Një projekt i BE, i realizuar nga Programi i Kombeve te Bashkuara për Zhvillim, po e shndërron luginën e Valbonës, në Alpet e Shqipërisë, një destinacion ndërkombëtar gjithmonë dhe më të kërkuar, të turizmit dimëror dhe veror. Kjo perspektivë ka nxitur kthimin nga Europa Perëndimore edhe të emigrantëve të kësaj zone dhe investimin e kapitaleve të tyre në sektorin fitimprures të turizmit.
Udhëtimi me automjet drejt luginës së Valbonës nuk është më as i gjatë, as i lodhshëm si pak vite me pare. Drejt saj shkon përmes autostrades Durrës- Kukës, të standarteve europiane, dhe më tej vazhdon në terrene pothuaj fushorë ne rrugë dytësore, të asfaltuara. Lugina ka emrin e fshatit dhe të lumit Valbona, i vetmi lum në Shqipëri në ngjyrë të kaltër, me ujë të bollshëm, transparent dhe gurë të bardhë.Këtu ndodhesh 1 600 metra mbi nivelin e detit dhe bukurisë natyrore që të ofrojnë Alpet e Shqipërisë, pasi Lugina e Valbonës është në zemër të pjesës së tyre lindore. Këtu sheh rrezet e fundit të ditës të ndriçojnë, majat e Bjeshkëve të Nemuna, me dëborë të përjetshme. Kullat e vjetra, tradicionale prej guri shfaqen të heshtura, të braktisura, në të dyja anët e rrugës apo në maja kodrash. Por janë bujtinat e reja prej druri, me çati alpine ato që me dritat e ndezura, avullin në xhamat e dritareve të grishin të zgjedhësh njërën, të ecësh drejt saj dhe të hysh brenda. Hyjmë tek ajo që është në mes të një fushe, të njohur që në kohë të vjetra me emrin “Fusha e gjësë”emër që tani e ka marrë bujtina. Këtu, na tregon pronari i saj, dikur zbrisnin kuajt dhe dhitë e egra, kaprojtë dhe dhelprat, nuset e lalës, arinjtë, e plot kafshë të tjera të një faune të larmishme dhe origjinale. Bujtina ka kafene, restorant dhe në katin e dytë hotel. Këtu të servirin çaj të egër nga Alpet, me një aromë të fortë rigoni, djathë, gjalp e kos nga bagëtitë që kullosin në bjeshkë. Nga dritaret e bujtinës mund të shohësh konturet e “Bjeshkëve të Nemuna..” Duket se të ardhurat që shtohen nga viti në vit nga rritja e numrit të turistëve, udhëtarëve, historianëve, studiuesve nga gjithë bota po i kthen ato në “Bjeshkë të Bekueme”.
Alpet shqiptare