Wednesday, January 25, 2012

Kukës, djaloshi nga Topojani , 20 vjet sozi e Enver Hoxhës ! (Gazeta Shqip)



Kukës, djaloshi nga Topojani i Kukësit, 20 vjet sozi e Enver Hoxhës ! 

Që diktatorët kanë përdorur dytësa (sozi) për daljet në publik, nisur nga paranoja apo frika realenga ndonjë atentat i mundshëm, kjo nuk përbën ndonjë gjë të re. Ka pasur të tillë Stalini, Hitleri,madje edhe strategët e lashtë kanë pasur sozi. Dhe padyshim që ka pasur edhe Enver Hoxha. Thuhet se ka pasur 4 apo 5 të tillë, tregohen edhe emra konkretë personash, siç del edhe nga botime të fundit që bëjnë fjalë për historinë e diktaturës. Por pikërisht përmendja e emrave konkretë si sozi, njohja dhe përshkrimi i tyre nga bashkëkohës apo njerëz të afërt të diktatoritshton dyshimet se asgjë nuk është reale për sa thuhet. Sepse kushti i parë i dytësimit, pra i përgatitjes së sozisë është fshehtësia gati e plotë dhe, në fund ekzekutimi i tyre, pra i sozive, pasi origjinali të vdesë.

Deri në vitet e fundit është hamendësuar në shtyp për disa persona që kanë shërbyer sozi të Hoxhës, por asgjë serioze nuk ka pasur rreth këtij fakti. E para përpjekje që hedh dritë mbi sozinë e diktatorit shqiptar dhe jo vetëm të sozisë është libri i neozelandezit Lloyd Jones, i cili ka udhëtuar siç tregon në libër, posaçërisht për të takuar sozinë e Hoxhës. Libri i shkruar në formë rrëfimi në vetë të parë, një gjini mes ditarit letrar dhe shënimeve të udhëtimit me titull “Sozia e Diktatorit” u botua në vitin 1993 menjëherë pasi autori kryen udhëtimet në Shqipërinë atëhershme. Ky botim, i cili ka njohur plot përkthime dhe botime e ribotime në shumë shtete të botës deri edhe SHBA, u soll në gjuhën shqipe nga Jonuz Kola, një profesionist i gjuhës angleze, i lindur dhe i rritur pikërisht në fshatrat e Topojanit, atje ku autori Jones gjen origjinën e sozisë. Nga biseda me përkthyesin mësojmë se me të vërtetë ekzistojnë rrethana që të bëjnë të besosh se sozia e Hoxhës u mor nga fshati i Topojanit në rrethin e Kukësit dhe vinte nga një familje e zbritur kohë më parë nga fshati Novosej. Në libër, emri i sozisë është Petar Shapallo (jo Shapllo siç thuhet në botime të fundit kur bëhet fjalë për të, ku edhe origjina e tij lidhet gabimisht me Tropojën, edhe duke iu referuar Jones-it, i cili e jep atë nga Topojani i Kukësit). Identiteti i tij i vërtetë është i vështirë të caktohet pasi, duke llogaritur dytësimin ai ka ndërruar tri herë. Së pari tregohet se trungu i vjetër i sozisë jetonte në Novosej, rreth 7 kilometra larg Topojanit, dhe atje është njohur me mbiemrin Toçilla. Më pas kur u vendosën në Topojan, nuk dihet se kur, ata morën mbiemrin Lami. Dhe kur djaloshi u thirr për “detyrën e rëndësishme” në fund të viteve ‘60 të shekullit të shkuar, ku formalisht ai u shpall i vdekur, madje në praninë e nënës dhe gruas, në të vërtetë mori një identitet të ri me emrin Petar Shapallo, gjithnjë sipas Jones-it. Për rolin e ri, ai sigurisht iu nënshtrua modifikimit fizik, edhe pse ngjante aq shumë me diktatorin, por edhe psikik, duke ia shpëlarë trurin.
Le të shohim hap pas hapi se si përkthyesi ra në kontakt me librin, dhe më pas si e gjeti nënën e sozisë së supozuar. Në fund, përderisa librin e çmoj me vlera të shumanshme dhe letrare, do të themi dy fjalë edhe për të.

Një gazetar kanadez në Kukës, në gjurmë të sozisë

Përkthyesi Kola tregon se në mesin e viteve ‘90, përkatësisht në vitet 1994, ‘95 dhe ‘96 ka udhëtuar disa herë në Kukës një gazetar kanadez me emrin Mark Klark. Ky, siç ka dalë në dritë më vonë, ka qenë i interesuar të shkruajë për shqiptarët, duke ndjekur gjurmët e Edith Durhamit apo Haslock-ut dhe ka shkruar edhe ky një libër për shqiptarët që vlerësohet në Perëndim, por që nuk është në objekt të këtij shkrimi. Duke qenë se Kola e shoqëronte atë në zonat rurale, në Topojan kryesisht, mëson nga ai se, sipas një libri të udhëtarit neozelandez Jones, sozia e Hoxhës ka qenë nga fshati Topojan dhe se ai vetë kishte bërë mijëra kilometra rrugë pikërisht për të rënë në gjurmët e sozisë. Kështu i bien kryq e tërthor fshatit dhe disa fshatrave përreth, duke pyetur për personazhin-sozi. Dhe sigurisht që fshatarët ngrenë supet, sepse asnjëherë pyetja nuk u bë për njeriun me identitetin origjinar, por për njeriun me identitet të ndryshuar. A keni njohur ndonjëherë një dentist me emrin Shapallo, Petar Shapallo? Askush nuk kishte njohur e as dëgjuar. Ky emër nuk i takonte kësaj krahine. A nuk ka qëlluar që në fundin e viteve ‘60 të zhduket një dentist i fshatit papritur? Lloyd Jones, në librin e vet, ka shkruar se sozia e ardhshëm i diktatorit punonte dentist, madje mjeshtrit e Sigurimit e ndërpresin nga puna dhe nuk i japin kohë të mendohet gjatë dhe e dërgojnë në Tiranë. Sidoqoftë Klark-u i sjell Kolës një botim në anglisht të librit “Sozia...” dhe ky arrin të sigurojë nga botuesi në anglisht të drejtën e përkthimit në gjuhën shqipe.

Përkthimi në shqip

Kola tregon se punën e shqipërimit të këtij libri e nisi që në vitet 1997-‘98, por në atë kohë kishte qenë e rrezikshme të botoje një libër të tillë. Kola thotë se për faktin që në libër përmenden dhe janë protagonistë dhjetëra persona konkretë që jetojnë, të cilët në fillim të viteve ‘90 e shoqëruan Jones-in në Shqipëri, përmendja e tyre përbënte një shkak për t’u kërcënuar. Autori përshkruan Shqipërinë e trazuar dhe të shpërfytyruar deri diku, duke përshkruar fare ftohtë edhe njerëzit me të cilët kontaktonte. Ai flet për njerëz konkretë të cilët jo domosdo duhet të ishin dakord me përshkrimin, me “fotografimin”. Jones-i përshkruan njerëzit realë që e shoqëruan dy herë në Topojan, herën e dytë së bashku me sozinë e plakur të cilin e kishte gjetur në barakat e të internuarve në Savër të Lushnjës. Ai përmend dhe përshkruan bisedat me liderë të demokratëve, por edhe me eksponentë të lartë të sistemit të përmbysur, siç ishte Nexhmije Hoxha, i biri Iliri e kështu me radhë, gazetarë, botues dhe autorë, njerëz të rastit dhe punëtorë të Sigurimit të Shtetit, diplomatë të vendit e të huaj... “Pata filluar të botoj në shtypin e kohës pjesë të librit, por mora kërcënime nga shumë njerëz dhe qe e pamundur ta përmbyllja në ato vite”, tregon Kola për vitet ‘97 dhe ‘98 kur mund ta nxirrte në dritë librin “Sozia...”. Ai e botoi atë vetëm në vitin 2008, pasi ishte krijuar një distancë kohore me ngjarjen.

Të dhëna që përputhen

Në librin “Sozia e diktatorit”, ku trilli artistik mban fort gjithë lëndën e paraqitur, madje e lidh atë si me magji, pra ku trilli ndërthuret me faktet që ndodhin, përshkruhet që djali i pashëm me emrin e ardhshëm Petar, pasi u soll nga Topojani në Tiranë, u mbajt dy vjet në proces metamorfoze, duke i retushuar edhe ato ndryshime që viheshin re në raport me origjinalin, pra me Hoxhën. Autori tregon se sozia kishte lindur në të njëjtin muaj me diktatorin dhe kishte studiuar për mjekësi, ishte martuar me një vajzë nga Jugu dhe kishte fëmijë, përkatësisht dy vajza. Në krye të dy viteve, Sigurimi vendos të kryejë tjetërsimin përfundimtar, ta shpallë atë të vdekur dhe më pas ta vendosë në rol. Në libër thuhet se u thirr nëna e tij nga Topojani, së cilës i thanë se djali është i sëmurë dhe po vdes. Ajo i qëndroi te koka plot 41 ditë, më pas ai (sikur) vdes dhe e varrosin, medemek, por pa praninë e nënës dhe të nuses. Nëna këmbëngul të lajmërohen njerëzit e shtëpisë në Kukës dhe madje të dërgohet në vendlindje për ta varrosur, por këto kërkesa nuk u dëgjuan. Nëna nuk e pa djalin e vdekur, e as varrin nuk ia mësoi kurrë. As vëllezërit, më të vegjël se sozia, nuk e mësuan asnjëherë fatin e vërtetë të vëllait të madh. Përshkruhet ndër të tjera edhe fakti që kur grupi i mjekëve që përpunuan fizionominë e sozisë, bashkë berberin dhe rrobaqepësin etj., u ekzekutuan, ndërsa gruan dhe fëmijët e sozisë i vranë diku në shpatet e Llogorasë. Duhej ruajtur sekreti.
Nisur nga fakti që në vitet ‘60 dhe ‘70 një ndihmësmjek mund të bënte edhe dentistin, Kola thotë se duke pyetur për ndihmësmjekun gjen familjen e sozisë. Ka kontaktuar përkatësisht me nënën e tij, si dhe me vëllezërit dhe me njerëz të tjerë të afërt. I kanë pohuar se kanë pasur një djalë ndihmësmjek, shumë i pashëm dhe shtatlartë, të cilin e transferuan në Spitalin Ushtarak nga ku pas dy vitesh ajo, pra nëna është lajmëruar se i biri po vdes dhe se ajo mund të rrijë me të në momentet e fundit. Nëna ka treguar se djali i saj e ka pasur emrin Muharrem, ka qenë më i madhi i katër djemve të saj dhe mjaft i pashëm, por që fatkeqësisht ka vdekur dhe as varrin nuk ia di e as për familjen e tij nuk dinte asgjë. “I kam qëndruar te koka plot 41 ditë ku as nuk ishte në gjendje të fliste dhe vdiq. Nuk ma dëgjuan lutjen për të njoftuar njerëzit në shtëpi, që ta varrosim në vendlindje dhe as na lejuan të shohim se ku do të varroset, kam qenë me nusen e djalit, të cilën më pas e morën ata të qeverisë bashkë me një vajzë që kanë pasur dhe nuk e di se çka ndodhur me to”, ka treguar nëna e sozisë së mundshëm Petar Shapallo. “Sozitë gjithnjë kanë qenë një çështje shumë sekrete dhe i përkasin teorive të komploteve dhe asgjë e saktë nuk mund të thuhet edhe në rastin e djalit nga Topojani, por po të ndjekësh rrjedhën e ngjarjeve të përshkruara në libër dhe të deduktosh nga të dhënat që gjen në terren, del se një nga sozitë e Enver Hoxhës duhet të ketë qenë edhe ky, pra djali nga Topojani i Kukësit”, thotë përkthyesi Kola. Dhe më tej, ai duke iu referuar kujtimit të disa bashkëfshatarëve që e kanë njohur ndihmësmjekun, thotë se Muharremi ka pasur ngjashmëri gati si të ishte binjak me diktatorin, ndonëse mendohet se mund të ketë qenë pak centimetra më i shkurtër.

Si u zbulua sozia pas vdekjes së diktatorit

Në libër përshkruhet në imtësi se kur diktatori u sëmur dhe u dobësua, edhe sozia u trajtua në atë mënyrë për t’u dobësuar, nëse diktatorit i dhembte një këmbë, p.sh, sozia duhej të çalonte pak e kështu radhë. Ndërsa kur diktatori u shtri për të vdekur, sozia fillimisht u la pas dore, ndërsa kur Hoxha vdiq, atë e nxorën në rrugë natën duke i dhënë për të veshur një xhaketë-këmishë ushtarake dhe asnjë mjet jetese. Për një ditë të plotë, ai fshihet në një bunker ndërsa më pas rend fushave dhe përfundon fshatrave deri në Sarandë. Në atë kohë, në popull, kanë qarkulluar thashetheme sipas të cilave Enveri ishte ringjallur, ata që nuk e donin, thoshin është ngritur lugat, ndërsa pjesa nostalgjike thoshte është ringjallur si Krishti. Nga ana tjetër ka një variant, jo sipas librit, por sipas burimeve të tjera, që me të vdekur diktatori, roja personale apo kujdestari i sozisë e ka marrë atë dhe e ka dërguar te Varrezat e Sharrës, ku i ka bërë një gjilpërë për ta mbytur, por çuditërisht ka ngatërruar ilaçet dhe sozia nuk ka vdekur. Pasi është larguar roja, ai është ngritur dhe ka rendur si një qen i përzënë dhe i pa zot. Në verën e vitit 1990, në Tiranë ndodhën trazirat e njohura kur u hapën dyert e ambasadave dhe sozia shkon dhe hyn në ambasadën gjermane.
Në libër tregohet gjithashtu se si e rrahën azilkërkuesit, duke thirrur, ej na u ngjall lugat diktatori. E përgjakën keqas dhe vetëm ndërhyrja e një diplomati të ambasadës e shpëton. Por ky i fundit, siç i kishte pohuar edhe përkthyesit, në linjë telefonike, ka planifikuar shpejt e shpejt ta dërgojë në Gjermani, ku do të bëjë një biznes të paparë me të. Dhe organizon transportin me autobus deri në Rinas nga ku do ta hipnin në avion. Mirëpo gjatë rrugës, autobusit i bie një gomë dhe ndërsa shoferi merret me zëvendësimin e gomës, pasagjerët kishin kohë të mjaftueshme për të “hetuar njëri-tjetrin” dhe në këtë çast ata përsëri diktojnë sozinë e diktatorit dhe e marrin përsëri për lugat, e rrahin dhe e hedhin nga dritarja e drejt e në kanal. Kështu autobusi niset pa të. Duke ecur fushave përfundon në Savër të Lushnjës, në barakat e të internuarve, ku gjen strehë dy-tri vjet, derisa vdes nga të ftohtit në çimento.

Sozia ka vizituar Topojanin

Autori i librit të “Sozisë...” tregon se pasi e gjeti sozinë në Savër të Lushnjës, ku kujdeseshin disa të internuar kuksianë dhe gjirokastritë etj., për të, e merr me ndihmën e disa miqve me influencë dhe udhëton deri në Topojan ku vetë ka treguar se mbante mend rrugën dhe relievin, por nuk ka gjetur askënd që të njohë. Tregojnë se kur ka pyetur për një ndihmësmjek të viteve ‘60 i kanë thënë se kishte vdekur dhe se as varri nuk i dihej. Ai është kthyer sërish në Savër, ku edhe është varrosur nga banorët e fundit të kampit të internimit.

Një linjë tjetër e romanit

Përveç kërkimit të sozisë dhe zbardhjen e enigmës që e rrethon, libri i Jones-it ka edhe një linjë tjetër të fuqishme, gati tronditëse, linja e biografisë. Autori zbulon se në Shqipëri biografia ka shërbyer për gjithçka lidhur me relacionet me sistemin socialist, profesioni dhe aftësitë menaxheriale nuk hynin në punë. Në Shkodër ai gjen një zyrë kuadri, ku një nëpunës merrte shënim biografitë e njerëzve, ku kryesisht ish të burgosurit apo internuarit tregonin se çka kishin hequr. Drama shqiptare merr përmasa gati tragjike kur mësohet se këto biografi i shënonte aparati i të njëjtit sistem që i kishte shkaktuar. Dhe shënimi i biografisë do të shërbejë pikërisht për të shtypur përsëri ato që deri dje qenë të shtypur. Një grua arrin të fshehë internimet dhe burgjet që kishte vuajtur familja e saj sepse, siç thotë ajo, po të merrte vesh zyra e kuadrit, familja e saj do të persekutohej përsëri.

Mesazhi i veprës

Autori Jones nga Zelanda e Re e ka njohur Shqipërinë edhe para se të udhëtonte këtu përmes një xhaxhai të tij, Klifit, që siç lihet të kuptohet i takon “miqve të Shqipërisë socialiste” apo grupimeve ideologjike majtiste, për të cilat ka qenë e interesuar Partia Komuniste, më vonë Partia e Punës. Trilli i magjishëm me hijen e ish-diktatorit Hoxha, na tregon ndër të tjera se edhe pse fizikisht diktatori ka vdekur, enverizmi si mentalitet jeton, madje shqiptarët e kanë shumë të vështirë ta shkulin nga vetja.
Botimit në shqip të “Sozisë së diktatorit” nuk i është bërë jehona e merituar. Ndoshta sepse një pjesë e mirë e pushtetit politik dhe medias si vijimësi nga sistemi i diktaturës janë përmendur me emrat e tyre realë. Loyd-i me këtë libër u ka treguar shqiptarëve pasqyrën, ndoshta pasqyrën në banjë, aty ku njeriu është më se kudo vetvetja, si dhe fotografinë e momentit kur një pjesë e tyre nuk e dinin se po fotografohen dhe normalisht para vetvetes së paretushuar, ndoshta ngërdheshen.



(Referuar librit “Sozia e diktatorit” të Lloyd Jones dhe bisedës me përkthyesin e veprës Jonuz Kola)


Sulejman Dida
Gazeta Shqip  25/01/2012


----------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Shenim:Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë  dhe stafit të portalit ! 


http://www.jehona-topojanit.blogspot.com

No comments: