Sunday, May 20, 2012

Sport/ Gjici: Kukësi, një klub model në superligë





Zv/presidenti Safet Gjici zbardh detajet e festës së nesërme, ku të ftuar do të jenë tifozë nga Kosova dhe këngëtarë të njohur nga kryeqyteti
Ngjitja e Kukësit për herë të parë në superligë ka marrë gjithë vëmendjen e banorëve të këtij qyteti, ku tema kryesore e bisedave lidhet me futbollin. Një festë e vogël është bërë nga kuksianët pas barazimit në Lushnjë, por festa zyrtare do të organizohet nesër. Nga ana e presidencës dhe bashkisë janë marrë të gjitha masat për këtë festë. Zv/presidenti Safet Gjici tregon për “Sportin shqiptar” disa nga detajet e festës së nesërme.
“Së pari dua të them se Kukësi e meritoi superligën. Në Lushnjë skuadra tregoi shpirt gare dhe, jo vetëm që nuk pësuam tre gola, por me pak kujdes edhe mund të fitonim. Tashmë jemi në festë. Kukësi për herë të parë do të jetë mes më të mirëve të futbollit shqiptar. Objektivi u realizua dhe gëzimi është i ligjshëm.
Në emër të presidencës, i falënderoj të gjithë tifozët kuksianë, stafin dhe lojtarët për kontributin e tyre të çmuar. Eshtë një ngjarje e shënuar për trevën tonë dhe skuadra do të shpërblehet me 20 milionë lekë”, – shprehet zv/presidenti Gjici, mjaft entuziast për ngjitjen e Kukësit në superligë.

Koncerti  “E mërkura do të jetë një ditë e shënuar dhe do të ketë edhe këngëtarë të ftuar nga Tirana. Do të jenë të ftuar personalitete nga bota e sportit dhe nga politika. Festa do të nisë në mëngjes dhe do të vazhdojë deri në të gdhirë. Të gjithë do të shohin mikpritjen dhe kulturën e Kukësit, pavarësisht asaj që ndodhi në ndeshjen me Luftëtarin. Do të ftojmë edhe tifozë nga Kosova, ndërsa autobusi ynë me lojtarët do të bëjë xhiro në qytet, por edhe matanë kufirit”.
Infratsruktura “Pas festës do të fillojë puna për sezonin e ri. Gjithçka do të nisë me infrastrukturën, sepse duam të jemi një klub model në superiore. Do t’i realizojmë të gjitha detyrat dhe them se stadiumi “Zeqir Ymeri” do të jetë nga më të mirët në vend. Kam shumë besim se do t’i plotësojmë të gjitha kërkesat e FSHF-së dhe do të jemi gati për ndeshjen e parë të sezonit të ardhshëm”, – tha në fund Safet Gjici.

Elvis Premçi, në Francë për provën e dytë me PSG-në
Një nga lojtarët e talentuar të Kukësit, Elvis Premçi, është nisur dje për një provë të dytë te skuadra e njohur franceze, PSG. Premçi ishte në Francë dy javë më parë, ku bëri një provë njëjavore dhe më pas u kthye te Kukësi. Bisedimet mbetën të hapura dhe mësohet se qendërmbrojtësi 19-vjeçar, titullar edhe me kombëtaren U-21, ka shanse për të firmosur me skuadrën e njohur franceze. 




Burimi:Sporti Shqiptar

No comments: