Tuesday, April 27, 2010

Havzi Nela, martir i vargjeve të lirisë!

 
Havzi Nela, martir i vargjeve të 
lirisë!

Kaluan plot 20 vjet nga dita e 20 Gushtit 1988, kur qyteti i vogël i Kukësit u gdhi me një pamje të trishtuar.Në njërin nga sheshet kryesore,komunistët kishin varur në litar poetin disident Havzi Nela. Një autor i huaj ka shkruar se, “është me të vertetë fatkeqësi që njeriu të jetojë në një vend që është i pamëshirshëm ndaj njerzve të aftë dhe që dallojnë”. Poeti ishte një njeri që dallonte dhe kjo ishte arsyeja që regjimi komunist e kishte vendosur në grykën e pushkës. Si demokrat, patriot dhe atdhedashës, ishte i pari që ndjente dëshirën për të qenë i lire në një vend të lire. Por fatkeqësisht poeti jetoi në një kohë që ishte e vështirë të jetonin martirët si ai. Jetoi dhe vdiq si hero në kohën e diktaturës komuniste. Në atë ditë të nxehtë gushti u ndodha në Kukës, si sot 20 vjet më pare. Po shkoja në drejtim të axhencisë së autobusëve. Ecja ashtu i shkujdesur duke menduar se vështirë do të kishte vende në të vetmin autobus rrangallë që udhëtonte në drejtim të Krumës. Kur më del përpara syve një pamje makabër; një trekëmbësh dhe një njeri i varur në litar. Një parullë ku ishte shkruar me gërma kapitale “Havzi Nela, armik i partisë dhe i popullit”. Trupi i poetit lëkundej mbi trekëmbësh nga një erë e lehtë që zbriste nga lugina e Drinit. Kalimtarët e rrallë largoheshin me vrap të tmerruar. Ramiz Alia, me kriminelët e tijë komunist edhe në grahmat e fundit po kafshonin si egërsirë trupin e Atdheut. U afrova por nuk mund të mbaja lotët. Më dukej se edhe mali Gjallica ishte përkulur në atë shesh ogurzi përpara trupit të pajetë të Havzi Nelës. Dy pika gjaku i zbrisnin buzëve të holla. Disa policë, pis të zinj, lëvrinin si krimbat, të gufosur se diçka kishin bërë.


E kam njohur Havzi Nelën në Krumë në vitin 1962. Kishte ardhur si mësues. Në Krumë, në vendin tim të lindjes, familja jonë jetonte në gjendje internimi dhe ca më keq akoma. Me mua njerëzit e kishin të ndaluar të flisnin. Sipas komunistëve unë isha i biri i armikut të popullit. Kishim qenë të burgosur, të internuar, ishim kulakë dhe mua nuk më lejonin të vazhdoja shkollën. Lexoja shumë libra, ishte i vetmi ngushëllim dhe prehje e imja. Në qendër të fshatit, atëherë ka qenë një bibliotekë e vogël, afër një mulliri, ku përgjegjës ishte Imer Muja, një djalë i ri me shpirt antikomunisti, të cilin e kisha shumë mik. Një ditë ai më njohu me Havziun. Filluam të bisedojmë dhe të shkëmbenim libra me njeri tjetrin. Trajtonim tema të ndryshme dhe u bëmë miq. I vinte keq prej meje, për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhesha dhe më jepte kurajo se ditë të mira do të vinin për të gjithë shqiptarët. Shpesh më recitonte poezitë e tij, ku pasqyrohej jeta e vështirë dhe falsiteti i propagandës komuniste nëpërmjet figurave letrare, me një mjeshtëri të rrallë, duke iu shmangur spiunëve që përgjonin kudo. Për një kohë të shkurtër në Krumë, Havziu kishte bërë shumë miq. I sjellshëm me kolektivin e shkollës, i dashur me nxënësit e tij mospërfillës ndaj pushtetarëve komunistë, ishte mjaft superior karshi tyre dhe respektohej nga të gjithë shokët që e rrethonin. Por në të njejtën kohë dallonte edhe në mes të miqve të tij për thjeshtësinë e vlerat intelektuale. I pajisur me cilësi të jashtëzakonshme, shquhej për talentin e tijë politik. Komunistët shikonin tek Havziu një “njeri të rrezikshëm” dhe me të vertetë atë mundet ta ndalonte vetëm vdekja në rrugën që kishte nisur, te behej i pavdekshem në rrugën e vështirë të lirisë dhe demokracisë. Është i pari që ka shkruar poezi për Kartën e Helsinkit e të drejtave të njeriut, që në atë kohë njihej shumë pak nga shqiptarët. Më kujtohet se Havziu zbulonte kontradiktat në veprat e teoricienëve marksistë që aq shumë reklamoheshin në atë kohë. Engelsi - më thoshte Havziu - në librin e tij “Origjina e familjes, pronës private dhe shtetit”, shkruan se me lindjen e familjes,pas komunitetit primitiv, lindi prona private. Prona private është e lidhur me familjen në atë mënyrë saqë pa prone private nuk mundet të ketë familje. Nga ana tjetër komunistët i kanë shpallur luftë pronës private, pra në të njëjtën kohë luftë edhe familjes. Duan të na zmbrapsin prapa në disa mijëra vjeçarë. Nuk ka pë t’u ndërtuar kurrë socializmi, as komunizmi. Teoria marksiste është një utopi”. Në vitin 1963 Havziu u largua nga Kruma. U ndamë me lot në sy duke i shtërnguar dorën njeri tjetrit. Më erdhi keq që nuk kisha patur mundësi që ta ftoja në shtëpinë time as për një kafe. Ishte e pamundur të vinte dikush për vizitë në shtëpinë tone. Më duket se e transferuan në fshatin e tij të lindjes në Kollovoz. Më vonë dëgjova se u dënua nga gjykata e Kukësit, pas arratisjes në Jugosllavi në vitin 1967. Qendrimi i tij burrëror përpara atij gjyqi famëkeq, bëri jehonë dhe u end gojë më gojë, në rrethet e Kukësit, Hasit, Tropojës dhe më gjerë. Në vijën e kufirit kur po kalonte për në Jugosllavi së bashku me nusen e tij të re, Lavdijen, kishte lënë një letër të shkruar me fjalët lapidare: “Shqipëri e dashur, po të lë me zemër të plasur”. Këtë letër pasi e kishin gjetur rojet e kufirit, kriminelët komunistë, e kishin arkivuar në dosjen hetimore dhe po e përdornin si armë të fuqishme kundër poetit. Në fjalën e tijë përpara gjyqit ai do të deklaronte se ishte antikomunist dhe kundërshtar i vendosur i diktaturës. Prokurori do ta akuzonte si bashkëpunëtor të UDB, por Havziu me guximin që tejkalonte kufinjtë e qëndresës i përgjigjet se “kjo është një gënjeshtër. Ju jeni bashkëpunëtorët e UDB-së jugosllave. Komunistët serbë më dorëzuan tek ju, se ju jeni bashkëpunëtorët e tyre”, do të deklaronte poeti në atë gjyq që e denoi 25 vjet burg. Sot pas 20 vjetëve, fjalët e poetit antikomunist bëjnë apel se dosjet duhen hapur. Këtu vertetohet katërcipërisht veprimtaria kriminale e ish-Sigurimit, e bashkëpunimit me UDB-në jugosllave në krime kundër popullit si në rastin e Havzi Nelës. Vitet kaluan. Poeti përshkoi kalvarin e gjatë të vuajtjeve në burgun komunist. Ish-të burgosurit politikë në të katër anët e Shqipërisë, ata që kanë ndarë në mes tyre kafshatën e bukës dhe vuajtjen, e kujtojnë me respekt djaloshin e vendosur në idealin e lirisë dhe të demokracisë. Ai u vra nga bisha komuniste në pragun e lirisë me 10 Gusht 1988, pikërisht atëherë kur ëndrra e poetit po bëhej realitet, kur akujt e diktaturës kishin filluar të shkrinin në të gjitha vendet e lindjes. Këtu në Shqipëri, kasta kriminale enveriste, “bijt’ e Stalinit”, me Ramiz Alinë në krye, bënin si gomari në ëndërr dhe nuk donin të pranonin shembjen e komunizmit. Krimineli Fehmi Abdiu, që sot bën “drejtësinë” në gjykatën e lartë dhe i dekoruar me medaljen “Naim Frashëri të klasit të pare”, nga Presidenti i Republikës, ka deklaruar se “dënimin me vdekje të Havzi Nelës e ka dhënë me ndërgjegje të plotë”. Po, xhelati komunist e vrau poetin me ndërgjegje komuniste. Me ndërgjegje vret ujku, gjarpëri, kanibali, me ndërgjegjen e qenies që i takon. Sigurisht urdhri për të vrarë poetin ishte i Ramiz Alisë,por ai që vret është njëlloj kriminel si ai që jep urdhërin për të vrarë. Ndërkohë një tjetër firmëtare e atijë vendimit të kobshëm është edhe gjyqtarja e atëhershme Fatmira Laskaj, deri para pak ditësh Kryetare e Inspektoriatit të Lartë për Deklarimin e Pasurive, si për çudi edhe kjo e dekoruar këto ditë nga Presidenti “për merita të veçanta”. Po a vritet poeti o njerëz, a vriten vargjet e lirisë? A mundet të ndalohej Dielli që po lindëte në gjithë Europën? Ja këta ishin ata, xhelatët komunistë mediokër, që nuk besonin tek zoti dhe as demokracia. Paradoksi i realitetit të sotëm në Shqipëri është se kriminelët e djeshëm, bashkëpunëtorët më të zellshëm të ish-Sigurimit janë konvertuar. Kameleonët kanë ndryshuar ngjyrën. Armiqtë e djeshëm të lirisë marrin dekorata nga Presidenti i Republikës. Mesazhet e Amerikës dhe Europës “për dënimin e krimeve të komunizmit” po injorohen në mënyrë sistematike duke rrezikuar seriozisht në rrugën e vështirë të demokracisë. A thua të jetë mungesë informacioni për Presidentin të marrin dekorata; Skënder Breca, prokurori që dërgoi përpara pushkatimit në vitin 1979, Xhelal Koprenckën, Fadil Kokomanin dhe Vangjel Lezhon, për “fajin” e vetëm se kanë patur guximin t’i shkruajnë letër diktatorit Hoxha? Po për Fatmira Laskajn e dinte Presidenti jonë i nderuar se kishte dënuar me varje në litar Havzi Nelën? Rastësi është vallë dekorimi i Njazi Jahos, Xhevat Hanës e co, ata që dënuan në mënyrën më barbare njerzit që aspironin për demokraci? Po Fehmi Abdiu që nuk tundet nga karrikja në Gjykatën e Lartë “nga reforma në drejtësi”. Po Diana Çuli, deputetja me “zërin si të qyqes” në Parlamentin shqiptar, bashkëpunëtorja që dërgoi përpara pushkatimit poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, tani na jep ne shqiptarëve “të urtë” leksione për demokracinë. Si këta kameleonë ka me mijëra që kanë hyrë në politikën shqiptare dhe po i bëjnë gjëmën demokracisë. Prandaj politika dhe sidomos e majta ish-komuniste e frikësuar dhe e terrorizuar nga “hapja e dosjeve”, ia dolën përsëri të injorojnë dhe të sabotojnë rezolutat e KE dhe rekomandimet e Amerikës dhe Europës, dhe hapjen e dosjeve ta fusin edhe njëherë tjetër në “kalendat greke”. Dhe kriminelët e djeshëm na thonë se ata “paskan zbatuar ligjet e kohës”. Por ne ish-të përndjekurit politikë u themi këtyre “konstitucionalistëve të pazëvendësueshëm të shkollës staliniste”, se diktatura ndryshon nga demokracia pikërisht në faktin se diktaturat kanë ligje të shkruara që nuk zbatohen, por zbatohen urdhrat. Jo rastësisht Aranit Çela kur dënonte njerëzit nxirrte mbi tavolinë “veprat e diktatorit”. Ndërkohë demokracia funksionon në zbatimin absolut të ligjit.
Sot në Shqipëri demokracia është seriozisht e rrezikuar nga kriminelët e diktaturës që dje u kanë vënë litarin në grykë martirve të lirisë dhe sot japin leksione për demokracinë. Poeti Petrit Palushi,i cili ka përgatitur për botim poezitë e Havzi Nelës,në parathënjën e librit “Pa një ditë lumnije”, botuar në vitin 1996 shkruan se: “emisarët komunistë nuk kanë shfaqur as pendesën më të vogël për atë që kryen me mizori mesjetare. Janë monstra të tilla që kurrsesi nuk mundet t’i zërë gjaku”. Ndërkohë Kadareja shkruan për këto monstra se“janë nga raca që flenë me ndërgjegje të përgjakur”. Si bleta që mbledh nektarin e vyer në korijet me lule shumëngjyrëshe shpateve të malit të Gjallicës, Petrit Palushi ka mbledhur poezitë e Havzi Nelës, të shpërndara në fletore dhe në copa letrash të zverdhura nga koha. Në poezinë “Më mire me mbyllë sytë”, nga burgu famëkeq i Burrelit në vitin 1977, Havzi Nela shkruan në kulmin e dëshprimit: “Më mire me mbyllë sytë/Më mire zemra t’më pushojë/Më mire mos me pa më dritë/Kur harbuti t’më mundojë. Poeti në birucën e ftoftë dhe me lagështi të burgut e kujton Nënën e tij me poezinë: “Po o Nanë, po”. “Po, o Nanë po, përsëri në emër të ligjit jam arrestue\E duert m’i kthyen prapa policët e zinj\Në hekur me tutjus m’i kan ngujue\.Por poeti e gjen shpëtimin në kurajon dhe në luftën kundër diktaturës:-Deri kurë durim,deri kurë ma shpresë\Jo,jo, këto fjalë mos m’i thoni,këto fjalë nuk i due\Me durim dhe shpresë nuk dua të vdes\Se jeta dhe vdekja duhën meritue\. Poeti si njeri me zemër të madhe nga qelia skëterrë e burgut,me mendjën dhe ëndrrën e tij fluturon si zog i lire dhe i këndon me mallë vendlindjes, i këndon lirisë; i këndon dashurisë që e kishte lënë të mjerë atje në Lumën e tij të dashur, gjen kohën dhe i këndon jetës që e deshi aq shumë. Poetit i qan zemra për Kosovën e robëruar në atë kohë. Në poezinë “Nusja e flamurit”, poeti shkruan: \Lavdi çikës kosovare\Si një shqerrë si një manare\I del tankut i thot ndal\Rritet,ngrihet si një mal\Për Kosovën Republikë\Lëshohem,ngjitem,nuk kam frikë\Jam shqiponjë me krahë e fletë\Edhe ngjitem deri tek retë\.
Politika shqiptare as nuk e ka vënë ujët në zjarr për të përkujtuar martirin e vargjeve të lirisë në 20 vjetorin e rënjës së tijë si hero. Instituti i Ish-të përndjekurve politikë, me shkresën nr.295 prot.dt.07.05.2003, i ka propozuar ish-Presidentit Moisiu, dekorimin e Havzi Nelës me titullin “Nderi i kombit”. Por propozimi ka rënë në vesh të shurdhër. Në vesh të shurdhër ka rënë edhe një propozim tjetër po nga ky institut drejtuar Presidentit aktual të Republikës. E gjithë jeta e Havzi Nelës është përpjekja titanike e një poeti, e një intelektuali të pashoq në historinë tone kombëtare, e një njeriu që luftoi gjithë jetën kundër komunizmit si fatkeqësi kombëtare, për një Shqipëri të lire dhe demokratike. Nga ana tjetër, varja në litar e poetit në pragun e lirisë nga kasta kriminale e Ramiz Alisë, përbën rastin e vetëm makabër në të gjithë Europën ish-komuniste. Historianët, intelektualët, institucionet shtetërore, Parlamenti i Shqipërisë, duhet të vlerësojnë veprën e këtij heroi. Jeta e tij plot vuajtje dhe sakrifica në emër të lirisë është një simfoni, një mesazh për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë. Luma që e lindi është krenare për birin e sajë. Populli shqiptarë duhet të bëjë atë që të ulin kokën me turp kriminelët komunistë që e vranë Havzi Nelën. Askush më tepër se ai nuk e meriton ngritjen e monumentit te tij në një shesh të kryeqytetit.

Nga Sejdi Peka


(01.08.2008) 

Burimi:http://www.forumishqiptar.com

No comments: