Sunday, February 5, 2012

PERSONALITETE/ Imer Sula, atdhetar i shquar i krahinës së Lumës


Në kuadrin e 130 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Imer Sula, atdhetar i shquar i krahinës së Lumës

     Shkruan: Besim R CENGU
     Kukës, 26. 05. 2008

     Imer Sula, lindi në Shtiqën në vitin 1823, në gjirin e një fisi me tradita luftarake dhe atdhetare dhe vdiq në shtëpinë e tij nga plagët e rënda që kishte marrë në luftën e vitit 1899 kundër pushtuesve turq. Sipas rrëfimeve të atyre që kanë qenë bashkëkohës me të, mbledhë dhe ruajtur me kujdes prej pasardhësve të tij, por edhe sipas tregimeve reale popullore, Imer Sula, përpos veprimtarive të vazhdueshme patriotike që prej rinisë së tij të hershme, ka qenë në moshën 30 vjeçare kur ka marrë pjesë me armë në dorë në kryengritjet e malësorëve të Lumës që zhvilluan në vitet 1852-1862 kundër reformave të Tanzimatit, të cilat u udhëhoqën prej patriotëve dhe prijësve popullorë të krahinës së Lumës, si Mahmut Dac Kalisi, Ejup Topojani, Sahit Gega etj.
     Në betejat dhe luftimet e përgjakshme që u zhvilluan në ato vite midis forcave të ekspeditave ushtarake të pashallarëve turq dhe të luftëtarëve kryengritës të armatosur lumjanë, ndër luftëtarët popullor që morën pjesë active në luftimet që u zhvilluan në periudhën e këtyre viteve, për guxim e trimëri të rrallë, u shqua edhe Imer Sula prej fshatit Shtiqën. Madje siç tregojnë burime popullore nga krahina, e sidomos dokumentet e kohës në vitet e mëpastajme, në luftimet që janë zhvilluar në vitin 1862 nga forcat e armatosura shqiptare, në Qafën e Duhles, në Grykën e Vermicës, në Rrafshen e në Kullën e Lumës, në shpatet e Qafës së Kolesjanit, e deri në Kalanë e Dodës, kryengritësit trima lumjanë, duke qenë të drejtuar prej Mahmut Dacit, Ejup Topojanit, Sahit Gegës dhe Imer Sulës, jo vetëm që i thyen disa herë ushtritë e pashallarëve, por edhe u patën shkaktuar mjaft të vrarë e të plagosur, si dhe u kanë zënë shumë armë e municion luftarak.
     Pas fitores që kishin korrë kryengritësit lumjanë, në betejat e zhvilluara në Qafën e Kolesjanit dhe në Grykën e Drinit të Bardhë, e deri në fshatin Zhur ndaj forcave të ekspeditave ndëshkimore të ushtrisë turke, në gjysmën e dytë të vitit 1862, Imer Sula, së bashku me luftëtarët e tij, kur u kthye në fshatin Shtiqën solli shumë armë, të cilat ua shpërndau bashkëfshatarëve të tij për t’i patur në betejat e tjera në të ardhmen.

Në mbrojtje të territoreve shqiptare kundër shovinistëve fqinjë

     Në vitet 1875-1876, shovinistët serbomëdhej, duke përfituar nga luftërat ruso-turke dhe rrethanat e reja të krijuara në gjysmës së dytë të shekullit të 19-të, e për më tepër duke qenë të nxitur dhe të përkrahur drejtpërdrejt nga Rusia, ndërrmorën veprime të organizuara ushtarake për të pushtuar territoret e Shqipërise verilindore si ato të Vranjës, Krushumlisë, Prekupes, Nishit e më gjerë. Mirëpo, ushtria shoviniste serbe që sulmoi tokat shqiptare hasi në rezistencën e fortë të shqiptarëve, e cila me armë në dorë u ngrit në luftë kundër pushtuesve të rinj që u ishte gjallërua ndjenja shoviniste frymëzuar prej programeve tradicionale jo të reja për popullin shqiptar, sidomos pas vitit 1844 kur publikohet Naçertania famëkeqe e Ilia Garashaninit.
     Në ndihmë të popullsisë së sulmuar dhe në mbrojtje të krahinave shqiptare,  shkuan shumë luftëtarë të krahinave tjera shqiptare, nga mbarë Kosova, Luma, Dibra, Tetova e më gjerë. Kështu në përbërjen e formacioneve luftarake shqiptare shkuan për të luftuar pushtuesit serbë edhe Ejup Topojani e Sahit Gega, në krye të një numri të madh luftëtarësh. Prej Rrafshes së Lumës, në mbrojtje të krahinave shqiptare të pushtuara prej shovinistëve serbë, shkoi edhe Imer Sula. Bashkë me luftëtarët shtiqjanë që kishte marrë me vete, u shqua për guxim, trimëri e heroizëm që tregoi në betejat e përgjakshme, që u zhvilluan për disa ditë me rradhë në fushat e Prokupes dhe ato të Nishit.
     Imer Sula, pas pjesëmarrjes aktive në betejat e vitit 1876 në mbrojtje të territoreve etnike, kur u kthye në Lumë, u bind edhe më shumë, se pas këtyre luftimeve dhe gjakut që u derdh për mbrojtjen e tokës amtare, jo vetëm atij, por të gjithë shqiptarëve, do tu duhej të luftonin pa kompromis, si kundër pushtuesve turq, ashtu edhe kundër synimeve grabitqare të shteteve shoviniste fqinjë e sidomos Serbisë, Malit të Zi e Bullgarisë, që në atë kohë kërkonin që me çdo kusht të coptonin tokat shqiptare sipas interesave të tyre.Këto vite njihen si periudha më delikate e historisë tonë.
     Pas luftës së Nishit, në fund të vjeshtës së vitit 1876, rrëzë shpatit të malit plak të Gjalicës, tek Lisi i Madh i fshatit Shtiqën, me iniciativën e patriotit Imer Sula dhe të një pleqnimi që bënë prijësat popullorë më të shquar të krahinës, u arrit që të bëhet një mbledhje me të gjithë përfaqësuesit e fshatave të krahinës së Lumës. Në këtë mbledhje, pas një diskutimi që u bë për problemet aktuale që proekuponin popullsinë e tërë krahinën, prej përfaqësuesve pjesëmarrës, u muarën vendime të rëndësishme, e veçanarisht për kundërshtimin me armë që do ti bëhej administratës turke për mospagimin e taksave të reja, për dorëzimin e armëve dhe dhënien e rekrutëve për ushtrinë turke etj.

   Kontributi i Imer Sulës në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

     Në këtë marrëveshje e besëlidhje me rëndësi historike që u organizua tek Lisi i Madh në fushën e fshatit Shtiqën, Imer Sula, ishte organizatori, drejtuesi dhe ideatori i saj. Duke qenë pjesëmarrës në shumë beteja në gjitha territoret shqiptare që rrezikoheshin në atë kohë, e sidomos aktivist e propogandist i flaktë për çështjen shqiptare, ky atdhetar i shquar, zgjidhet nga përfaqësuesit e këtij kuvendi si antar i kryesisë në mbledhjet e organizimet e mëpastajme.
     Aitashmë, ishte formësuar si atdhetar e drejtues, ndaj fjala e tij dëgjohej e zbatohej prej të gjithëve, kudo zinte vend, e kishte peshë të madhe. Fjala e tij e drejtë, e gjykimi i saktë e i mençur, ishin sinteza e vetë popullit nga kishte dale, rritë dhe edukuar. Aktiviteti i Imer Sulës, la gjurmë jo vetëm në krahinën e Lumës, por edhe më gjerë, në Podujevë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Ferizaj etj, treva të cilat e njihnin shumë mire për kontributin patriotik.
     Si shumë udhëheqës, aktivist e luftëtar popullor të krahinës së Lumës, pas vitit 1876, Imer Sula u shkëput prej jetës familjare, duke iu përkushtuar kështu luftës për çlirim kombëtar dhe bashkim të gjithë trojeve shqiptare. Merr pjesë energjikisht me armë në dorë në disa kryengritje të armatosura popullore antiosmane, që u zhvilluan në krahinën e Lumës në vitin 1877.
     Në fillim të muajit qershor të vitit 1878, kur Abdyl Frashëri erdhi në Lumë e do të shkonte në Prizren, ishte Imer Sula, që e priti e së bashku me disa prijës të tjerë të krahinës, e shoqëruan të dërguarit e Komitetit Qendror të Mbrojtjes Kombëtare, që do të shkonte për të marrë pjesë në Kuvendin e Madh të popullit shqiptar, i cili mblidhej në qytetin e Prizrenit më datën 10 qershor. Vetë Imer Sula, ishte përfaqësuesi i krahinës së Lumës në Kuvendin e Prizrenit. Si luftëtar i shquar dhe prijës popullor me emër, Imer Sula, së bashku me patriotët e krahinës së Lumës Shaqir Palushin, Hoxhë Cakën, Shaban Lumën, Halim Bardhocin, Imer Sufën etj, jo vetëm që merr pjesë active në krijimin e degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për krahinën e Lumës, por është pjesëmarrës në organizimin e lëvizjes dhe kryengritjeve të armatosura popullore që zhvillohen në Lumë kundër administrates turke që në ditët e para dhe të pas formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
     Në saj të kontributit dhe aktivitetit që kishte që kishte dhënë si për formimin, krijimin dhe zbatimin e vendimeve të marra në mbledhjen e 10 qershorit të vitit 1878, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Imer Sulën e kishte një prej antarëve të saj tepër aktiv, luftëtar dhe veprimtar besnik të saj. Çdo detyrë që i ngarkohej ai bënte çmos për ta realizuar, si një qëllim të shenjtë e obligim kombëtar. Kështu në përgjigje të kushtrimit të lëshuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për mbrojtjen e tokave shqiptare, që ishin sulmuar nga ushtritë shoviniste të Malit të Zi, Imer Sula, së bashku me qindra luftëtarë popullor të krahinës së Lumës, shkon e merr pjesë në luftimet e betejat e përgjakshme që zhvilluan forcat e Lidhjes kundër ushtrisë së Malit të Zi për mbrojtjen e tokave shqiptare të Plavës e Gucisë në muajt dhjetor 1879 – janar 1880. Në këto beteja e luftime që u zhvilluan për disa ditë me rradhë kundër forcaven të shumta të Ushtrisë së Malit të Zi, si zakonisht u shqua Imer Sula, jo vetëm si luftëtar, por edhe si prijës i lindur gjithnjë kë krye të djemëve trima që e shoqëronin ku i thirrte nevoja e atdheut.
     Sipas burimeve dokumentare dhe ato të mbledhura nga goja e popullit pas kthimit nga luftimet e plavës dhe të Gucisë, Imer Sula, së bashku me Shaqir Palushin, Hoxhë Cakën, Imer Sufën, Halim Bardhocin etj, vazhdon të udhëheqë shtabin e forcave popullore të organizuara në krahinë, të cilën në çdo kohë, jo vetëm që iu përgjigjën çdo thirrje që bëhej nga kryesia e Lidhjes së Prizrenit, por në të njëjtën kohë, ato përbënin forcën kryesore të ushtrisë së armatosur dhe kontribuan me pushke e gjak për mbajtjen në këmbë të pushtetit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
     Në vitin 1881, Imer Sula, si prijës dhe luftëtar popullor, së bashku me 800 vullnetarë popullor të krahinës së Lumës, merr pjesë në luftimet dhe betejat e përgjakshme që zhvillojnë forcat e Lidhjes Shqiptare në Shtimje, Slivovë, Cërrnalevë, Suharekë, Prizren dhe në Qafën e Duhles, kundër ushtrive të Dervish Pashës që kishte sulmuar në muajt prill-maj të atij viti, për të shtypur e shpërndarë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Në këto beteja të ashpra të pabarabarta në shumë drejtime, Ymer Sula, me trimat e tij lumjanë, dha kontribut të çmuar, duke u shndërruar kështu në një faktor me rëndësi për atë kohë të vështirë të kombit tonë. Betejat e asaj kohe, u drejtuan nga patriotë të shquar së Sylejman Vokshi, Imer Prizreni, Mic Sokoli, Ali Ibra, Ramadan Zaskoci, e bashkë me to edhe Imer Sula i Shtiqnit të Lumës.
     Rezistenca e armatosur, që i bënë forcat e Lidhjes Dervish Pashës, në prillin e vitit 1881, e sidomos heroizmi popullor i shumë luftëtarëve popullor, që dhanë jetën trimërisht në betejat e përgjakshme, tronditi jo vetëm Portën e Lartë në Stamboll, por edhe fuqitë e mëdha evropiane si dhe monarkitë e shteteve shoviniste fqinj Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë etj, të cilët së bashku i kishin koordinuar me kujdes planet dhe veprimet e tyre për coptimin e territoreve shqiptare.

Qëndresa popullore pas Lidhjes

     Qëndresa tepër heroike e luftëtarëve popullor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e veçanarisht heroizmi i Mic Sokolit, të Sefë Koshares dhe të mbi 800 dëshmorëve të tjerë, midis të cilëve kishte edhe dhjetra nga krahina e Lumës, që dhanë jetën në këto beteja për mbrojtjen e tërësisë tokësore. Ata mbeten një monument i gjallë, që u tregon brezave të popullit shqiptar se lirinë nuk ua fal ndokush, por ai atë e fitonte me grykën e pushkës, me luftrat e tij të drejta e të imponuara, me gjakun e derdhur për liri, pavarësi e mëvehtësi kombëtare.
     Ekspedita ushtarake e Dervish Pashës, e cila numëronte mbi 40 batalione të armatosura deri në dhëmbë, megjithëse shkretoi, dogji dhe mbyti në gjak popullsinë e mjaft krahinave shqiptare, ajo nuk mundi kurrë të shuaj qëndresën dhe shpirtin luftarak të popullit trim e luftëtar edhe pas shpërndarjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
     Si të gjitha krahinat shqiptare të Kosovës, edhe në krahinën e Lumës, nga ana e popullsisë patriote, vazhdoi për një kohë të gjatë rezistenca e armatosur e luftëtarëve lumjanë, që u udhëhoqën nga Ramadan Zaskoci, Imer Sula, Shaqir Palushi, Hoxhë Caka etj.
     Kur Dervish Pasha me ushtrinë e tij, iu drejtua krahinës së Lumës për ta nënshtruar e shtypur me forcë, më datën 10 tetor të vitit 1881, ishin malësorët e armatosur lumjanë, që duke qenë të udhëhequr prej Ramadan Zaskocit dhe Imer Sulës, e pritën ushtrinë dhe pashain turk me zjarrin e armëve në grykën e Drinit të Bardhë, në brigjet e lumit të Lumës, e deri në Kala të Dodës. Dervish Pasha, duke u ndodhur përpara qëndresës heroike që i bënë luftëtarët trima të Lumës në brigjet e krahut të djathtë të rrjedhës së lumit të Lumës, u detyrua që të kërkojë përforcime të reja ushtarake nga qyteti i Prizrenit dhe më vonë edhe nga Dibra.
     Megjithëse i erdhën forca të reja e të freskëta ushtarake Prizreni, luftëtarët lumjanë, që kishin luftuar me heroizëm e vetmohim kundër ushtrive të këtij pashai në betejat e përgjakshme në Shtimje, Slivovë, Cërrnaleve, Suharekë dhe për mbrojtjen e Prizrenit, duke qenë të përkrahur e të mbështetur fuqimisht nga populli, si dhe të udhëhequr prej prijësve popullorë si Ramadan Zaskoci, Imer Sula, Shaqir Palushi, Hoxhë Caka, Bajram Gjana e Halim Bardhoci, u rezistuan forcave turke për disa ditë me rradhë, të cilëve u shkaktuan mjaft të vrarë e shumë më tepër të plagosur. Në këto luftime që u zhvilluan me ushtritë e egra të Dervish Pashës, u shqua për trimëri të rrallë Imer Sula i Shqiqnit të Lumës. Ai në krye të forcave të tij, arriti të ndalë për një kohë marrshimin e ushtrisë turke në drejtimin e Rrafshes së Lumës. Porme gjithë rezistencën, që i bënë ushtrisë turke malësorët e Lumës, forcat ushtarake të pashait turk, duke qenë të shumta në numër, e duke patur ndihmën e zjarrit të artilerisë, arritën që të thyejnë më në fund me shumë mundime qëndresën e mbrojtësve të krahinës së Lumës. Luftëtarët popullor, u detyruan të tërhiqen në thellësitë e Rrafshes së Lumës, por edhe në tërheqje trimat lumjanë, vazhduan t’i godasit turqit me sulme të befasishme duke u shaktuar shumë dëme në njerës, armatime dhe materiale.
     Edhe në Kala të Dodës, luftëtarët trima të krahinës së Lumës, i vazhduan sulmet e tyre kundër ushtrisë së Dervish Pashës, i cili pasi kishte arritur këtu, kishte krijuar bindje të plotë, se e kishte nënshtruar plotësisht Lumën me forcat e tij ushtarake. Mirëpo pashai turk, i kishte bërë llogaritë gabim, sepse forcat ushtarake dhe ai vetë, u sulmua disa herë nga luftëtarët e riorganizuar lumjanë dhe në Kala të Dodës. Për këtë fakt të sulmit të forcave popullore lumjane kundër ushtrisë së Dervish Pashës në Kalanë e Dodës, në një dokument të kohës thuhet: “…Më 19 tetor të vitit 1881, cerenasit, kalisasit dhe të gjithë lumjanët, të udhëhequr prej prijësve popullorë, në një përleshje të armatosur që bënë me ushtarët e pashës (Dervish Pashës), mu pranë shatorreve, i vranë katër ushtarë, një zaptije dhe i plagosën katër të tjerë, si dhe i rrëmbyen edhe 16 martina (pushkë)”.
     Pas ardhjes së përforcimeve ushtarake nga Dibra, Dervish Pasha, thirri të gjithë krerët e prijësat popullor të krahinës në një mbledhje, e cila u bë në fundin e muajit tetor të vitit 1881. Kësaj mbledhje, të propozuar prej pashait turk, shkuan vetëm disa krerë renegatë, që kishin qenë të lidhur me administratën turke, ndërsa shumica e prijësve me në krye Imer Sulën, Ramadan Zaskocin, Shaqir Palushin, Hoxhë Cakën, Imer Sufën, Bajram Gjanën dhe Halim Bardhocin, jo vetëm që nuk i shkuan Dervish Pashës në mbledhje, por përkundrazi, me forcat e tyre të bashkuara organizuan sulmin kundër garnizoneve turke në Kala të Dodës dhe në të gjithë krahinën e Lumës.
     Kushtet e krijuara prej sulmeve të vazhdueshme të trimave lumjanë, e detyruan Dervish Pashën, që të ndërmarrë nga qendra e Kalasë së Dodës, disa ekspedita ndëshkimore ushtarake kundër luftëtarëve të armatosur, që qëndronin të vendosur për të luftuar me armë në dorë në malet e Lumës. Veç shpërndrarjes së luftëtarëve, qëllimi i ekseditave ushtarake të Dervish Pashës, ishte edhe persekutimi i popullsisë nëpër fshatrat e gjithë krahinës, si dhe për të stabilizuar gjendjen e administrates turke në këtë krahinë. Forcat ushtarake turke përbëheshin prej shtatë batalionesh të armatosura deri në dhëmbë. Me këto forca pashai i ra krahinës kryq e tërthor, duke djegur e përvëluar në zjarrin e artilerisë, shtëpitë e shumë fshatrave të krahinës. Me gjithë barbarizmat e egra, që bëri Dervish Pasha me ushtrinë e tij, ndaj popullsisë së krahinës së Lumës, nuk mundi të arrijë qëllimin I cili ishte të shuaj qëndresën e armatosur dhe shpirtin luftarak të popullit trim të kësaj krahine.
     Dervish Pasha, duke mos arritur të nënshtrojë këtë krahinë, u detyrua të largohej nga Kalaja e Dodës, duke vendosur të transferonte qendrën e kazasë nga aty, në fshatin Bicaj dhe pasi ngriti edhe shtatë karakolla, në të cilat la disa garnizone ushtarësh, duke qenë të ndihmuara e të mbrojtura nga dy batalione të tjerë ushtarësh dhe dy topa malorë.

Beslidhjen e Zojsit dhe Lufta e Telit në Shtiqën në vitin 1884

     Në krahinën e Lumës, rezistenca ndaj pushtuesit osman, vazhdoi edhe pas largimit të Dervish Pashës, rezistencë, e cila do të marrë hov e përpjestime të mëdha në vitet 1883-1884. Kështu, në saj të përpjekjeve që bënë prijësat popullorë të krahinës së Lumës, të Podrimes dhe të Prizrenit, ku midis tyre u shqua Imer Sula i Shtiqnit, u arrit që në fundin e vitit 1883 dhe në fillimin e vitit 1884, të organizohej mbledhja në fshatin Zojsi, në vendin e quajtur Pema e Zojsit, ose Pema e Besës.
     Në këtë mbledhje dhe në takimet e tjera pas saj, në të cilën muarën pjesë mbi 300 përfaqësues të Lumës, Podrimes dhe Prizrenit, ishte edhe Imer Sula, i cili u shqua për forcën e fjalës dhe të mendimeve që jepte në gjykimin e çështjeve që u diskutuan dhe u vendosën në fundin e kësaj mbledhje. Në dokumentat që ekzistojnë për zhvillimin e mbledhjes, që është bërë tek Pema e Besës, në Zojsi, përfaqësuesit e Lumës, Podrimes dhe Prizrenit, pas lidhjes së besës që bënë me njëri-tjetrin dhe kushteve që përcaktuan për mbajtjen e saj, në fund morën edhe këto vendime:
-         Të kundërshtonin me forcë regjistrimin e popullsisë që kishte filluar administrata turke në krakina.
-         Të mos i paguanin Turqisë një të shtatën e çerekut të të dhjetës, taksës për të cilën banorën e kishin kundërshtuar me forcë.
-         Të dëboheshin nga prefektura e Prizrenit, mytesarifi dhe drejtori i financës si njerëz të padëshiruar.
-         Të liroheshin të burgosurit dhe të internuarit nga burgjet dhe kampet ushtarake turke, që ishin dënuar pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit etj.
     Moszbatimi i kërkesave nga ana e administrates turke të Sangjakut të Prizrenit dhe të Portës së Lartë, që bënë përfaqësuesit që muarën pjesë në lidhjen e besës në Zojs, çoi që në Lumë, Podrime dhe rrethinat e Prizrenit, të krijohet një situatë tepër e ndezur, e cila do të ndikojë për shpërthimin e shpejtë të kryengritjes së armatosur kundër pushtuesve osmanë.
   Si pretekst për shpërthimin e kryengritjes së armatosur të vitit 1884, që do të shtrihej në territorein e gjithë këtyre krahinave kryengritëse, do të bëhet konflikti i armatosur që do të behet midis fshatarëve të fshatit Shtiqën dhe forcave ushatarke turke, lidhur me kundërshtimin që ata bënin për kalimin e linjës telefonike nëpër territorin e fshatit në drejtim të fshatit Bicaj, ku ishte vendosë një pjesë e administrates turke. Fshatarët e armatosur të fshatit Shtiqën, të udhëhequr nga patrioti e atdhetari Imer Sula, zhvilluan për disa ditë me rradhë luftime me forcat turke. Për shkak të këtij konflikti të ashpër dhe vendosmërisë së Imer Sulës me luftëtarët e tij, forcat ushtarake turke, u detyruan së bashku me bashkëpunëtorët e tyre, të tërhiqen të mundur. Lidhurme këtë ngjarjen kënga popullore thotë:
   “…Gjit po thotë ky Imer Sula,
   tel ktu pari, s’m’ka lane baba,
   jo ma vika Ahmet Hasa…”
     Këtë luftë, që bëri populli i Shtiqnit kundër forcave të ushtrisë turke në vitin 1884, e cila do të shërbejë si pikënisje për shpërthimin e kryengritjes së armatosur në të gjithë krahinën e Lumës, Podrimes dhe Prizrenit, në të cilën do të marrë pjesë aktivisht dhe do të luftojë me armë në dorë si udhëheqës e prijës popullor, Imer Sula, në kujtesën e popullit të fshatit Shtiqën dhe në të gjithë Lumën, njihet me emrin Lufta e Telit.
     Në shenjën e hakmarrjes, ushtria turke, Imer Sulës, i merr peng djalin e tij, Rexhë Imer Sulën, trim e patriot si babai i vet. Pushtuesi turk Rexhë Imerin e mbyll në burgjet e tmerrshme të Edrenesë, ku e mban për 18 vjet rrjesht, prej vitit 1884 deri në vitin 1902. Kur Rexhë Imeri, 18 vjeçar dikur lirohet nga burgu rreth moshës 40 vjeçare. Babai i vet, patrioti dhe atdhetari, Imer Sula, kishte tre vjet që kishte vdekur dhe situatat kishin ndryshuar rrënjësisht.
     Porta e Lartë e Stambollit, e ndodhur përpara situatës tepër të vështirë që ishte krijuar nga zhvillimi i luftimeve që bënin kryengritësit trima të Lumës, Podrimes e Prizrenit, kundër forcave të ushtrisë turke, për të shtypur kryengritësit e armatosur të këtyre krahinave, dërgoi Haxhi Osman Pashën në vitin 1884, me forca të shumta ushtarake. Këto forca, sapo erdhën u thyen disa herë nga forcat e armatosura dhe të organizuara të krahinës së Lumës, që drejtoheshin prej prijësve popullorë Shaqir Ali Zhuri, Imer Sula, Shaqir Palushi, Imer Sufa e të tjerë.
     Për perandorinë turke kishte humbur durimi, pasi planet e saj nuk po realizoheshin, trevat shqiptare nuk po nënshtroheshin, në fillim të vitit 1885, kundër kryengritësve të Lumës, Podrimes dhe Prizrenit, Porta e Lartë e Stambollit, dërgoi në këtë krahinë forca edhe më të mëdha, drejtuar prej Vesel Pashës, të cilit i kishin ngarkuar detyrën e vështirë për të nënshtruar meçdo kusht këto krahina kryengritëse dhe të stabilizonte një herë e mirë gjendjen e administrates turke këtu. Edhe këtë herë si gjithnjë Imer Sula, me luftëtarët kryengritës lumjanë, merr pjesë në luftimet që zhvillohen kundër hordhive të Vesel Pashës në Zhur, Vermicë, Kullën e Lumës etj. Gjatë gjithë luftimeve dhe betejave të përgjakshme, që u zhvilluan në këto territore meushtrinë e Vesel Pashës, Imer Sula, dallohet jo vetëm si luftëtar trim e i paepur, por edhe si prijës e patriot i shquar.
     Si i tillë që ishte Imer Sula, jo vetëm që nuk ra asnjë herë në dorë të pushtuesve osmanë, të cilët i kishin ngritur sa e sa kurthe për ta kapur të gjallë, por ai për aktivitetin, luftën e përpjekjet që bëri për disa dekada kundër hordhive pushtuese, për forcën e fjalës dhe për përdorimin e armës, u bë i dëgjuar dhe i respektuar në gjithë krahinën e Lumës, Malziut, Hasit, Gjakovës, Podrimes dhe në gjithë Kosovën.
     Imer Sula, nuk hoqi dorë kurrë nga lufta kundër pushtuesve, edhe pas shtypjes së kryengritje të vitit 1884-1885 nga Vesel Pasha. Megjithëse në këto vite i moshuar, merr pjesë edhe në disa luftime që zhvillohen në krahinën e Lumës kundër administratës dhe forcave ushtarake turke, e cila vazhdonte të mblidhte taksa, të çarmatoste popullsinë dhe të kërkonte rekrutë për ushtrinë turke. Vemë në theks konfliktin e armatosur, që u zhvillua për këtë shkak, midis forcave popullore të krahinës dhe të garnizoneve turke në vitin 1885. Midis mjaft luftëtarëve, që u plagosën në këtë rezistencë, ishte edhe Imer Sula. Edhe i plagosur ai nuk u largua nga fronti i betejës, por edhe më fort luftoi në mbrojtje të së drejtës e lirisë të vendit të vet. Vetëm kur e pa se forcat e garnizoneve turke po largoheshin të mundura në drejtim të Prizrenit,ai i dëgjoi bashkëluftëtarët e tij që të kthehej në shtëpi për të mjekuar plagët e marra.
     Pas vuajtjeve të mëdha, që hoqi prej plagëve të rënda të marra në luftë kundër pushtuesve, Imer Sula, vdiq në shtëpinë e tij në fshatin Shtiqën të krahinës heroike të Lumës, në gjysmën e parë të vitit 1899. Me veprën e vet heroike dhe me veprimtarinë atdhetare të dëshmuar, Imer Sula i Shtiqnit, krahas shumë luftëtarëve që dhanë kontributin e tyre për çështjen e kombit, do të mbetet gjithnjë burim i frymëzimit për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, duke përcjellë mesazhin e madh se për atdheun duhet sakrifikuar, se po nuk u veprua kështu, e drejta është e vështirë të dalë.
     Ky patriot trim lumjan është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor “Për veprimtari patriotike” në kuadrin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitin 1978.



No comments: