HISTORIA DHE KULTURA
PËRKATËSIA ADMINISTRATIVE DHE E TREGUT
Qarku Kukës përbëhet prej tri rretheve:Kukës,Has,Tropojë
Kryeqendrat sipas rretheve janë: KUKËSI, për rrethin Kukës, KRUMA për rrethin Has dhe B. CURRI (ish-Kolgecaj) për rrethin Tropojë.
Kryeqendra e Qarkut Kukës: KUKËSI
Kukësi si qendër tregu dhe administrative është krijuar në vitin 1925 (me zhvendosjen e qendrës së Qarkut nga Kruma).
Bicaj njihet si qendër administrative e Lumës që nga viti 1884 (më parë si qendër e tillë ka qenë Kalaja e Dodës).
Në Malësinë e Gjakovës si qendër administrative pas krijimit të shtetit shqiptar (1921) ka qenë Kolgecaj (i njohur sot me emrin B. Curri).
Hasi si rreth më vete është krijuar në vitin 1993. Qendër e tij - Kruma. Kjo ka qenë gjithashtu qendër e Qarkut (Prefekturës) në vitet 1921 -1925.
Deri në vitin 1947 Malziu administrativisht varej nga Shkodra, ndërsa si qendër rrethi ka qenë Puka. Pas këtij viti Malziu i kaloi Kukësit.
Si qendër tregu, Hasi (një pjesë) dhe Malësia e Gjakovës kanë pasur Gjakovën; Luma (Prizrenin, Tetovën dhe Gostivarin)
VËSHTRIM ETIMOLOGJIK
Kukës
Përmendet së pari si fshat i Nahijes së Lumës, në vitin 1571 (Me 9 shtëpi të krishtera dhe 3 të muslimanizuara). Në vitin 1591 Kukësi kishte 11 shtëpi të krishtera e 6 të muslimanizuara.
Në vitin 1610, arqipeshkvi i Tivarit, M. Bici, e shënon Coccus, Vila di Cocus, me rreth 50 shtëpi, prej tyre 5 muslimane e të tjerat të krishtera (katolike). Më 1633, P. Mazreku, edhe ky arqipeshkv i Tivarit, përmend Vaun e Kukut. Ndërsa, në një hartë të vitit 1869 del me emrin Kukusa.
Për emrin Kukës ka disa legjenda, por etimologjia më e hershme është ajo, sipas një shpjegimi të P. Mazrekut. Sipas tij “Ky (Drini i Bardhë) e ka origjinën e vet nga malet që sot quhen të Pejës; rrjedh nga veriu në jug e shkon e bashkohet me të Ziun në Vaun e Kukut (al guado di Cucchi), i quajtur kështu nga familja me të njëjtin emër (Kukaj) që banon ku piqen dy lumenjtë e sipërthënë dhe vende të tjera pranë Prizrenit…”.
Gjithsesi, kjo është edhe etimologjia më e pranuar.
Luma
Në dokumente është pikasur, së pari, në fund të shek.XVI (1571 -1591), si nahije e Sanxhakut të Dukagjinit. Në sh. XVII e përmend F. Bardhi si cakun më lindor të dioçezës katolike të Sapës (Zadrimës).
Ndërsa Hahn ka shënuar i pari versionin se Krahina e Lumës e ka marrë emrin nga Përroi i Lumës.
“Lugina e këtij përroi, - ka shënuar ai, - përbën madje pjesën kryesore të të gjithë këtij territori, gjë që për mendimin tonë, i gjithë ky rreth e ka marrë emrin prej tij, pra prej luginës…”.
Kështu, emri i krahinës së Lumës është i lidhur me apelativin lumë (lum-i, lum-a) dhe ky vjen prej lat. Flumen (G. Meyer); E. Çabej ka shënuar se “Tipi Lumë që emërton një krahinë gjeo-etnografike është një krijim vendës nga “lumë” (em.) dhe ky nga apelitivi latin “flumen” (G. Meyer), ose një formë e ndikuar prej shumësit, si një shumës i singularizuar, i lym”.
Hasi
Në kadastrën osmane të fundit të sh. XVI (1571, 1591), krahina e sotme e Hasit ishte copëtuar në tri nahije: Rudina, Domeshtiçi e Pashtriku.
Sipas P. Mazrekut (1633) krahina që sot quhet Has njihej tradicionalisht nga populli edhe me emrin Shullani (vend i thatë, vend që e rreh dielli), por ky emërtim është zhdukur.
Emri Has, që sot e mban krahina, është i lidhur me emrin osman hass (hass-i: territori që jep detyrim vjetor mbi 100.000 akçe)
Malziu
Si emër Malziu është zënë në gojë disa herë gjatë shekujve dhe daton qysh në vitin 1444.
Mendimi më i pranuar është ai që e lidh këtë emër me pyjet e shumtë me pishë të zezë (pinus nigra).
KRAHINAT ETNOGRAFIKE
Në Qarkun Kukës përfshihen këto krahina etnografike:
Luma
Gora (pjesërisht)
Malziu
Hasi
Malësia e Gjakovës.
LUMA:
kufizohet në V. me Përroin e Poslishtit; në J. me Përroin e Veleshicës, Drinin e Zi, Qafën e Drajës e Përroin e Mallës; në L. kufiri shkon nga Maja e Koritnikut, në Kallabak, në malin e Sarakolit e në Korab; në P. Luma shkon deri në Malin e Zepës, Qafën e Komit, Truellin e Surrojt, Përroin e Kalimashit; në VP, Luma kufizohet me Drinin e Bashkuar (sot me Liqeni i Fierzës).
GORA:
ka nëntë katunde në Q. Kukës: Shishtavec, Borje, Oreshkë, Cernalevë, Orgjost, Zapod, Kosharisht, Pakisht.
MALZIU:
në L. kufizohet me Përroin e Kalimashit, në V. me Drinin e Bashkuar (sot Liqeni i Fierzës), P. me Përroin e Goskës dhe në J. me malin e Runës.
HASI:
si krahinë etnografike, në P. ka Përroin e Skatinës, në V. Drinin e Bashkuar (sot Liqeni i Fierzës), në VP Përroin e Erenikut dhe në L. e VL. Drinin e Bardhë, në J. Drinin e Bashkuar (sot Liqeni i Fierzës).
MALËSIA E GJAKOVËS:
shtrihet midis Rrafshit të Dugagjinit (L) Qafës së Prushit e Luginës së Skatinës (JL), Luginës së Nikajt (JP) e Qafës së Vranicës (Çerem), në Veri.
BAJRAQET
Historiografia shqiptare ka arritur në përfundimin se bajraku është krijuar kah fundi i shek. XVII, mbi bazën e bashkësive fisnore e vendore. Ai është njësi administrative ushtarake që ka pasur në krye plakun a kreun dhe si udhëheqës ushtarak në luftë ishte bajraktari.
Në territorin e Qarkut Kukës ka pasur këto bajrakë:
a) Në LUMË: Bajraku i Rrafshës (Bicaj), Bajraku i Tejdrines (Domaj), Bajraku i Qafës (Bushtricë), Bajraku i Kalisit (Zallë), Bajraku i Radomirës (Tejs), Bajraku i Çajës (Fshat), Bajraku i Topojanit (Brekijë).
b) Në HAS: Bajraku i Vogël (Helshan), Bajraku i Madh (Vlahën).
c) Bajraku i MALZIUT (Shikaj) ka qenë njëri prej shtatë bajrakëve të Pukës.
d) Në MALËSI TË GJAKOVËS: Bajraku i Bytyçit (Pac), Bajraku i Berishës (Rodogosh), Bajraku i Krasniqes (Bujan), Bajrakët e Gashit (në Kocaj dhe në Kasaj), Bajraku i Mërturit (Shëngjergj), Bajraku i Nikajve (Peraj).
FEJA
Pjesa më e madhe e popullsisë së Qarkut Kukës janë të besimit musliman; vetëm popullsia e Nikaj-Mërturit dhe e ndonjë fshati të Hasit rreth Pashtrikut (Zym) janë të krishterë katolikë.
Ndërrimi i fesë nga të krishterë në muslimanë ka vazhduar, pothuajse, deri në fund të shek. 18. Një proces i tillë është rezultat i presionit osman dhe i dobësimit të ndikimit të Romës mbi kishat katolike të Shqipërisë së Veriut (mungesa e klerit dhe e të ardhurave).
Në Lumë janë muslimanizuar të fundit fshatrat e Tejdrines (Arrës, Surroj, Ujmisht); në Has, fshatrat e Zgjeçit e të Letajt.
Sikurse dëshmojnë të dhënat dokumentare të shek. 17 (M. Bici -1610, F. Bardhi -1637, M. Skura -1641, 1644, etj.), si vise katolike kanë qenë fshatrat e Tejdrines së Lumës, të Malziut, të Hasit, të Malësisë së Gjakovës, katundi i Kukësit, ndërsa në krahinën e Lumës e të Gorës ka mbizotëruar orthodoksizmi.
Krishtërimi i dikurshëm dëshmohet në emrat e kishave që ruhen si toponime edhe në zonat muslimane.
Ndërkaq, në Qarkun e Kukësit ka dëshmi edhe të paganizmit.
Në majë të Gjalicës (në fillim të gushtit), të Pashtrikut (në gusht) dhe të Runës (korrik), njerëzit vazhdojnë të ngjiten, të falen e të luten për një shejt me emër Sarasalltik-baba.
Influencë të madhe kanë pasur e kanë edhe teqet e halvetinjve: Shtiqën, Nangë, Bicaj, Kolesjan, Fshat, Çajë, Gjegje, Vasije, Ceren, si dhe disa vende të Shenjta (Kollovoz, Dafke, Buzmadhe, Mustafaj, Osmanaj).
RRUGËT E LASHTA
Nëpër Luginën e Drinave kanë kaluar, në lashtësi, rrugë të rëndësishme.
Transversalja e Veriut që lidhte bregdetin e Adriatikut me Ballkanin e mesëm. Kjo nisej nga Lezha e Shkodra, delte në Va të Dejës, në Pukë, në Qafë të Malit, Luginës së Goskës e në Va-Spas. Këtu ndahej në dy degë: njëra kalonte Drinin dhe luginës së lumit të Krumës delte në Qafë Prush e Gjakovë. Dega tjetër ndiqte krahun e majtë të Drinit, e kalonte atë pa shkuar në Brrut dhe krahut të djathtë të Drinit arrinte në Kukës, duke kaluar Vaun e Kukut (në Dri të Bardhë), prej këtu, Lugut të Prizrenit delte Lumi i Lumës, në Kodër të Pecës e vijonte nga Veriu në Prizren.
Një degë e kësaj rruge ndalej në vendin ku do të ndërtohej më vonë Ura e Ezirit, vijonte nga jugu në Qafë të Kumbullës e në Fan, ose nëpër Surroj delte në Arrën e prej këndej në Lurë ose në Orosh.
Te Kulla e lumës, një degë e kësaj rruge, nëpër Grykë të Vanave vijonte nga lindja për në Maqedoni.
Rrugë e rëndësishme ka qenë edhe ajo që shkonte nga Prizreni (Theranda) për në Dibër.
Pra, në vendin ku takohen Dy Drinat, takoheshin rruga Labeate, Dardane, Maqedone dhe Penestiane.
Por ka pasur edhe një rrugë të lashtë që shkonte nga Sebastia (Laçi i sotëm) nëpër Luginën e Fanit të Vogël e në Kosovë.
URA TË LASHTA
Para se të ndërtoheshin urat, lumenjtë kaloheshin me vana (në këmbë ose hipur në kuaj a duke u mbajtur për bishti), me rrëshekë ose me trina.
Urat më të rëndësishme kanë qenë:
Ura e Vezirit
Ura e Ndërmjeme.
E para mbi Dri dhe e dyta mbi Dri të Bardhë. Kanë qenë ura të gurta, me pamje madhështore, me shumë harqe. Ura e Vezirit ka qenë ndër më të mëdhatë në Perandorinë Osmane. Të dyja këto ura kanë qenë ndërtuar nga Veziri i Shkodrës, në fund të shek. 18.
Edhe Ura e Lumës (te Kulla e Lumës) ka qenë e gurtë, por është ndërtuar më vonë se dy të parat dhe është më e vogël.
DOGANA MESJETARE
Në mesjetën shqiptare janë të njohura dy dogana të rëndësishme: dogana e vaut të Spasit dhe Dogana mbi Drin të Bardhë (në Vaun e Kukut).
Për doganën e parë flet udhëtari turk i shek. 17, Evlija Çelebi, i cili ka shënuar se në Vaun e Spasit kishte 1000 shtëpi, dhjetë dyqane e një xhami dhe 1000 burra të armatosur.
Për doganën te Vau i Kukut jepen njoftime nga regjistri kadastror osman i vitit 1571. Aty thuhet se banorët e Kukësit (Kukufic) merren me punë në doganë dhe janë të çliruar nga taksat.
NGJARJE HISTORIKE TË RËNDËSISHME, KU KANË MARRË PJESË EDHE PËRFAQËSUES OSE LUFTËTARË NGA KRAHINAT E KUKËSIT
Kuvendi i Dugagjinit (1601 -1602)
Këtu kanë marrë pjesë edhe krerë nga Shqipëria e sotme verilindore, ndër ta edhe Andrea Kolëshi dhe Teta Kuka; i pari nga Kolshi i Tejdrinës dhe i dyti nga familja e shquar Kuka e Kukësit dhe e Prizrenit, e njohur qysh në kohën e Skënderbeut.
Qëllimi i këtij kuvendi ka qenë organizimi i luftës kundër pushtuesit të huaj turk.
Lidhja e Prizrenit (1878 - 1881)
Një ndër kuvendet më të rëndësishme kombëtare, ku u krijua qeveria e parë kombëtare shqiptare, me në krye Ymer Prizrenin. Këtu morën pjesë përfaqësues nga Malësia e Gjakovës (Ali Ibra), Hasi (Ali Bajraktari i Vlahnës), Luma (Shaban Agë Luma), etj.
Kryengritjet e viteve 1884 -1885.
Janë kryengritje kundër forcave turke të Vesel Pashës. Qëllimi i tyre ishte që malësitë shqiptare të Lumës, Hasit dhe Malësisë së Gjakovës, etj, të ruanin autonominë territoriale dhe ekonomike që e kishin prej kohësh.
Lidhja shqiptare e Pejës (1899 -1900)
Në këtë organizatë politiko-luftarake kombëtare, që ndoqi rrugën e Lidhjes shqiptare të Prizrenit dhe luftoi për çlirimin e vendit nga pushtuesi osman morën pjesë edhe përfaqësues nga krahinat e Kukësit, ndër to, B. Curri dhe H. Zeka, i cili qe kryetar i saj.
Kryengritjet e viteve 1900-1912
Qenë kryengritje kundër forcave turke të Shemsi Pashës (1903-4, 1906), të Xhavit Pashës (1909), Dërgut Pashës (1910), etj. Luftime të ashpra janë zhvilluar gjatë kësaj kohe në Kaçanik, Carralevë, Duhle, Qafa e Ahmatit, Qafa e Morinës, Qafa e Prushit, Qafa e Kolesjanit, etj.
Betejat kundër serbëve (1912-1913)
Kryengritja e Qershorit (1924)
Në Margegaj, Krumë, Kukës, Qafë e Kolesjanit, Kala e Dodës - malësorët e Lumës, Hasit dhe Malësisë së Gjakovës kanë marrë pjesë masivisht në këtë kryengritje, ku kanë mbështetur Fan Nolin dhe zgjodhën deputet Avni Rustemin.
Kuvendi i Bujanit (31 dhjetor 1943 - 2 janar 1944).
Këtu u vendos që Kosova të ketë të drejtën e vetëvendosjes dhe të shkëputjes nga Jugosllavia.
Lufta antifashiste (1939 -1944)
Pritja e shqiptarëve të Kosovës (Pranverë 1999).
Në pranverë të 1999-s, popullsia e Qarkut Kukës tregoi akte të larta ndjeshmërie, humanizmi dhe qytetarie.
FIGURA TË SHQUARA HISTORIKE
Në Lumë:
Islam Spahia (1838-1928)
Udhëheqës i njohur nga Kolesjani në përpjekjet për liri, pavarësi e demokraci.
U priu malësorëve të Lumës në luftimet kundër gjeneralëve turq: Shemsi Pasha (1903-4, 1906), Xhavit Pasha (1909), Shefqet Dërgu Pasha (1910), si dhe kundër agresorëve serbë në nëntor 1912.
Ndihmoi për hapjen e shkollës së parë shqipe nga i biri (Riza Spahia) në Kolesjan me 1911.
U vu në krye të lëvizjes për demokratizimin e vendit në krahinën e Lumës në vitet 1920 - 1924.
Ramadan Zaskoci (1860 -1914)
Burrë trim nga Mamzi, i dalluar në lëvizjen antiosmane e antiserbe në vitet 1876-1914, mori pjesë në lëvizjen kundër Mehmet Ali pashë Maxharrit në Prizren e Gjakovë (1878) dhe në mbrojtjen e tokave shqiptare nga shovenistët malazezë (1879) si dhe në luftimet kundër ushtrive osmane (1881), por sidomos në krye të malësorëve lumjanë, bashkë me krerë të tjerë, në luftimet kundër forcave osmane që hynë në Lumë në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të 20 (1903 -1904, 1909, 1910) dhe atyre serbe në nëntor 1912.
Qe ndër udhëheqësit e kryengritjes së shtatorit 1913 kundër pushtuesve serbë.
Muharrem Bajraktari (1886 -1989)
U lind në Domaj me 1 maj 1886.
Shkollën fillore e kreu në Kolesjan në gjuhën turke. Në vitet 1917 -1918 vazhdoi studimet ushtarake në Vjenë (Austri). Është bashkorganizues i kuvendit antiserb në Shtiqen (1 Mars 1920). Më 1921 emërohet oficer xhandarmërie në Krumë. Para dhe gjatë Kryengritjes së Qershorit mbrojti institucionet e shtetit. Pas kësaj kryengritjeje u largua në Jugosllavi dhe po në dhjetor 1924 kthehet në atdhe. Qe anëtar i gjyqit ushtarak në Shkodër, komandant zone në Peshkopi, komandant i xhandarmërisë, adjutant i mbretit Zog. Në vitin 1934 largohet në Jugosllavi, më pas në Francë, ku mori pjesë në organizatën “Bashkimi kombëtar”. Në shtator 1939 kthehet në Shqipëri dhe i kundërvihet regjimit fashist, pastaj edhe atij komunist. Luftoi kundër forcave gjermane në vitin 1944. Sipas E. Durham “Në Verilindje udhëheqësi më i shquar është Muharrem Bajraktari, ish-komandant xhandarmërie”. Në shtator 1946 u arratis në Greqi. Qëndroi në Greqi, Itali e Belgjikë duke propaganduar kundër regjimit komunist. Mori pjesë edhe në Komitetin “Shqipëria e lirë”.
Vdiq në Belgjikë më 21 janar 1989
Figura të tjera
Mahmut Dac Kalisi (1817 -?), Bislim Elez Kërnjani (1831 -1906), Sulë Elezi (1836-1954), Ramadan Çejku (1840-1951), Mustafë Lita (1848 -1912), Hoxhë Mehmeti (1862 -1927), Qazim Lika (1869 -1915), Osman Lita (1875-1946), Sali Spahia (1878-1917), Xhafer Bislimi (1884 - 1944), Ahmet Qehaja (1952 -1913), Kadri Shahini (1878 -1913), Cen Daci, Merë Sufa, etj.
Në Lumë kanë qenë edhe shtetarët e shquar: Sinan Pashë Topojani (1506-1596), pesë herë kryeministër i Perandorisë Osmane, Ferat Pashë Topojani (shek.16), dy herë kryeministër në Perandorinë Osmane, Sinan Pashë Vila (? -1615), Mahmut Pashë Rrotulla (? - 1836), Seladin Shkoza (nga Shkoza), ish-ministër i mbrojtjes, 1921.
Havzi Nela (1934 -1988)
Mësues, poet, misionar i fjalës së lirë dhe reagues kundër diktaturës komuniste; është i fundit i ekzekutuar politikisht (me varje) në krejt vendet ish-komuniste.
Në Malësi të Gjakovës:
Ali Ibra (shek.19)
Si prijës ushtarak u dallua qysh në kryengritjet antiosmane të viteve 60 të shek.19.
Mori pjesë në themelimin e Lidhjes shqiptare të Prizrenit dhe qe mbështetës i rrymës radikale të saj. Qe kundër politikës qeveritare osmane të diskriminimit fetar. U shqua në luftimet e Shtimjes (prill 1881). Mori pjesë edhe në kryengritjet antisomane në mesin e viteve ‘80 që shpërthyen në Rrafshin e Dugagjinit.
Qe nga Gashi.
Mic Sokoli (1839-1881)
Luftëtar i shquar i Lidhjes shqiptare të Prizrenit.
Qe nga Fangu i Bujanit. Mori pjesë në luftimet e Gjakovës kundër Mehmet Ali Pashë Maxharit si dhe në luftimet e Nikshiqit kundër agresorëve malazesë, si dhe luftoi në Plavë, Guxi, Hot, Grudë, Prizren, Gjakovë, etj. U vra në betejën e Slivovës (prill 1881) kundër forcave osmane të Dervish Pashës, duke i vënë gjoksin topit.
Haxhi Zekë Biberaj (1832-1902)
Udhëheqës i shquar i Lëvizjes kombëtare shqiptare.
U lind në Shoshan të Malësisë së Gjakovës, por qe shpërngulur familjarisht në Pejë. Qe një nga organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe luftëtar i devotshëm për autonominë e Shqipërisë. Me 10 qershor 1878 qe zgjedhur anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Prizrenit. Bashkë me udhëheqës të tjerë luftoi për të mbrojtur Plavën dhe Gucinë (fillim i 1880-s) dhe pastaj kundër forcave të Dervish Pashës (pranverë 1881). Në vitet 1884-1885 luftoi për të rimëkëmbur Lidhjen e Prizrenit. Me 1893 qe ndër organizatorët e kryengritjes së Pejës e Gjakovës. Ka organizuar kuvendin e Pejës që themeloi Lidhjen shqiptare të Pejës dhe qe kryetar i saj (janar 1899).
U vra nga një agjent serb në vitin 1902
Bajram Curri (1862 -1925)
Atdhetar e demokrat i shquar, udhëheqës popullor, Hero i Popullit.
Familja e tij u largua nga Malësia e Gjakovës e zuri vend në Gjakovë ku u lind ai.
Qe një nga organizatorët e Lidhjes shqiptare të Pejës (1899-1900), të mbledhjes së Ferizajt (korrik 1908), themelues shkollash e klubesh në Kosovë, nënkryetar i klubit “Bashkimi” të Shkupit (1908), udhëheqës popullor në Qafë të Morinës e në Qafë të Prushit (1909, 1912) kundër forcave turke. Pjesëmarrës në Mbledhjen e Shkupit (1912). Luftëtar i vendosur për të bashkuar viset shqiptare në një shtet më vete. Qe anëtar i Komitetit “Mbrojtja kombëtare e Kosovës” (1912). Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar dhe u caktua ministër pa portofol dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura (1920 -1921). Qe ndër udhëheqësit kryesorë të Kryengritjes së Qershorit.
U vra në janar 1921, në Dragobi.
Figura të tjera të njohura:
Binak Alia, Zeqir Halili (në kryengritjen e vitit 1909), Sali Mani, Tuxh Myftari, Prel Tuli, Zmajl Mehmeti, Niman Syla, Azem Hoxhë Dollapi, Halil Brahimi, Man Avdia (Krasniqe), Ali Brahimi i Zherkës, Zenel Hoxha i Pacit, Shaban Haxhia i Pacit.
Azem Hajdari (Simbol i demokracisë, Nderi i Kombit)
Në Has:
Pjetër Bogdani (1625 - 1689)
U lind në Gur të Hasit, në një familje me tradita atdhetare e fetare. Studioi në Romë për teologji e filozofi, ku edhe u doktorua. Qe famulltar, peshkop i Shkodrës e kryepeshkop në Shkup. Mori pjesë dhe udhëhoqi lëvizjet çlirimtare kundër pushtuesit osman, në veri e verilindje të Shqipërisë, në gjysmën e dytë të shekullit 16.
Vdiq në Prishtinë, më 1689.
Ka botuar veprën madhore “Çeta e Profetëve” (1685), e cila e vendos atë në krye të shkrimtarëve të letërsisë së vjetër. Kjo vepër është një kontribut i shquar për pasurimin dhe përpunimin e gjuhës shqipe.
Mehmet Ali Bajraktari (1870 - 1947)
U lind në Vlahën nga një familje atdhetare.
Mori pjesë në luftimet kundër ushtrisë turke në Qafë të Ahmatit (1909) e pastaj në vitin 1910. Bashkëpunoi me forcat e Bajram Currit në luftimet në Qafë të Prushit (gusht 1912). Luftoi kundër forcave serbe, me 1913, në Qafë të Diellit.
Qe aktivist dhe udhëheqës i kryengritjes se Qershorit, 1924. Me 1941, kur forcat serbe u futën në Krumë, ngre flamurin shqiptar Në vitet 1943 -1944 ndihmon oficerët anglezë që përpiqeshin të organizonin qëndresën antikomuniste. Me 1944 i vritet vëllai, Sahiti, duke luftuar kundër forcave gjermane në Qafë të Prushit.
Me 1947 largohet në Jugosllavi, por atje kapet dhe ekzekutohet së bashku me tre djemtë e tij.
Në vitin 1992 është dekoruar me Urdhrin e lirisë.
Figura të tjera:
Ali Bajraktari i Vlahnës, etj.
TË DHËNA PËR ZHVILLIMIN E ARSIMIT DHE TË SHKRIMEVE SHQIPE
Krahinat e Qarkut Kukës kanë një traditë të hershme për shkrimin dhe mësimin e shqipes.
Në fund të shek. 16 e fillimi i shek. 17, ka jetuar Pal Hasi, themeluesi i traditës letrare hasjane. Sipas Pjetër Budit, “P. Hasi ka pasë hartuar e përshtatur një vepër me titull “Dita e gjyqit”, shkruar në alfabetin e njohur të Veriut”.
Pas tij, njihet Pjetër Mazreku, arqipeshkëv i Tivarit. Ky, në një relacion që i dërgonte Romës (1633), jep të dhëna ekonomike, shoqërore e fetare për Hasin dhe Kosovën. Aty jep edhe një fjalorth (listë fjalësh) shqip-italisht (dhe latinisht), i cili është çmuar nga studiuesit si i pari fjalorth etimologjik i shqipes.
Andrea Bogdani (1600-1683) është një personalitet tjetër i rëndësishëm i shek. 17. Ka lindur në Gur të Hasit. Sikurse tregon i nipi, Pjetri, Andrea kishte pasë shkruar një gramatikë latinisht-shqip që “I hupi si kripa n’ujë”. Ka qenë edhe arqipeshkëv i Shkupit.
Por, pa dyshim, më i shquari personalitet fetar, politik e letrar i shek. 17 ka qenë Pjetër Bogdani (16630-1689). Ka shkruar veprën madhore “Çeta e Profetëve”, e cila qe edhe vepra më e mirë e letërsisë së vjetër shqipe. Ka qenë peshkop i Shkodrës dhe i Shkupit. Vepar e Bogdanit është krijim dhe jo përkthim nga librat fetarë.
Ndër Bogdajt e Hasit ka shkruar shqip edhe Lukë Bogdani, i cili na ka lënë një vjershë shqipe (e botuar në veprën “Çeta e Profetëve”, të P. Bogdanit:
“Duel n’Gurit bukuria,
Zana si nji sutë e naltë
Qi s’kish mbrenda veneqia
Të Peshtrikut muer naltë”.
Në shek. 17 ka pasur në Gur të Hasit edhe një shkollë, ku Andrea Bogdani u jepte fëmijëve njohuri fetare e të latinishtes (ndoshta edhe të shqipes) dhe i përgatiste për të hyrë në shkollat fetare.
Në bazë të disa të dhënave, edhe në Gash të Malësisë së Gjakovës, në shek. 17, është shkruar gjuha shqipe. Atje ka qenë përqëndruar një mision fetar katolik dhe funksiononte një shkollëz, gjithashtu, për t’u mësuar fëmijëve besojmën dhe për t’u dhënë disa njohuri fetare.
Po, për mësimin e shqipes ka luajtur rol të rëndësishëm sidomos Zymi i Hasit, ku qysh në vitin 1900, ka qenë hartuar një abetare (Abetarja e Zymit) prej 80 faqesh, ndoshta me autor Lazër Lumezi.
Me dobësimin e mëtejshëm të Perandorisë otomane dhe përhapjen e ideve të Rilindjes Kombëtare, nisën të hapen në Malësitë e Kukësit shkollat e para shqipe.
Shkolla e parë shqipe në Malësinë e Hasit është hapur në Zym në vitin 1900.
Shkolla e parë në Malësinë e Lumës është hapur në Kolesjan (11 tetor 1911) nga mësuesi atdhetar Riza Spahiu; më 1914 u hap në Bicaj për 6 muaj edhe një shkollë në Bicaj, me nismën e e atdhetarit Hasan Prishtina dhe me mësues prizrenasin Ibrahim Gota. Më 1918 u hap një shkollë shqipe edhe në Zhur. Abetaret shqipe në Lumë me alfabet arab i sollën Jonuz Hoxha e Ali Bogdani (1909).
Gjatë viteve 1922-1924 u hapën shkollat në fshatrat Bicaj, Shtiqën, Kalis, Ploshtan Krumë, Golaj, Bujan, Kolgecaj, Dukagjin, Shishtavec. Me 1923 u hap edhe Internati “Kosova” në Kolgecaj, i cili me 1928 u transferua në Krumë.
Në mars 1925 gjendjha arsimore në Prefkturën e Kosovës ishte si më poshtë:
Shkolla fillore e plotore: 21
Internat: 1
Mësues (gj): 25
Nxënës (gj) 931
Bursisë në Internatin “Kosova”: 77
Më 1922 qe ngritur në Bicaj shoqëria arsimore “Dobia”, ndërsa në Krumë (1923) shoqëria “Shkëlzeni”.
Në vitet 1925-1938 u hapën shumë shkolla në Qarkun e Kukësit (i Prefekturës së Kosovës); u krijua Drejtoria arsimore (1925), më pas Drejtoria didaktike (pas vitit 1932). Ndër shkollat që u hapën janë edhe ato në Ujmisht, Zapod, Gjinaj, Fshat, Borje, Surroj, Lusën, Dragobi, Letaj, Topojan, Kollovoz, Oreshkë, etj.
Në vitin 1938 ka qenë kjo gjendje arsimore:
Shkolla në fshatra: 28
Shkolla qytetëse: 2
Mësues: 46 (f. 3) 32
Në vitin 1940 Qarku i Kukësit ka pasur 32 shkolla (2 qytetëse), 2280 nxënës (f.554), nxënës të rregullt: 1813 (f.378).
Gjatë viteve të okupacionit (1939-1944) gjendja arsimore pësoi rënie edhe si sasi shkollash e mësuesish, por edhe nga ana cilësore e mësimdhënies dhe e përvetësimit të dijeve nga ana e nxënësve.
Pas vendosjes së sistemit komunist në Shqipëri (1945), u punua për zhdukjen e analfabetizmit, për zgjerimin e arsimit fillor, gjysmë të mesëm (8-vjeçar) dhe të mesëm, por niveli i përgatitjes së mësuesve, politizimi i tejskajshëm i përmbajtjes së punës në shkollë dhe i programit, i shndërrimit të shkollave, sidomos pas vitit 1967, në “reparte”, ku përgatiteshin në radhë të parë, punëtorë e ushtarë e më pak njerëz të ditur (trekëndshi: punë- edukim fizik e ushtark - mësim) dobësoi shkollën në misionin e vet.
Në vitin 1945 u hap shkolla unike në Kukës, më 1946 në Bicaj e Malësi të Gjakovës. Më 1956 u hap Gjimnazi i Kukësit, pastaj edhe në Malësinë e Gjakovës.
Në vitin 1985 Kukësi ka pasur 17 shkolla të mesme, 66 shkolla 8-vjeçare, 80 kopshte, ndërsa rrethi i Tropojës ka pasur 9 shkolla të mesme, 35 shkolla 8-vjeçare, 98 çerdhe e kopshte.
Në vitet 1968-1975 në Kukës ka funksionuar edhe një degë e Institutit Pedagogjik të Shkodrës, në fillim si qendër konsultimesh, më pas shkollë e rregullt.
(http://www.qarkukukes.gov.al)
No comments:
Post a Comment