Sunday, January 22, 2012

Kompjuterat-fletore, prirja e re e teknologjise kompjuterike

                                                                TEKNOLOGJI


Las Vegasi nuk është vetëm qyteti i kazinove dhe i dritave verbuese. Sigurisht, të dyja këto bien në sy menjëherë në qytetin që nuk fle. Por çdo vit, ky oaz në shkretëtirën e Nevadës organizon një nga panairet më të rëndësishme të tregut të teknologjive.
Panairi i Prodhimeve Elektronike është zhvilluar në Qendrën e Konferencave të Las Vegasit që prej 30 vjetësh dhe aty janë paraqitur disa nga pajisjet elektronike pa të cilat nuk mund të jetojmë sot.
Por me mbi 125 mijë njerëz nga mbi 140 vende që pritet të vijnë këtu, të duket sikur kjo është si qetësia para stuhisë.
Jim Barry është zëdhënës për median në Shoqatën e Prodhimeve Elektronike:
“Ne po ndërtojmë një qytet brenda qytetit të Las Vegasit përsëri këtë vit. E bëjmë këtë për vit”.
Gati 3 mijë kompani do të mbushin më shumë se 500 kilometra katrore të hapësirës së ekspozitës.
Por partnerët më të rinj janë prodhuesit e mikroprocesorëve.
“Prodhuesit e mikroprocesorëve filluan të vijnë në panair pasi të gjitha këto pajisje që shohim këtu përdorin tani mikroprocesorë”, thotë Barry. “Ata po përdorin teknologjinë dixhitale dhe kështu prodhuesit po ndërtojnë motorë që mund të venë në lëvizje këto pajisje”.

Televizorët tredimensionalë ishin kryefjala në panairin e vitit të kaluar.
Në pesë vjetët e fundit, industria e televizorëve përgjithësisht është rritur sepse ka patur një vërshim të amerikanëve për të blerë televizorë të sheshtë. Tani kjo prirje po bie, sepse televizorë të tillë kanë 61 përqind e familjeve.
Vitin e kaluar kur dolën televizorët tredimensionalë, shitjet ishin dekurajuese. Kompania Samsung llogarit se të gjithë prodhuesit së bashku shitën një milionë televizorë tredimensionalë në vitin 2010, shumë më pak nga tre apo katër milion që ishte parashikimi.
Por në industrinë elektronike ka trysni të madhe për të krijuar një produkt të ri të kërkuar  nga tregu.
Sezoni i fundit i festave ishte më i miri për dyqanet e shitjeve me pakicë që nga viti 2007 por shitjet e produkteve elektronike u rritën vetëm me 1 presje 2 përqind krahasuar me një vit më parë.
Një pajisje ku industria i ka varur shpresat janë kompjuterat fletore.
Kompania Apple shiti 7 presje 4 milionë iPads deri në shtator pas gjashtë muajve në treg. Pra ky produkt është shitur më shumë se kompjuterat Makintosh por jo sa iPod-et apo iPhon-ët.
iPad-i pritet të përballet me konkurrentë të rinj që do të paraqiten në panairin e sivjetshëm siç është BlackBerry PlayBook.
Në konkurrencë do të hyjnë edhe Motorola, Dell dhe Acer Inc. Megjithë suksesin e iPad-it, ekspertët nuk besojnë se teknologji të tilla do të sjellin zhdukjen e kompjuterave.
“Në se të duhet të shtypësh shumë, kjo pajisje nuk i zëvendëson dot kompjuterat”, thotë Mike Stinson, nënpresident i kompanisë Motion Technology. “Do të ketë gjithmonë notebook por njerëzit po blejnë gjithnjë e më shumë kompjutera fletore”.
Ndërsa kompjuterat bëhen më të lehtë dhe më të vegjël, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për mikroprocesorët që mbajnë informacionet.
Megjithatë, pavarësisht se ky panair mbledh gjithë botën teknologjike, ka një markë amerikane që mungon aty dhe kjo është Apple pasi kjo kompani nuk merr pjesë në panair. Por me apo pa Apple, zhurma në Las Vegas gjatë këtyre ditëve do të jetë e madhe nga Panairi i Prodhimeve Elektronike.


Burimi:www.voanews.com

Pershtati:
Stafi "JEHONA E TOPOJANIT"

No comments: