetoi vetë.




Thoni: Dritë ai kërkoi,


E vetë dritë nuk pa me sy


Thoni: "Për njerëzinë këndoi,


E për vete mbajti zi".




Janë këto vargje dhe të tjerat që shprehin më së miri angazhimin njerëzor të poetit që dergjej burgjeve plot vetmi dhe torturë, të poetit që kishte frikë nga "shokët" kur hidhte në letër vargjet e ruajtura në mendje. Poetit që provoi prangat dhe errësirën e qelive, duke lëshuar kushtrimin për të mjerët, nga të cilët dronte se edhe varrin do të kishin frikë t`ia preknin e t`ia vinin ndonjë lule.


Havzi Nela, që vuante nga mungesa e lirisë jo vetëm krijuese, nuk trembej dot nga vdekja për këtë liri. Ai nuk kishte shpirt robi që të bindej për gjithçka. Nuk duronte fjalët poshtëruese, fjalët fyese, të cilat mund të binin më tepër se mallkim. Këtë qëndrim poeti e shpreh në mëse një poezi. Prandaj, këtë mesazh ka edhe poezia "O liri, o vdekje", apo edhe poezia "Ma mirë le t`i mbylli sytë", në të cilat mospajtimi me fyerjen, poshtërimin, janë qëndrime të prera të poetit që më parë pranonte të thonin njerëzia se vdiq, por shkoi me nder, se i rrëzuem (kupto:poshtëruar) përgjithmonë. Këto vargje poeti i sajon në burgun e Burrelit më 1977, në ato momente kur përballej me torturat dhe poshtërimin që i bënin gardianët dhe komesarët e diktaturës.


Kur lëxon poezitë e burgut të poetit Havzi Nela të kapë trishtimi, një trishtim që të tronditë. Aty do të përballesh me një realitet që kishte ndodhur, me një përjetim të drejtpërdrejtë. Ndryshe nga poezia e burgut e Visar Zhitit, e cila është një poezi që e ndien burgun dhe peshën e rëndë e të tmerrshme të tij, por që shprehshmëria e saj është ndryshe, pa urrrejtje, në poezinë e Havzi Nelës ka më tepër urrejtje, më tepër mosdurim, më tepër drejtpërdrejtshmëri dhe kacafytje me realitetin brutal të jetës:




Jo or jo, njëzet vjet burg nuk u mjaftuen,


S`u ngopën ushunjëzat, xhelatët mendjemarrë,


Më ndoqën kamba-kambës, lakun m`a shtrënguen


Më ndoqën gjithë jetën, pse jo deri në varr


(Nuse më dhanë robninë)




Kjo poezi shpreh brengën e poetit për atë që ekzekutorët i dhuruan atij, duke e lënë fillikat vetëm, duke e sterilizuar dhe duke e lënë edhe pa fëmijë. Këto vargje poeti i shpalos në Arrën, ku pushteti e kishte dërguar për ta mbytur me vetmi, por që s`mund ta thyente dot:




M`hoqën përgjithmonë të shtrenjtën, lirinë,


M`i hoqën të gjitha, kot kam mbetur gjallë.


Shtëpinë m`a rrënuen, nuse më dhanë robninë,


Më lanë pa vajzë e djalë, më lanë të qaj me mall.


(Nuse më dhanë robninë)




Ndonëse i mbytur vetmi dhe vuajtje të shumta shpirtërore e fizike, poeti, megjithatë jeton me të mirat, jeton me pathyeshmërinë e tij, e cila siç shihet i jep një trohë ngushëllim, sa për të mos thënë "një trohë dëshprim të përmbajtur". Liria tek ai ndihet vetëm atëherë kur e kujton vendlindjen, kur e kujton të kaluarën e lavdishme të vendlindjes. Duke i kënduar vendlindjes, në mes këngës dhe vajit dëshpërues, poeti mundohet të shprazë vrullin dhe flakën e ndezur të krenarisë që i ngjallë qëndresa dhe pathyeshmëria nëpër shekuj e vendlindjes dhe njerëzve të saj, tashmë të katandisur keq. Janë ato vende, ata emra të vendlindjes, si Kalaja e Dodës, Luma plakë, Gjallica dhe të gjithë ata shkrepa e male, ato lugina e gryka, ku nëpër kohë u zhvilluan beteja kundër pushtuesve në ato luftëra për identitet e integritet kombëtar e njerëzor, të cilat poetit në mes errësirës së qelisë, burgjeve të Spaçit, Rrëshenit, Burrelit, humbëtirave të Arrnit etj, i ngjallin një diçka të bukur, një diçka të dinjitetshme, siç është liria, për të cilat poeti përdor metaforat më të bukura, më të zgjedhura:




"Flamuj t`gjallë në lufta t`rrepta,


Hijerandë, simbol lirie !"




Janë këto malet dhe shkrepat e vendlindjes së poetit, të cilat të kujtojnë vargjet e Naim Frashërit që i thurte atje larg në mërgim me atë shpirtin e mërguar. Po atëhere ishte një tjetër kohë, kohë e pushtimit, ndërsa poeti i këndonte të gjitha atyre, duke hymnizuar malet e kodrat, çukat etj., por tani në kohën e Havzi Nelës, cila kohë ishte që ai të mallëngjehej aq shumë. Kjo ishte një anakronizëm i llojit të vet, që është shpjeguar sa herë. Poezia e poetit bëhet më e fuqishme, kur dihet se n`çrrethana u krijua ajo. Poeti bëhet një hymnizues dhe i përmallshëm për një diçka të kaluar që i shëmbëllen me të bukurën, me madhështoren, e cila u mbyt nga grotesku dhe nga e shëmtuara e kohës "moderne". E kohës që po mbyste edhe atdheun e poetit, ku bëhej lufta e klasave, vrasja e njerëzve dhe e fjalës së lirë. Prangat e diktaturës shtërngoheshin e shtërngoheshin deri në këputje jete. Ndahej vëllau me vëlla dhe gjaku shprishej çdo ditë e vendi ishte dhe "po mbyllej me spiunë" që të përcjellin si hije të prapta. Dhe këtë poeti e shihte përditë, sepse edhe përballej atje në errësirën e qelisë. Andaj, në një moment ligësie e siç duket edhe humbje shprese për diçka të mirë që mund të ndodhte, poeti bën thirrje për vajtim:




Eni gjithë s`bashku, le të shpallim zinë


Me gjamë e me kuje t`a vajtojmë Shqipërinë


(Eni të vajtojmë Shqipërinë)




Ky është kulmi i dëshprimit të poetit të dëshpëruar e të mbetur pa shpresë. Poezia e Havzi Nelës "Eni të vajtojmë Shqipërinë" të kujton poemthin e Pashko Vasës "O moj Shqypni" , të shkruar këtu e njëqind vjet më parë. Këtu duhet të bëjmë një paralele, për të shikuar Shqipërinë e atëhershme me të kohës së Havzi Nelës. Cili ishte ndryshimi i katandijes së Shqipërisë së atëhershme me të tanishmen dhe a kishte të drejtë poeti Nela ta bënte një ftesë të tillë për vajtim? Natyrisht që arsyet ishin të shumta që ai të bënte këtë ftesë: Nuk është vetëm ana personale e vujatjes dhe e persekutimit të poetit nga pushteti dikatorial, i cili vendit nuk i sillte asnjë të mirë, prandaj as poetit të syrgjynosur, por është edhe ana e përgjithshme që u pa më vonë me syrin e një realiteti krejt tjetër. Poezia ftesë për të vajtuar në Shqipërinë, e Havzi Nelës, është edhe një ftesë për të ngritur zërin dhe për të luftuar për dinjitetin e Shqipërisë "së rënë përdhe" e të thyer krahësh. Të Shqipërisë së përgjakur e të lidhur ndër pranga ashtu sikur vetë poeti. Kjo është një nga poezitë më të goditura, më të brumosura me atributet e një krijimi dinjitoz, pavarësisht nga klithmat dhe shprazjet e shumta të poetit mbi ata që i bënin këtë gjëmë Shqipërisë.


Por edhe në mes asaj errësire, në mes atyre klithmave e gjamës, poeti Havzi Nela në shpirtin e tij fanitte shpresën e fitores, kur dëgjonte për gjërat e madhërishme që ndodhnin. Është viti 1981. Ngjarjet në Kosovë atij i ngjallin asociacionin e fitores dhe të krenarisë, gati të humbur. Atë asociacionin e shikuar në vargjet për vendlindjen në të kaluarën e lavdishme të saj. Këtë e shpreh më së miri poezia "Nusja e flamurit", në të cilën poeti i këndon çikës kosovare që mbi tankun serb ngjitet sikur shqiponja duke valëvitur krahet pa asnjë frikë:




Lavdi çikës kosovare


Si një shqerrkë, si jë manare.


I del tankut, i thotë "Ndal!"


Rritet, ngrihet sa nji mal!




Poezia e Havzi Nelës pati fatin e vetë poetit. Një fat të ndrydhur, fatin e një poezie që ende vazhdon të "ruhet" duke pritur një kohë më të mirë. Këto pak poezi të mbledhura dhe të botuara nga studiuesi i përkushtuar, Petrit Palushi, janë një rast i mirë për të mësuar për një proces të zhvilluar brenda dramës jetësore të një njeriu që e deshi atdheun dhe lirinë e tij, një dramë jetësore që tregon fatin e keq të një kolektiviteti të tërë dhe përjetimet e tij brenda një periudhe të caktuar të quajtur diktaturë. Dalja në dritë, qoftë edhe në këtë formë dhe këtë sasi, të jep shpresë se rrugëtimi i nisur shumë kohë më parë i krijimeve të poetit Havzi Nela do të arrijë cakun. Vetëm kur të kemi para vetes tërë opusin e tij krijues, mund të flasim më shumë dhe të japim ndonjë vlerësim më të kompletuar për poezinë e kijuar nëpër vite të poetit fatkeq, Havzi Nela....

Shkruan:Besim MUHADRI

No comments: