Tuesday, April 27, 2010

Doli nga shtypi dhe u vu në qarkullim libri: "FJALA NË LITAR"

Doli nga shtypi dhe u vu në qarkullim libri: "FJALA NË LITAR"


-- nga Zef Lleshi & Petrit PALUSHI

Shtëpia botuese "Onufri" nxori në qarkullim librin "Fjala në litar" (shkrime për Havzi Nelën).
Ky libër është një përmbledhje shkrimesh për martirin Havzi Nela, i cili u ndëshkua mizorisht me varje në Kukës, më 10 gusht 1988, dy vjet para se të përmbysej regjimi mesjetar komunist në Shqipëri. Në këtë libër janë përmbledhur shkrime të 43 autorëve:
Agim Morina, Agim Spahiu, Ahmet Selmani, Astrit Patozi, Bardhyl Londo, Besim Muhadri, Besnik Mustafaj, Bilbil Hereni, Fejzulla Gjabri, Granit Zela, Gjergj Leka, Gjovalin Kola, Halil Haxhosaj, Halit Shamata, Islam Dogjani, Kujtim Allaraj, Kujtim Morina, Lazër Stani, Maks Velo, Myftar Gjana, Nazif Dokle, Ndue Ukcama, Nermin Spahiu, Nimon Muçaj, Pal Doçi, Petrit Palushi, Prend Buzhala, Ragip Sylaj, Ramadan Musliu, Ramiz Gjini, Sabajeta Peposhi, Safet Sula, Shefqet Gjana, Shefqet Hoxha, Teodor Laço, Uran Kalakula, Vath Koreshi, Visar Zhiti, Xhevahir Spahiu, Yrjet Berisha, Zaide Noka, Zekeria Cana, Zyhdi Morava.
Në shkrimet e autorëve të sipërcituar portretizohet më së miri jeta e martirit të njohur Havzi Nela, refuzimi dhe reagimi i tij ndaj diktaturës komuniste, ndjeshmëria ndaj lirisë, jokonformizmi dhe njëkohësisht rebelimi ndaj një bote dhe kohe me mungesën totale të lirisë.........
Në këtë libër janë përfshirë shkrime rreth figurës së Havzi Nelës të botuara kohë mbas kohe në shtypin shqiptar; veç kësaj, përfshihen edhe disa shkrime të përgatitura enkas për këtë botim.
Ky libër, përsëpari është një dëshmi, është një përkujtesë, është shenjë nderimi ndaj jetës dhe veprës së martirit Havzi Nela; njëkohshëm është edhe shenjë reflektimi mu në kohën ku ende ndihet mungesa e plotë e refleksionit politik, historik dhe kulturor mbi të shkuarën. Ky libër, veç të tjerash, përveçse është një përpjekje për të shmangur harresën, është gjithashtu sadopak edhe një trazim i ndërgjegjes. Libri është përgatitur për botim nga shkrimtari dhe studiuesi Petrit Palushi; me këtë rast po botojmë edhe parathënien e shkruar prej tij.



Libri i përkujtesës dhe reflektimit


-- nga Petrit PALUSHI

Poeti nobelist Pablo Neruda kur rrëfente për vdekjen e Frederiko Garsia Lorkës, ndërmjet të tjerave shënonte se, "Vrasja e Frederikos qe për mua ngjarja më e dhimbshme e gjithë kësaj lufte të gjatë dhe të tmerrshme. Spanja paskësh qenë gjithmonë një arenë gladiatorësh, një tokë e larë me gjak. Por vrasja e Frederikos e bëri atë edhe më të zezë, sterrë. Dhe, sa herë që e kujtoja këtë arenë vdekjeje, më ngjallej edhe kujtimi për luftën vdekjeprurëse, të vjetër disa shekuj, mes dritës dhe hijes". Vdekja tragjike e Lorkës kish ndodhur në vitin 1936.

Mbytja e të panënshtrueshmit Havzi Nela
Gjithsesi, historia vjen e gjallë, por me nota shumë të ashpra.
Më 10 gusht 1988, në Kukës u ekspozua një prej pamjeve më të mizorta dhe më të shëmtuara të pushtetarisë komuniste, një "arenë vdekjeje", siç qe shprehur dikur Neruda: këputja e frymës së Havzi Nelës, sfidantit të gjithkohshëm, njeriut me guxim të madh civil dhe i pajisur me frymën më të epërme të qytetarisë, me mbindjesinë e revoltës ndaj moralit të amoralshëm, ndaj normave të shformësuara të diktaturës. Pikërisht, mbytja e të panënshtrueshmit dhe jokonformistit Havzi Nela, ëndërrimtarit dhe luftëtarit të madh të lirisë, njeriut të profilizuar ndjeshëm tashmë si luftëtar antidiktaturë, më saktë, marrja e frymës së tij, qe një prej akteve më cinike të pushtetarisë komuniste, një primitivizëm dhe humbje e ndjeshmërisë deri në fijen më të imët.
Për fat të keq, n'ato vite, bashkëjetesa me të keqen, një lloj konformizmi i çuditshëm, qe kthyer pothuajse në një përditshmëri, qe shndërruar në psikikë, në një bashkëjetesë patologjike dhe liria, qe kthyer thjesht në një iluzion.

Krimi ndaj njeriut me shpirt të ndjeshëm
Krimi ndaj Havzi Nelës, ndaj njeriut me shpirt të ndjeshëm lirik, mësuesit, poetit, veprimi i mizortë i diktaturës ndaj tij m'u në prag të shpërbërjes dhe dekompozimit të saj, është pa dyshim, një nga dëshmitë më tronditëse se si mund të vepronte diktatura mbi njeriun që kërkonte liri dhe integritet, ndërsa, në tjetrën anë, është paraqitja e përnjëmendtë e fytyrës së terrtë të saj dhe një nga aktakuzat më të ashpra ndaj një regjimi primitiv nga më të egrit n'Evropë.
I njëjti prokuror që do të dënonte poetin Visar Zhiti
Ndërkaq, si për ironi, i njëjti prokuror që e dënoi atë më 1967, në dënimin e parë të tij, do dënonte edhe poetin Visar Zhiti më 1980. Visar Zhiti do të dënohej mu në atë ndërtesë të gjykatës ku Havzi Nela do të merrte dënimin e katërt dhe njëkohësisht më të mbramë në qershor të 1988-ës (pra, në qytetin e ndërtuar rishtaz për shkak të përmbytjes së atij qyteti që u bë zakon të quhej Kukësi i vjetër, qytet ku qe dënuar Havzi Nela për herë të parë në vitin 1967).
Mbasi qe dënuar për të parën herë me 15 vjet heqje lirie dhe për të dytën herë me 8 vjet, në dënimin e tij të tretë (internimi), në vendimin përkatës shënohej se internimi i fillonte me datën 26.9.1987 dhe i mbaronte me datën 26.9.1992. Kësisoj, pushtetaria komuniste ende e mendonte përjetësinë e vet, pra, e kish kthjelltuar mendjen të vazhdonte të ushtronte një mizori të përhershme, një lloj tiranie të tejmizortë në të gjitha stinët.

Mbytja e Havzi Nelës, dy vjet para se të shembej regjimi komunist
Por duhej të vinte dënimi i katërt, dënimi i mbramë dhe fatal për Havzi Nelën, një vit mbasi kish nisur odisejadën e internimit dhe ç'prej verës përvëluese të 1988-ës, ai do gjendej nën dhé, si për të shpëtuar gjithsaherë nga bota e mjegullt, e mbrapshtë dhe trazuese e të gjallëve, ndërsa, në tjetrën anë, në dhjetor të 1990-ës, lëvizja historike studentore shënoi fillimin e ndarjes së madhe me atë të kaluar të terrtë të mesjetës shtetërore, pothuajse më mizorja ndër regjimet e mbasluftës së Dytë Botërore në Evropë.
Është folur shpesh për Havzi Nelën se edhe për dy vjet dhe s'e mbërriti lirinë, por pakkush mund ta merrte me mend në atë gusht të përvëlimtë të 1988-ës, ose më saktë, në ditën e këputjes së frymës së tij, se liria kish qenë aq pranë. Aq pranë për të tjerët, por jo për të. Kur flitet kësisoj, duket se çdo fjalë për të tani sikur është një lloj shfajësimi ose plotësimi për humbjen e tij, në radhë të parë për humbjen fizike të parakohshme pas një jete të stërmundimshme, por njëkohësisht edhe për një humbje tjetër: ai s'arriti ta shihte lirinë, atë gjë për të cilën kish sakrifikuar së tepërmi.

Ekipi i krimit ndaj Havzi Nelës
Në anën tjetër, ndërkaq në këtë nëntor të vitit 2005, kur po përgatitet për botim ky libër, ekipi që realizoi shtatëmbëdhjetë vjet më parë krimin ndaj Havzi Nelës, ose, me fjalë të tjera, ekipi i krimit, ose ekipi entuziast i dënimit më të mbramë të tij, është pothuajse në të njëjtën lartësi detyre shtetërore si shtatëmbëdhjetë vite më parë, pavarësisht se është përmbysur regjimi i diktaturës. Afërmendsh, krejt natyrshëm të duket gjithashtu se në këtë Shqipëri të sotme, ka ndodhur prej kohësh përmbytja e moralit, që i mban njerëzit e këtij vendi ende të stresuar, sa ia vlen të besosh se ata ende ndihen fatkeqë në vendin e tyre.

Mungesa e pendesës
Për fat të keq, në rastin e Havzi Nelës, s'mund të flitet kurrsesi për pendesë ose, çështja mund të shtrohej pak si më ndryshe: përpjekja e jashtëzakonshme e atyre që projektuan dhe realizuan krimin ndaj tij për të shmangur me çdo kusht pendesën, si shenja më e parë dhe më e dallueshme për të fshehur krimin. Kjo gjë, pra mund të jetë e barazvlefshme me përpjekjen për të mbuluar përsëri krimin, si shenjë tjetër se ky lloj krimi kish ndodhur në tjetër planet dhe jo në një nga udhëkryqet e rrugëve të Kukësit, sikur ky krim të kish ndodhur në një kohë tjetër, ndoshta dhe para lashtësisë, por jo dy vite më parë se të rrëzohej diktatura dhe mbi shtatëmbëdhjetë vite më parë prej ditës së sotme kur po përgatitet për botim ky libër.
Kjo do të thotë kthjelltas se një përpjekje e nënzëshme për t'u justifikuar, e bën ende më absurde dhe cinike luftën e përhershme ndaj martirit Havzi Nela.
Kjo do të thotë gjithashtu se ekipi i krimit ndaj Havzi Nelës, thënë pak më ndryshe, ekipi i marrjes së frymës, duke mos shfaqur as shenjën më të vogël të pendesës, pa dyshim që fitoi mëvetësinë e plotë të një ekipi, që jo vetëm i kish kapërcyer edhe vetë ligjet më drastike të diktaturës, por edhe theu rekordin e mosvrasjes së ndërgjegjes dhe të mosreflektimit edhe në vitet e pasdiktaturës.

Havzi Nela nuk arriti të bëhej 55 vjeç.
Ai gjithashtu nuk pati mundësi t'i jepte kujt lamtumirën, as nuk i dha kush lamtumirë, në orën 2 të pasmesnatës të 10 gushtit 1988, por, edhe me mungesën e një lamtumire të dyanshme, për të nuk erdhi harresa; sakrifica atë vetëm sa e lartësoi, e vendosi aty ku mund të zënë vend vetëm martirët. Ai nuk mundi t'i shpëtonte mbytjes, por mundi t'i ikte humnerës mortore të harresës; me një qetësi dhe krenari gati-gati sublime, mundi të ikte nga libri i të vdekurve të gjithmonshëm.

Burimi:http://www.forumishqiptar.com

No comments: