Një plak nga Topojani i Lumës kërkon eshtrat e 35 të rënëve jashtë kufijve .
Prej disa muajsh, në dyert e institucioneve kryesore në Kukës, bie në sy një burrë i moshuar me "republikë" në krye dhe një dosje nën sqetull. Është plaku Xhemali Miftari, nga Topojani, i cili negocion zhvendosjen e eshtrave të 35 dëshmorëve të fshatit. Një ndërmarrje aspak e lehtë, pasi negociatat shtrihen në disa shtete, atje ku prehen edhe dëshmorët.
Xhemali nuk kërkon eshtra pushtuesish dhe nuk është gjeneral, por përpjekja e tij është krejtësisht e ngjashme me gjeneralin e Kadaresë, që kërkonte eshtrat e ushtarëve të tij, për t‘i kthyer në atdhe.
Njëzet e pesë km në lindje të Kukësit, në një grykë malesh, ndodhet fshati Topojan, qendër-komunë me 5 fshatra dhe rreth 3500 banorë, dikur i famshëm dhe i dëgjuar në të gjitha trojet shqiptare dhe më gjerë. Famën më të vjetër e merr nga fakti që është vendlindja e Sinan Pashës, ish-kryeministër perandorak gjatë dekadave fundit të shekullit XVI, ndërsa në kohët moderne njihet lavdia dhe jehona e gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, kur topojanasit thyen ushtritë pushtuese nga Selaniku e deri në Nish. Nga ana tjetër, në fillim të shekullit XX, Topojani ishte një nga fshatrat më tragjikë në Shqipëri. Në vjeshtën e vitit 1913, ushtritë serbe ekzekutuan aty me pushkë dhe therje rreth 700 banorë, duke i mbuluar në varr masiv. Më pas, për shumë kohë, për Topojanin nuk u fol më, as për theroritë në mbrojtje të territoreve e as për masakrën e vitit 1913. Por aty jeton një plak energjik me emrin Xhemali Miftari, 80 vjeç, i cili prej disa vitesh ka shkundur pluhurin, lidhur me masakrën e 1913-ës, duke ngritur lapidar dhe duke e shndërruar në traditë përkujtimore një pelegrinazh vizitorësh atje. Për më tepër, ai së fundi kërkon edhe eshtrat e dëshmorëve topojanas, që prehen në vende të tjera që prej 150 vjetësh.
Vitet 2000
Fundi i luftës së Kosovës shënoi për topojanasit, në kujtimin kolektiv, edhe fundin e një ankthi të gjatë lidhur me dëshmorët që preshin atje. Sepse njerëzve të interesuar iu dha rasti ta prekin realitetin e ftohtë historik të kohës së shkuar. Jonuz Kola, një intelektual nga zona e Topojanit, kur bie fjala te historia, na tregon një libër që i ndjeri Naim Mani ka shkruar për vendlindjen, ku hedh dritë jo vetëm mbi tablonë e shekullit të XX, por shkon edhe më tej, duke shpluhurosur ngjarje të luftërave ballkanike e ruso-turke, ku topojanasit ishin shquar në mbrojtje të tokave shqiptare. Ai arrin të udhëtojë deri në Nish, ku prehen eshtrat e disa prej miteve shqiptare të veriut, siç ka qenë Sahit Gega apo Ejup Topojani. "Në çdo luftë perandorake serbët janë përpjekur të përfitojnë për të zhvatur tokat shqiptare përmes masakrash dhe dëbimesh", thotë i menduar një mësues historie nga Kukësi, duke shpjeguar faktin që në libër përshkruhet besnikërisht heroizmi i Sahit Gegës për të mbrojtur Nishin, si qytet shqiptar, por që serbët e "zhvatën që e zhvatën". Kisha dëgjuar që herët disa këngë për Sahit Gegën "po vjen Sahit Gega/ haj n‘at kalin gjok/ eh irish po ban-e/ drejt e në top"... m‘u kujtuan vargjet e këngës "Prej Prekupje deri në Nish", një këngë shumë vjetër. Vështirë se mund t‘i shkonte në mendje njeriu se do të gjendeshin eshtrat e tij një ditë. Ashtu siç nuk mund të mendohet që dikush të thotë, ja eshtrat e Mujit dhe Halilit... Në libër mësojmë se ai kishte rënë në luftën për të mbrojtur territoret shqiptare, më saktë Nishin, në vitin 1877.
Legjenda e Sinan Pashës
Në fondin e pasurisë kulturore dhe etnohistorike të Topojanit të bien në sy ato që kanë të bëjnë me pinjollin e këtij fshati, Sinan Pashën e Topojanit, që kishte qenë pesë herë Kryeministër perandorak në Stamboll, në gjysmën e dytë të shekullit XVI. Ja një nga legjendat për fëmijërinë: Sinani dhe tre-katër fëmijë, ndërsa kullotin bagëtitë, kanë vu në "teatër" pjesën "Gjykatësi dhe fajtori" aty në lëndinë. Sinani ka qenë "gjykatësi", i cili dënon fajtorin me varje në litar. Në këtë moment, sapo i vënë litarin në qafë, një fëmijë, aty si "fajtor", bie ujku në tufën e bagëtive dhe fëmijët shpërndahen me panik "ujku, ujku, ujku..." dhe harrojnë të varur në litar shokun e tyre, i cili dha shpirt. Kur ata u kujtuan të kthehen e ta heqin, kishte qenë vonë.
Siç tregojnë hulumtimet që ka botuar për të studiuesi prof. Shefqet Hoxha, Sinan Pasha më vonë nga pozitat e Kryeministrit kishte siguruar një ferman sulltanor, i cili përjashtonte të gjithë krahinën e Topojanit (me fshatrat e tjerë të Lumës) nga çdo taksë mbi tokën dhe pasurinë. Historianët kanë pohuar ekzistencën e fermanit në një shtëpi topojanase, deri në fillim të shekullit XX dhe mendohet se është djegur në masakrën e vitit 1913, kur serbët vranë rreth 700 banorë dhe çdo shtëpi u rrafshua nga zjarri.
Përpjekjet për të kujtuar historinë
Xhemali Miftari ka qenë një nga promotorët e palodhshëm të përkujtimit të ngjarjes së vitit 1913. Tre vjet më parë, ai organizoi një manifestim madhështor në fshat, në vendin e varrezës masive të rreth 700 banorëve të masakruar nga serbët. Ka qenë rasti i parë që një ngjarje tillë, e "vënë në gjumë" gjatë shekullit XX, zgjoi kujtesën historike të brezave të sotëm. Por Miftari nuk ndalet, nuk mjaftohet me kaq. Në trojet e vjetra shqiptare ka një numër dëshmorësh të identifikuar si topojanas. Pasi Xhemali, por jo vetëm ai, ka mundur të plotësojë vite më parë dokumentacionin e duhur pas të cilit qeveria i ka shpallur "dëshmorë të atdheut", eshtrat e tyre duhet të sillën në fshat. Dhe për këtë, plaku ka negociuar deri te Kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Kosovës, te ministri i Mbrojtjes dhe ai punëve të brendshme. "Tokën time e kam dhuruar për dëshmorët, aty ku kemi ngritë edhe memorialin e 700 banorëve të masakruar në 1913", thotë ai, dhe shton se janë 35 dëshmorë kryesisht të vitit 1912, që kanë rënë në territoret e Kosovës. "Duhet t‘i respektojmë, sepse kanë rënë për atdhe, t‘ua bëjmë një varrim me ceremoni...". Ai mendon se Topojani vlen të bëhet qendër pelegrinazhi për të gjithë shqiptarët.
I kthehemi sërish historisë për të mësuar më shumë për Sahit Gegën dhe Topojanin. Aty nga fundi i shekullit XIX, krahinat e Lumës i gjejmë të organizuara në formë bajraqesh, si një vetadministrim apo autonomi nga Porta e Lartë. Krahina e Lumës ka pasur shtatë bajraqe dhe Topojani ka qenë jo vetëm një prej tyre, por bajrak i parë. Dhe bajraktar ka qenë Sahit Gega. Referuar disa botimeve për bajraqet, si dhe për periudhën e shekullit XIX në tërësi, del se bajraku ka qenë flamuri i luftës dhe bajraktari ishte flamurtari. Në bazë të kodit të vjetër "Kanuni i Lumës" të mbledhur nga Sheqfet Hoxha, kur bajraktari vritej, flamurin e merrte një tjetër, i cili thirrej tashmë bajraktar. Bajraku i parë i Lumës, pra Topojani, ka qenë një nga faktorët e rëndësishëm të luftës së Lumës në vitin 1912 (në tetor), kur në këtë krahinë u thyen ushtritë serbe, që ishin drejtuar drejt Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Në atë betejë mbetën të vrarë 12 mijë ushtarë serbë. Thyerja e serbëve i dha shanse reale ngritjes së flamurit në Vlorë. E plaku Miftari kërkon pikërisht që dëshmorët e asaj periudhe, madje jo vetëm ata, por sa më thellë në kohë, deri në vitet ‘70 të shekullit XIX.
No comments:
Post a Comment