Sunday, May 9, 2010

FLAMURI SHQIPTAR- Krenari Kombëtare që nuk shuhet kurrë !!

FLAMURI SHQIPTAR- Krenari Kombëtare që nuk shuhet kurrë !!

Populli shqiptar e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë, ka thënë njëri nga shkrimtaret tanë. Ushtarët shqiptarë parakalonin para Napoleonit si ca mbretër të maleve. O Zot, sa popull i mrekullueshëm do të ishin këta sikur të kishin në krye një sundimtar të drejtë, raportonte konsulli françez i Shkodrës më 1908. Shqiptarët kanë qenë, janë dhe do të jenë ushtarët më besnikë për shpëtimin e Europës.


Shkrim befasues nga
Baki Ymeri (Bukuresht)


Jemi mbi tremilionë në Shqipërinë e shtrënguar, 7 mililionë në Shqipërinë e lirë, dhe 15 milionë në tërë botën. Flamuri shqiptar është krenari kombëtare që nuk shuhet kurrë. Kushdo që i rikthehet lashtësisë dardane, betejave të lavdishme të Skënderbeut, veprave të rilindasve tanë, Vlorës legjendare dhe Kosovës kreshnike, do të konstatojë se historinë tonë e fisnikërojnë shembuj të shkëlqyer të shqiptarizmit. Familja, flamuri, gjuha e kombi, janë vlera hyjnore. Hymni dhe flamuri shqiptar janë simbole kombëtare që ta përkujtojnë të vërtetën se nga Kosova në Çamëri: ka vetëm një Shqipëri. Kush janë ata që mundohen t’i përmbysin aspiratat shqiptare për bashkim kombëtar? Përmbysës janë hajdutët, kurvarët dhe tradhëtarët, ata që i përçajnë shqiptarët në baza fetare apo politike, fanatikët e zi dhe ekstremistët e kuq që mundohen t’i devalvojnë vlerat europiane të demokracisë.
Shqipëria bëhet e tërë përmes integrimit të Saj në gjirin e komunitetit europian. Atdhetarë të vërtetë dhe demokratë të mirëfilltë janë ata që dinë ta shenjtërojnë vendin ku jetojnë. Janë ata që dinë t’i frymëzojnë gjeneratat përmes kultivimit të kultit ndaj punës, familjes, simboleve dhe heronjve të kombit. Janë ata që ia kujtojnë ushtarakut dhe çdo shqiptari, detyrën e shenjtë për mbrojtjen e atdheut. Duke qenë ndër më të vjetrit dhe më të bukurit në Evropë, flamuri ynë është dëshmi historike, vlerë e lartë europiane, simbol i shenjtë që duhet të duhet, të ruhet dhe mbrohet, me dashuri, vigjilencë dhe trimëri. Qan shpirti i shqiptarit pas historisë së atdheut. Po qe se bëjmë krahasim me rumunët e sërbizuar të Luginës së Timokut, apo me sivëllezërit e tyre nga Moldavia, konstatojmë se jemi një popull i mrekullueshëm. Shqiptarët kanë dedhur lumenj gjaku për ta mbrojtur identitetin kombëtar dhe flamurin shqiptar. Askush nuk mund ta harrojë trimëreshën e Prishtinës, që hidhet nga ballkoni mbi tankun e okupatorit, e mbështjellë me flamurin tonë të shenjtë.
Historia shqiptare është e shkruar me gjak. Shqiptarët qysh para Krishtit nuk kanë ditur ç’është frika, mëshira apo përulja. Dokumente historike dëshmojnë për trimëritë legjendare të kombit shqiptar. I panumërt është numri i atyre që ranë nën hijen e flamurit, duke dhënë jetën për një ideal të shenjtë, për ritkthimin e trojeve etnike në trungun e atdheut. Populli shqiptar e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë, ka thënë njëri nga diktatorët tanë. Ushtarët shqiptarë parakalonin para Napoleonit si ca mbretër të maleve. O Zot, sa popull i mrekullueshëm do të ishin këta sikur të kishin në krye një sundimtar të drejtë, raportonte konsulli françez i Shkodrës më 1908. Shqiptarët kanë qenë, janë dhe do të jenë ushtarët më besnikë për shpëtimin e Europës.
Simbol i flijimit, qëndresës, bashkimit dhe ardhmërisë
Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë para 92 vitesh, ishte shprehja simbolike e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, një vepër fisnike e pregaditur në zemër të Bukureshtit. Poetët tanë i kanë kushtuar vjersha të panumërta këtij simboli të bukur, që nga rilindasit e deri te shkollarët e ditëve tona. Asdreni i pavdekshëm, që kur e pa të qëndisur nga Spiridon Iloja në Bukuresht, e konsideronte flamurin si engjëll i lirisë, engjëll i shpëtimit. Patrioti korçar, Dhimitër Kristo Rëmbeci, qysh më 1934, i drejtohet kësaj vlere kombëtare me këto fjalë: O Flamuri i Shqipërisë/ me Shqiponjën e Lirisë/…/ Ku ke qenë do të jesh/ Në Kosovë do të vesh/ Tjetër flamurë të rrëzosh/ Vetëm tinë të valosh. Dhe ja, erdhi koha kur flamuri i shqiptarit/ Do të valojë, edhe në majë të Sharrit”. Vlon diaspora shqiptare me simbole kombëtare, që nga Arizona e Filadelfia, e deri tejmatanë brigjeve të Turqisë. Eseistët tanë kanë shkruar për kultin e tij, duke e konsideruar si “simbol i flijimit”, “simbol i qëndresës”, “simbol i bashkimit”, “simbol i ardhmërisë”.
Shqiptarët e kanë skalitur simbolin kombëtar në banknota, emblema, ballina godinash, tagra automjetesh, pulla e kartolina postare, ballina revistash, duke botuar madje edhe gazeta me emrin e tij. Po i përmendim vetëm disa: “Fiamuri i Arbërit” (La Bandiera dell’Albania), e përmuajshme që e drejtonte në gjuhën shqipe Jeronim de Rada në Kozencë të Italisë (1883-1887); “Flamuri i Shqiperis” (La Bandiera Albanese), e drejtuar prej prof. Gjusepe Skiros, në Napoli, më 1904; ”Flamuri”, fletore e përjavshme, që e drejtonte Faik Konica në Boston, më 1910, me moton “Vetqeverim për Shqipërinë”, me Kryefjalën “Shqipëria për Shqipëtarët” dhe me Porosinë “Mos harroni Skënderbenë, Bashkimin, Krujën, Flamurin!”, ”Flamuri’ i Shqipërisë” (1915), gazetë politike e shoqërore, organi shqiptarëve të Rumanisë, dilte në Konstancë me moton: “Kudo që vete/ Kudo që të jesh/ Mëndjen për Shqipëri ta kesh!”. Gazeta botohej me një mision të lartë patriotik, për mbrojtjen e tërësisë tokësore të shtetit shqiptar, duke pasqyruar, paralelisht me këtë, edhe veprimtarinë e atdhetarëve të mërgimit. Pasojnë “Flamuri”, e përjavshme politike, ekonomike dhe letrare., e drejtuar në Tiranë prej Kristo Luarasit (1922); “Flamuri”, organ i organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”, e përdyjavshme politike, Tiranë (1944).
Patriotizmi nuk këndohet por dëshmohet
Askush nuk mund t’i harrojë betejat e Skënderbeut, Dervish Carës, Themistokli Gërmenjit, Isa Boletinit, Bajram Currit, Shote Galicës, Adem Jasharit, bijtë dhje bijat më të dashura të Shqipërisë që u bënë simbole të krenarisë shqiptare, shembuj frymëzimi për gjenerata perspektivash europiane me prejardhje shqiptare. Emri i tyre u bë flamur, ngase ata u lindën, u edukuan, u rritën dhe u shuan për mëmëdhenë, duke qenë gjithmonë në shërbim të shqiptarizmit. Patriotizmi nuk këndohet por dëshmohet, dikurë me krisje armësh, kurse sot me krisje punësh. Kosova u bë e njohur në Rumani në sajë të frymëzimeve poetike të Sali Bashotës. Shqipëria përfiton admirimet e Italisë në sajë të kontributeve të Antonio Bellushcit. Të jesh patriot don të thotë të respektosh idealet e Ibrahim Rugovës dhe Ismail Kadaresë, të punosh, ti duash prindërit, familjen dhe atdheun, t’i ndihmosh dhe të flijohesh për ta, sa herë që e kërkon nevoja. Atdhetarizmi dëshmohet përmes solidaritetit, diturisë dhe altruizmnit. Kush mund ta harrojë Hajrullah Hajrën, kosovarin e prekur nga flatrat e engjëllit, Vlashi Filin e Bijve të Shqipes në Filadelfi, Arif Molliqin e Verrave të Llukës në Gjermani, Agim Xhemalin e Çamërisë apo Vitore Stefa Lekën, Nënë Terezën e Triestës, simbol i humanizmit dhe bujarisë, atdhetarë me zemër të zjarrtë, siç ishin të zjarrtë edhe rilindasit tanë, që nga vëllezërit Frashëri e deri te Thoma Kacori i harruar në zemër të Bullgarisë .
Po si e harruat Grigore Brënkushin more qeveritarë të gjorë, albanologun më të madh në botë, rumunin që 50 vjet me rradhë e mbron shqiptarizmin në universitetet e Bukureshtit, filoshqiptarin që e meriton nga një përmendore në Tiranë e Prishtinë, e të cilit një telefonatë ambasadorët tanë s’ia kanë bërë! Rilindasit tanë, ndër të cilët edhe Qiriazët, krahas korçarëve, kërçovarëve, dibranëve e kosovarëve, digjeshin për Shqipërinë. Ata e fitonin bukën me djersën e ballin dhe e donin Shqipërinë shpirtërore dhe flamurin kombëtar, duke e ruajtur gjuhën si një vlerë e shenjtë, kudo që ndodheshin. Të këtillë i kemi sot sivëllezërit tanë në Çamëri, Itali, Zvicër, Gjermani, Suedi, Amerikë, Australi e gjetiu. Diaspora, shqiptarët dhe bashkatdhetarët e trojeve të shkëputura nga trungu i Shqipërisë, nuk guxojnë të jenë të përçarë. Dha Zoti që këtë unitet ta dëshmojnë në vepër, para gjashtë vitesh, me rastin e çrobërimit të Kosovës, dhe para pesë vitesh, me rastin e desovjetizimit të Maqedonisë. Globalizmi nuk i preferon subjektet me karakter kombëtar. Megjithatë, ne e preferojmë globalizmin, për fisnikërimin e tij, edhe me subjekte shqiptare.
Në malet e Sharrit qëndrojnë perënditë e Shqipërisë
Malësorët e Sharrit digjen për komb dhe atdhe, për nder dhe flamur. Lazim Rexhepi e Sadudin Gjura. Havzi Omeri, Iljaz Kamberi, Kadri Voka e Mumin Dani. Xhever Ymeri dhe Arben Xhaferi. Alfons Dovana dhe Ali Ahmeti. Emra të njohur e të panjohur. Veprimtarë të shquar të lëvizjes kombëtare, si Gafur Loku, Garip Dema, Shaban Xheladini, Nexhmedin Voka, Rahim, Zeqiri, Rafi Halili, Zaim Beqiri e qindra atdhetarët të tjerë, dënohen me burg të rëndë nga autoritetet komuniste të Shkupit, për ngritjen e flamurit kombëtar në Tetovë, Pirok, Sellcë, Shipkovicë, e gjetiu. Sondazhet dëshmojnë se shqiptarët, rumunët dhe hebrenjtë janë popujt më proamerikanë në botë. Pse? Ngase dinë ta duan familjen, flamurin, kombin dhe atdheun. Dinë ta përkrahin njëri-tjetrin si hebraikët në diasporë, populli më i martirizuar në botë. Para pesë vitesh, në malet e Sharrit qëndronin perënditë e Shqipërisë, bijtë e zgjedhur të popullit, që edhe sot i kemi atje, siç i kemi patur, që nga lashtësia pagane dhe ajo e krishterë.
Në malet e Sharrit e të Karadakut, në Drenicë e Gjakovë, n; Sllupçan e Shipkovicë, në Tanushë, në Poroj e Radushë e dhjetra lokalitete tjera shqiptare, shpërthen shqiptarizmi. Shpërthen vrrulli i shqiponjave me flamur në dorë dhe me trimëri në zemër. As Ylber Meta i Shipkovicës dhe askush tjetër nuk mund t’i harrojë ato ditë heroike, kur shqiptari dinte t’i bëjë ballë botës barbare, kur vullneti i burrave i shkulte malet. Zoti i mbronte ata që përkujdeseshin për shpirtin e kombit, në ato çaste të paharruara, kur parakalonin ushtarët e lirisë, duke patur në ballë flamurtarë të togës, flamurtarë të brigadës, flamurtarë të bataljonit, sokolat dhe sokoleshat e shqiptarizmit, ata që se bashku me ne, presin me padurim që një ditë ta festojmë pavarësinë e Kosovës dhe krijimin e Shteteve të Bashkuara të Shqipërisë.

Burimi: http://www.kombi.im/te-tjera/flamuri-shqiptar-krenari-kombetare-qe-nuk-shuhet-kurre.html

No comments: